Një draft që nuk garanton aftësinë reale të shtetit për të zbuluar veprat penale, për të mbledhur dhe ruajtur provat, për të identifikuar autorët dhe për të mbrojtur viktimat dhe interesin publik. Kështu e cilëson Shoqata e Prokurorëve të Republikës projektligjin me 105 ndryshime të Kodit të Procedurës Penale të prezantuar të mërkurën nga qeveria.

Në një reagim të parë, duke paralajmëruar se do të kenë një analizë të plotë nen për nen të draftit, prokurorët thonë se bëhet fjalë për ndërhyrje të përmasave të tilla që prekin themelet e hetimit penal, balancën ndërmjet subjekteve procedurale, si dhe vetë funksionalitetin e sistemit.

“Ndërhyrje të përmasave të tilla, që prekin themelet e hetimit penal, balancën ndërmjet subjekteve procedurale, si dhe vetë funksionalitetin e sistemit të drejtësisë penale, duhet të mbështeten në një analizë të qartë të problemeve të konstatuara në praktikë dhe në një vlerësim të plotë të ndikimit të ndryshimeve të propozuara", thuhet në letër.

Këto ndryshime sipas përfaqësuesve të akuzës në vend që të rrisin efektivitetin e ndjekjes penale dhe garantimin e drejtësisë, rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat, të ngadalësojnë ndjeshëm zbulimin e veprave penale, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe të kufizojnë ndjeshëm informimin publik, duke cenuar interesin publik dhe besimin e qytetarëve te drejtësia.

Për ngadalësimin e zbulimit të krimeve, prokurorët i referohen disa ndryshimeve që lidhen me kufizimin e kompetencave dhe mjeteve gjatë hetimit, sidomos në drejtim të të kërkimit të provës. Drafti kërkon që i hetuari të njihet me provat në çdo hap të hetimit, edhe gjatë hetimeve papraprake. Vendosen kufizime në afate dhe hapësirë për sekuestrimet, kontrollet, përgjimet dhe përdorimin e provave të tjera.

“Një pjesë e konsiderueshme e dispozitave, në vend që të rrisin efektivitetin e ndjekjes penale dhe garantimin e drejtësisë penale, rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat mes subjekteve procedurale, të ngadalësojnë ndjeshëm zbulimin e veprave penale, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar", thuhet në letër. 

Report Tv kontaktoi me shoqatën e prokurorëve e cila në këtë drejtim tha se neni që përcakton se prova duhet t’i vihet në dispozicion personit që hetohet që në faza të hershme mund ta dëmtojë dosjen, sidomos kur në çështje ka shumë persona të tjerë që dalin nga dokumentet. Madje problem mund të jetë edhe në rastet e skuadrave të përbashkëta të hetimit me shtete e tjera, ku partnerët mund të frenohen të shkëmbejnë informacion.

Sa i përket nenit që sanksionon se prokurori duhet të gjejë edhe prova që shfajësojnë të akuzuarin, pra të vërtetën, Shoqata e cilëson të panevojshëm dhe të nisur nga mosbesim ndaj prokurorit pasi edhe aktualisht ai ka detyrimin për të grumbulluar të gjithë provat që tregojnë njësoj si fajësinë, ashtu edhe pafajësinë e personit.

Në vijim prokurorët përmendin si shqetësime kryesore për draftin çështje të tilla si copëzimi i kompetencave që lidhen me hetimin, ndërlikim dhe humbje e efikasitetit të hetimeve paraprake. Marrjen e një roli parësor të gjykatave për prokurorët është krijim i një lloj “gjyqtari hetues” por pa i kaluar atij përgjegjësi për hetimin, pasi kjo përgjegjësi i lihet sërish gjyqtarit.

