TIRANË- Prej disa ditësh, efektivi i policisë dhe njësisë Operacionale për arrestimin e personave në kërkim, Jeton Lami, ndodhet në burg pasi dekonspiroi operacionet për arrestimin e Ervis Martinajt. Report Tv ka siguruar foton e efektivit 28-vjeçar, i cili u la në burg nga gjykata e Kurbinit, pasi më 5 dhe 7 gusht ka transportuar ndërmjet Durrësit dhe Tiranës biznesmenin Ervis Martinaj, të cilin policia kërkon ta arrestojë si dhe po heton se rivalët e kanë rrëmbyer e zhdukur.

Jeton Lami, u la në në burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore. Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, agjenti i policisë kyçi gojën para togave të zeza, ndërsa gjyqtari Aurel Arapi pranoi kërkesën e prokurorit Bardhyl Shehu dhe vendosi masën e sigurisë arrest më burg pa afat, ndaj 28-vjeçarit Jeton Lami.

Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar edhe agjent i forcave operacionale në Policinë e Shtetit, Jeton Lami, i cili u prangos më 23 gusht nga policia e Lezhës.

Lami u kap nga kamerat e sigurisë së një hoteli në Durrës, ku ka qenë i shoqëruar me Ervis Martinajn. Për herë të parë hetuesit kanë mundur të zbulojnë se më 5 Gusht 2022 Lami e merr Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e transporton atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar. Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin.

Për gjetjen e Martinaj janë kryer një sërë hetimesh nga policia dhe prokuroria, ndërsa një numër personash janë marrë në pyetje përfshi dhe Indrit Doklen i cili nga deklarimet e dëshmitarit të drejtësisë Nuredin Dumani, thuhet se Martinaj kërkonte të vriste për 500 mijë euro. Nga materialet hetimore të depozituara në masën e sigurisë në gjykatën e Kurbinit rezultojnë dhe dëshmitë e të afërmve të Martinaj mes tyre dhe babait të biznesmenit. Mustafa Martinaj ka kërkuar nga hetuesit të zbardhin edhe pistën e përfshirjes së Indrit Dokles pasi sipas tij dhe familajrëve deklarimi i Dumanit mund të ketë sjellë një hakmarrje të Dokles ndaj djalit të tyre. Vetë Dokle rezulton në listën e të pyeturve nga hetuesit dhe ka mohuar të ketë një përfshirje apo lidhje me këtë ngjarje që po heton prokuroria.

Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani gjatë muajit maj në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK. Efektivi Lame është zbuluar pas hetimeve që po kryejnë pas denoncimit që ka bërë familjari se Ervis Martinaj është zhdukur. Rreth dy javë më parë, xhaxhai, Faik Martinaj, ka denoncuar në Komisariatin e Policisë Lezhë se ka humbur kontaktet me nipin. Policia Shqiptare dhe Shërbimi Informativ janë përfshirë në një hetim të përbashkët për gjetjen e Ervis Martinaj

Kujtojmë se në korrik të vitit 2021, teksa përfundoi hetimet për vrasjen e Santiago Malkos, SPAK nënvizonte se plani ishte ekzekutimi edhe i Ervis Martinajt por s'kanë mundur ta gjejnë atë edhe pse kishin informacion se kishte udhëtuar në Spanjë apo Turqi.

Ervis Martinaj është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen. Ai ka thënë se 500 mijë euro do paguante Ervis Martinaj për këtë vrasje. Vetë Nuredin Dumani ka thënë se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për ta vrarë, ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro. Kujtojmë se Indri Dokle ka qenë numri 2 i Bandës së Durrësit dhe është i dënuar për “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.

Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.

Agjenti i Operacionales Jeton Lami