Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi thotë se ndryshimet e propozuara nga kryeministri Edi Rama për Kodin e Procedurës Penale, bëhen që ai të ketë një tjetër mburojë nga SPAK.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se Rama e ka refuzuar tre herë dorëheqjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pasi kërkon të mbrojë veten e tij.

Bardhi shtoi se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale në mes të hetimit për Ballukun, bëhen për ditën kur drejtësia mund të trokasë te kryeministri.

Sipas Bardhit, kryeministri Rama apo përpiqet të vendosë një imunitet të ri politik për veten nga SPAK.

Reagimi i Gazment Bardhit

"Për herë të parë “e besoj” Edi Ramën! E besoj kur thotë se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk kanë lidhje me Belinda Ballukun. Sepse ai sot ndryshon ligjin për t’i vendosur Kryeministrit një mburojë plus nga SPAK-u. Edi Rama po propozon që Kryeministri të mos pezullohet nga detyra, nëse drejtësia gjykon se ai, për shembull, po prish provat e një hetimi.

E besoj Edi Ramën, kur thotë se ka refuzuar tre herë dorëheqjen e Belinda Ballukut. Sepse qëllimi i tij nuk ka qenë kurrë të mbrojë Belindën, por veten e tij. Refuzimi i dorëheqjes nuk është më çështje luajaliteti. Është çështje precedenti. Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale në mes të një hetimi penal aktiv për Zëvendëskryeministren nuk bëhet vetëm për sot. Bëhet për ditën kur drejtësia mund të trokasë më lart se numri dy i qeverisë. Prandaj, e besoj Edi Ramën, sepse ai po përpiqet të vendosë një imunitet të ri politik për veten nga SPAK-u. E besoj, sepse qëllimi i tij është personal. Ai do që funksioni i Kryeministrit të mos ndahet nga emri i Edi Ramës, pavarësisht provave të drejtësisë kundër tij. (Dhe çështja McGonigal është ende në hetim. Çështja e qendrimit të qeverisë për incineratorët është ende në hetim).

E besoj Edi Ramën, kur thotë se fillimisht do të votohet për imunitetin e Belinda Ballukut dhe më pas do të ndryshohet Kodi. E besoj, sepse ai sërish po mendon për veten. Po mendon se procedura do ta shpëtojë nga vijat e kuqe. Por vijat e kuqe nuk zhduken me procedurë. As me hi syve shqiptarëve, BE-së dhe SHBA-së."

Me firmën e Edi Ramës, Ulsi Manjës dhe Taulant Ballës, socialistët dorëzuan sot në Kuvend draftin me ndryshimet ligjore, përmes së cilit synohet që të mos lejohen më gjykatat të pezullojnë nga detyra ministrat, apo postet e tjera kushtetuese.

PS synon të prekë nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit, kryebashkiakut dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Në të do të shtohen edhe Presidenti, Kryeministri, zv.kryeministri, ministrat, Avokati i Popullit, Kreu i KLSH-së dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Ligji i ri që socialistët do të ndryshojnë i heq gjykatës vetëm të drejtën për pezullimin, pa prekur masat e tjera, që vazhdojnë të jenë të zbatueshme. Për pezullimin e pasaportës dhe masën detyrim paraqitje e një kryeministri apo ministri nuk ka nevojë as sot as pas ndryshimi për asnjë autorizim. Ndërsa për masat arrest në burg apo arrest në shtëpi, SPAK do i duhet edhe sot autorizimi i Kuvendit.