“Përndryshe krijohet një lloj “gjyqtari hetues fragmentar”, pa u ndërtuar një model i mirëfilltë i gjyqtarit hetues dhe pa u transferuar tek ai përgjegjësia e plotë për hetimin. Një shembull i zhvendosjes së kompetencave tipike hetimore të prokurorit drejt gjykatës është detyrimi që çdo sekuestrim të bëhet paraprakisht përmes kërkesës në gjykatë. Kjo rrezikon të ngadalësojë efektivitetin dhe dinamikën e procesit hetimor, si dhe për më tepër, duket tërësisht i panevojshëm, në kushtet kur edhe aktualisht, personi, të cilit i sekuestrohet një send ka të drejtën e ankimit në gjykatë”, thuhet në reagim. 

Sipas avokatëve shqetësim madhor edhe kufizimi i masave të sigurimit personal, duke e bërë pothuajse të pamundur në shumë raste shmangien e rrezikut të prishjes së provave, shmangien e rrezikut të arratisjes, si dhe parandalimin e rrezikut të kryerjes së veprave penale nga i njëjti person.

Edhe neni që ndalon prokurorët të dalin jashtë objektit të kallëzimit apo hetimit të regjistruar rrezikon të cenojë hetimet proaktive dhe zbulimin e veprave të lidhura.

“Regjistrimi i faktit të ri penal duhet të bëhet pa vonesë, sikurse ndodh edhe aktualisht në praktikë, por formulimi fillestar i kallëzimit nuk mund të shndërrohet në kufi absolut të ligjshmërisë së veprimeve hetimore, kur vetë hetimi zbulon fakte të reja të lidhura. Prokurori ka si atribut dhe detyrim ligjor kryerjen e hetimeve sa më të plota e të gjithanshme për çdo procedim penal dhe nëse nga thellimi i  hetimeve zbulohen vepra të reja penale, nuk mund të ketë asnjë ndalim që ky procedim penal ose çdo procedim i lidhur të mos ndiqet nga i njëjti prokuror”, thuhet në reagim.

Prokurorët flasin për transpozim mekanik dispozitash nga vendet e tjera, pas pasur parasysh të gjithë kuadrin arkitekturën institucionale shqiptare, që nga Kushtetuta që ia ngarkon prokurorit drejtimin dhe përgjegjësinë e hetimit.

Reagimi i plotë i Shoqatës së Prokurorëve

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të nismës ligjore të prezantuar nga Këshilli i Ministrave, për një sërë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, e konsideron të domosdoshme, që në ushtrim të veprimtarisë së saj, të shprehë këtë qëndrim zyrtar si vijon. Së pari, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë mbështet në parim çdo nismë ligjore që synon përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale, përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe të vendeve anëtare të saj, si dhe forcimin e garancive për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Mbrojtja e të drejtave të personit nën hetim dhe të pandehurit nuk është pengesë për drejtësinë penale, por kusht themelor i saj. Në të njëjtën kohë, një procedurë penale demokratike duhet të garantojë edhe aftësinë reale të shtetit për të zbuluar veprat penale, për të mbledhur dhe ruajtur provat, për të identifikuar autorët dhe për të mbrojtur viktimat dhe interesin publik.

Një kod procedural ka nevojë për stabilitet të mjaftueshëm që institucionet ta zbatojnë në mënyrë të njëtrajtshme, që praktika gjyqësore të konsolidohet, që Gjykata e Lartë të mund të zhvillojë funksionin e saj njësues dhe që profesionistët e sistemit të krijojnë standarde të qëndrueshme pune. Prandaj, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit procedural penal krijojnë, në vetvete, një problem të sigurisë juridike dhe të parashikueshmërisë së zbatimit të ligjit. Shoqata e Prokurorëve vlerëson se ndërhyrje të përmasave të tilla, që prekin themelet e hetimit penal, balancën ndërmjet subjekteve procedurale, si dhe vetë funksionalitetin e sistemit të drejtësisë penale, duhet të mbështeten në një analizë të qartë të problemeve të konstatuara në praktikë dhe në një vlerësim të plotë të ndikimit të ndryshimeve të propozuara.

Gjithashtu, procesi i konsultimit publik duhet të jetë real, gjithëpërfshirës dhe me kohën e nevojshme për vlerësimin të efektit ndryshimeve mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë penale. Nga analiza paraprake e projekt-ndryshimeve të prezantuara, konstatojmë me shqetësim se një pjesë e konsiderueshme e dispozitave, në vend që të rrisin efektivitetin e ndjekjes penale dhe garantimin e drejtësisë penale, rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat mes subjekteve procedurale, të ngadalësojnë ndjeshëm zbulimin e veprave penale, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe të kufizojnë ndjeshëm informimin publik, duke cenuar interesin publik dhe besimin e qytetarëve te drejtësia.

Në mënyrë të veçantë, konstatohet një prirje për kufizim të kompetencave dhe mjeteve të kërkimit të provës në dispozicion të prokurorit gjatë fazës së hetimeve, duke vendosur barriera procedurale për sekuestrimet, kontrollet, përgjimet dhe përdorimin e provave të tjera. Ky kufizim vlerësohet si i pajustifikuar, teksa prokurori në Republikën e Shqipërisë (si në shtete të tjera të BE-së me sistem të ngjashëm magjistrature), është magjistrat, i pavarur në ushtrimin e funksionit, si dhe ka kurdoherë detyrimin për të grumbulluar të gjithë provat që tregojnë njësoj si fajësinë, ashtu edhe pafajësinë e personit. Në këtë kuptim, çdo ndryshim duhet të niset nga kjo premisë dhe jo nga një mosbesim i përgjithësuar ndaj funksionit të prokurorit. Projektligji ndërthur institute dhe zgjidhje të marra nga modele të ndryshme procedurale, pa qenë gjithmonë e qartë filozofia unifikuese e tyre.

Një dispozitë nuk mund të transpozohet mekanikisht nga një sistem ku hetimin e drejton një organ tjetër, ku prokurori mund të ketë status dhe funksion të ndryshëm ose ku ekziston një gjyqtar hetues me kompetenca të plota, dhe të vendoset në një sistem ku Kushtetuta dhe Kodi ia ngarkojnë prokurorit drejtimin dhe përgjegjësinë e hetimit. Krahasimi me legjislacionet e shteteve të tjera është i dobishëm vetëm kur është funksional dhe merr në konsideratë të gjithë arkitekturën institucionale të sistemit nga i cili merret zgjidhja, si statusin e prokurorit, rolin e gjykatës në hetim, mënyrën e formimit të provës, strukturën e dosjes, momentin e kontradiktoritetit, mjetet e ankimit dhe përgjegjësinë institucionale. Përndryshe, bashkimi selektiv i instituteve të sistemeve të ndryshme rrezikon të prodhojë një model procedural atipik, të paqartë dhe me qendra të fragmentuara përgjegjësie. Psh., ndërsa nga njëra anë importohen disa institute të Kodit italian (hetimet e mbrojtjes, retrodatimi i regjistrimit, “pritshmëria e arsyeshme për dënim”), nga ana tjetër konstatohet largim nga vetë modeli italian lidhur me vleftësimin e kontrollit dhe sekuestros nga prokurori. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se çdo reformë duhet të avancojë më tej standardet e vendosura tashmë me Reformën në Drejtësi.

Vetë Analiza e Sistemit të Drejtësisë e vitit 2015, që i parapriu Reformës në Drejtësi nuk propozoi rrëzimin e modelit prokurorial të hetimit. Ajo identifikoi në atë kohë probleme të qartësisë së rolit të prokurorit, mënyrës së organizimit të prokurorisë si një organ i centralizuar, afateve procedurale, kontrollit të hetimeve, gjykimit në mungesë, eficiencës dhe sistemit të ankimeve. Në këtë analizë u theksua se ndjekja penale duhet të ushtrohet nga prokurori, se hetimet paraprake janë faza ku mblidhen të dhënat dhe zbatohen mjetet e kërkimit të provës, dhe se gjykata ka rol kontrollues për ndërhyrjet më të rënda.

Pra, diagnoza ishte për përmirësim të ekuilibrit dhe garancive, jo për heqjen e prokurorit nga qendra e hetimit. Pikërisht pas kësaj analize, u bënë ndërhyrjet në Kodin e Procedurës Penale, të hyra në fuqi në vitin 2017, të cilat kishin si objektiv të deklaruar njëkohësisht fuqizimin e rolit të prokurorit gjatë hetimeve dhe kontrollin gjyqësor të veprimeve të tij. Decentralizimi i prokurorisë u shoqërua me krijimin e gjyqtarit të seancës paraprake si mekanizëm kontrolli. Kjo tregon se ligjvënësi i reformës e konceptoi pavarësinë e prokurorit dhe kontrollin gjyqësor si elemente plotësuese, jo si alternativa që përjashtojnë njëra-tjetrën.

Çështjet kryesore për të cilat Shoqata e Prokurorëve shpreh shqetësim:

• Copëzimi i kompetencave që lidhen me procesin hetimor, ndërlikimi procedural dhe humbja e efikasitetit të hetimeve paraprake. Vendosja e barrierave të shumta procedurale për mjetet e kërkimit të provave krijon një proces të ngadaltë, të fragmentuar dhe joefektiv, në kundërshtim me nevojën për reagim të shpejtë dhe proporcional në hetimet penale. Prokurori vijon të mbajë përgjegjësinë për plotësinë dhe drejtimin e hetimit, por njëkohësisht i kufizohen instrumentet operative për ta realizuar atë. Kontrolli gjyqësor është garanci e ligjshmërisë dhe e të drejtave, por ai nuk duhet të shndërrohet mekanikisht në bashkëadministrim të veprimeve tipike të hetimit. Përndryshe krijohet një lloj “gjyqtari hetues fragmentar”, pa u ndërtuar një model i mirëfilltë i gjyqtarit hetues dhe pa u transferuar tek ai përgjegjësia e plotë për hetimin. Një shembull i zhvendosjes së kompetencave tipike hetimore të prokurorit drejt gjykatës është detyrimi që çdo sekuestrim të bëhet paraprakisht përmes kërkesës në gjykatë. Kjo rrezikon të ngadalësojë efektivitetin dhe dinamikën e procesit hetimor, si dhe për më tepër, duket tërësisht i panevojshëm, në kushtet kur edhe aktualisht, personi, të cilit i sekuestrohet një send ka të drejtën e ankimit në gjykatë.

• Cenimi i sekretit hetimor përmes detyrimit për vënien në dispozicion të personit nën hetim apo të pandehurit të të gjithë provave që lidhen me procedimin, që në fazat e hershme të tij, çka mund të rrezikojë efektivitetin e hetimit, sidomos në çështjet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe hetimet proaktive. Barazia e armëve nuk duhet të kuptohet si simetri absolute informacioni në çdo moment të hetimit. Aksesi duhet të jetë proporcional dhe efektiv për ushtrimin e mbrojtjes, sipas fazës së procedimit, objektit dhe rrezikut konkret për provën.

• Kufizimi i masave të sigurimit personal, duke e bërë pothuajse të pamundur në shumë raste shmangien e rrezikut të prishjes së provave, shmangien e rrezikut të arratisjes, si dhe parandalimin e rrezikut të kryerjes së veprave penale nga i njëjti person. Gjithashtu, vendosja e kritereve të atilla që kufizojnë ndjeshëm diskrecionin dhe vlerësimin e gjykatës sipas rastit konkret, përbën në vetvete cenim të pavarësisë së saj. Në këtë pikë, është e domosdoshme që çdo ndryshim ligjor të shoqërohet me një studim cilësor e real të gjendjes aktuale dhe jo të bazohet në paragjykime dhe shifra të nxjerra jashtë kontekstit specifik.

• Synimi për të kufizuar thellimin dhe zgjerimin e hetimit përtej objektit fillestar të procedimit penal dhe veprës së regjistruar rrezikon të cenojë hetimet proaktive dhe zbulimin e veprave të lidhura. Regjistrimi i faktit të ri penal duhet të bëhet pa vonesë, sikurse ndodh edhe aktualisht në praktikë, por formulimi fillestar i kallëzimit nuk mund të shndërrohet në kufi absolut të ligjshmërisë së veprimeve hetimore, kur vetë hetimi zbulon fakte të reja të lidhura. Prokurori ka si atribut dhe detyrim ligjor kryerjen e hetimeve sa më të plota e të gjithanshme për çdo procedim penal dhe nëse nga thellimi i hetimeve zbulohen vepra të reja penale, nuk mund të ketë asnjë ndalim që ky procedim penal ose çdo procedim i lidhur të mos ndiqet nga i njëjti prokuror. Përndryshe, copëzimi i procedimeve penale, në një kohë që faktet penale mund të jenë të ndërvarura dhe të lidhura me njëri-tjetrin, përbën një rrezik për efektivitetin dhe suksesin e hetimeve për zbulimin e së vërtetës.

Shtimi i ndjeshëm i sanksioneve taksative që lidhen me papërdorshmërinë e provave dhe me pavlefshmërinë e akteve kërkon rishikim. Pavlefshmëria dhe papërdorshmëria nuk duhet të jenë pasoja automatike për çdo mosrespektim formal, por ato duhet të lidhen me natyrën e normës së shkelur, rëndësinë e cenimit, ndikimin mbi integritetin e provës ose ushtrimin efektiv të mbrojtjes, standarde këto të vendosura nga jurisprudenca ndër vite.

• Përzierja e pasojave procedurale me përgjegjësinë civile, disiplinore ose penale të subjekteve procedurale. Kodi i Procedurës Penale ka për objekt rregullimin e procedimit penal, kompetencave të subjekteve procedurale, mënyrës së ushtrimit të të drejtave, formimit dhe përdorimit të provës dhe pasojave procedurale të shkeljes së normave të tij. Ai nuk duhet të krijojë një regjim autonom ose paralel të përgjegjësisë disiplinore të magjistratëve. Përgjegjësia disiplinore është pjesë e statusit të magjistratit dhe rregullohet nga kuadri kushtetues dhe ligji organik, i cili përcakton shkeljet, kriteret e përgjegjësisë, procedurën, organet kompetente dhe garancitë e magjistratit. Për rrjedhojë, një shkelje e një norme procedurale mund të përbëjë fakt relevant për përgjegjësinë disiplinore vetëm kur, në mënyrë autonome, plotësohen kushtet e parashikuara nga legjislacioni disiplinor. Ajo nuk duhet të barazohet automatikisht me shkelje disiplinore vetëm për shkak të formulimit në Kodin e Procedurës Penale.

Përsa më lart, kërkojmë transparencë të plotë mbi procesin e inicimit të kësaj nisme ligjore, duke përfshirë publikimin e analizave dhe studimeve mbi të cilat janë mbështetur ndryshimet, si dhe zhvillimin e një procesi konsultimi publik real, me përfshirjen e përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, magjistratëve, avokatisë, akademisë dhe shoqërisë civile. Në këtë kuadër, Shoqata e Prokurorëve mbetet e angazhuar për të kontribuar me ekspertizë profesionale në ndërtimin e një sistemi procedural penal modern, efikas dhe në përputhje me standardet më të mira europiane dhe thekson se çdo reformë duhet të avancojë më tej standardet e vendosura me Reformën në Drejtësi, duke korrigjuar aty ku është e nevojshme, por pa cenuar funksionimin efektiv, sigurinë juridike dhe ekuilibrin kushtetues të sistemit të drejtësisë penale.