Ndryshimi i KQZ-së, Ashton në
Tiranë: BE e shqetësua

Ndryshimi i KQZ-së, Ashton në<br />Tiranë: BE e shqetësua
TIRANE - Disa orë pas thyerjes së rëndë diplomatike që ndodhi dje në Parlament kur Berisha, duke injoruar të gjitha thirrjet ndërkombëtare, vendosi të thyejë kodin elektoral dhe të modifikojë përbërjen e KQZ pak javë para zgjedhjeve, Baronesha Ashton përcjell në Tiranë shqetësimin e Brukselit lidhur me pasojat e këtij votimi.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë dhe Zëvendespresidente e Komisionit Europian i kërkon politikës shqiptare  të garantojë zgjedhje të lira sipas standarteve të BE. Ajo thotë se të gjithë krahët politik kanë përgjegjësi, për të siguruar zgjedhje sipas standarteve dhe pret nga politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm;  presidenti duhet të luajë rol moderues dhe BE kërkon një proces zgjedhor të besueshëm, veçanërisht për votuesit.

Kryeministri Berisha sfidoi mbrëmë ndërkombëtarët dhe për më tepër SHBA, teksa, përkundër thirrjeve të tyre ndërmori rrëzimin e anëtarit të KQZ, Ilirjan Muho, përfaqësues të ish-aleatit të tij Meta në qeverisje, për të emëruar në vendin e tij përfaqësuesin e aleatit traditcional, PR.

Pas 12 orë debatesh, PD me votat e ish-socialistëve, Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, (gjithsej 73) siguroi shkarkimin nga detyra të anëtarit të LSI-së në KQZ.

Shqetësimin e Brukselit, i cili u bë publik dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp u bë i qartë krerëve kryesorë të shtetit, gjatë takimeve që Baronesha Ashton zhvilloi paraditen e sotme.

Ashton u takua me presidentin Bujar Nishani , kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama. Kjo është vizita e 0parë e Ashton në Shqipëri dhe zhvillohet në kuadër të një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor.  Përveç presidencës, kryeministria dhe as selia PS deri në orën 14:00 nuk zbardhën ndonjë njoftim në lidhje me takimet e zhvilluara.

ORA 13:30 NDRYSHIMI I KQZ, ASHTON: BE E SHQETESUAR, 
“Jam e gëzuar që vizitoj Tiranën sot. Kam takuar Presidentin Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama me të cilët pata diskutime të hollësishme. Vizita ime ndodh sot një ditë pas diskutimeve të nxehta në parlament për përgatitjen e zgjedhjeve. I kemi ndjekur nga afër këto diskutime dhe sot e kam bërë të qartë pozitën time për të gjitha palët. Për BE është rëndësi thelbësore që zgjedhjet parlamentare të këtij viti jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare evropiane do ishte një test për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit dhe ecurinë e Shqipërisë drejt BE- së.

Dje ne shprehëm publikisht shqetësimin tonë për pasojat e mundshme të votimit në parlament tek besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor. Është përgjegjësi e të gjithë politikanëve të sigurojnë pavarësinë e institucioneve. Duhet të ketë besim në këtë proces. BE është e angazhuar për të monitoruar dhe mbështetur një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm të bazuar në standardet evropiane dhe ndërkombëtare."

ASHTON: LUFTONI KORRUPSIONIN E KRIMIN E ORGANIZUAR

Ashton u ndal dhe tek procesi i integrimit duke i kërkuar të luftojë korrupsionin. 
"Progresi drejt rrugës në Bashkimin Evropian është në duart tuaja. Kushtet për progres janë dialogu i mirëfilltë dhe konstruktiv mes partive dhe vullneti për të gjetur kompromiset. Ne kemi nevojë të shohim historik të qëndrueshëm veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe luftën ndaj krimit të organizuar siç është thënë në konkluzionet e BE-së vazhdimisht. Komisioneri Fyle për të cilin kam respekt të veçantë është tërësisht i angazhuar për t' ju ndihmuar ju në axhendën e reformave dhe ka mbështetjen time të plotë. "- tha Ashton në prononcimin e shkurtër për shtyp të zhvilluar në hotel "Sheraton" ku u zhvillua dhe takimi me kreun e PS-së Edi Rama.

ASHTON: SHMANGNI DEKLARATAT NACIONALISTE

Baronesha Ashton u ndal dhe tek deklaratat nacionaliste, dhe kërkoi që Shqipëria të vijojë rolin e saj kontruktiv në rajon.
“Më lejoni të them pak fjalë për rolin e Shqipërisë në rajon. Natyrisht në mënyrë që të ruhet roli konstruktiv duhet shmangur përdorimi i diskursit nacionalist. Shqipëria duhet të vazhdojë rolin e saj tradicional në rajon. Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj për të stabilizuar dhe për të bërë që ky rajon të ecë përpara. Besoj që Shqipëria e ka kapicitetin që të trajtojë këto sfida dhe të ecë përpara. Mesazhi im është për mbështetje por edhe i një pritshmërie të lartë” mbylli fjalën e saj Ashton.

ORA 11:45 BARONESHA ASHTON TAKOHET ME KRYEMINISTRIN BERISHA

Baronesha Catherine Ashton është pritur sot nga Kryeministri Berisha, i cili e vlerësoi vizitën e parë të baroneshës Ashton si një vizitë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe një kontribut i çmuar në marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe një shprehje e qartë e angazhimit dhe mbështetjes së BE-së për përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE.

Burimet zyrtare nga Kryeministria bënë të ditur se baronesha Ashton e falenderoi kryeministrin dhe vuri në dukje se "jam sot, këtu, për t’ju shprehur drejtpërsëdrejti juve zoti Kryeministër, vendosmërinë e BE-së dhe timen personalisht, për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ne besojmë fuqishëm se e ardhmja e Shqipërisë është e mbetet Bashkimi Europian,”- u shpreh zonja Ashton.

Në përgjigjen e tij, Kryeministri Berisha e siguroi zonjën Ashton se për të dhe për qeverinë shqiptare, anëtarësimi i Shqipërisë në BE, marrja e statusit të vendit kandidat dhe të gjitha hapat e tjera të lidhura me këtë proces janë dhe mbeten prioritet absolut i punës së qeverisë dhe i programit të Partisë Demokratike dhe koalicionit për katër vitet e ardhshme, si projekti më madhor dhe si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt e qytetarëve shqiptarë.

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të falenderuar zonjën Ashton edhe për kontributin e saj thelbësor e jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin e negociatave midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Kryeministri Berisha e siguroi zonjën Ashton se qeveria shqiptare është e vendosur që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, konform standardeve ndërkombëtare. Korniza ligjore, e përmirësuar mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe e bazuar tërësisht në sugjerimet e opozitës, sistemi i saktë dhe transparent i numërimit, si dhe rritja e numrit të qendrave të votimit dhe numërimit, për shkurtimin drastik të kohës së votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve janë garanci solide, e padiskutueshme, për një proces zgjedhor konform të gjitha standardeve ndërkombëtare. Kryeministri theksoi gjithashtu se ruajtja e parimit themelor të Kodit Zgjedhor të balancimit të KQZ-së dhe komisioneve të tjera dhe integritetit të anëtarëve të KQZ-së dhe administratës zgjedhore është një garanci vendimtare për një proces në përputhje me ligjin, që siguron besimin e të gjitha palëve.

ORA 11:00 TAKIMI I ASHTON ME PRESIDENTIN NISHANI: JI MODERUES
Takimi në Presidencë zgjati rreth 45 minuta, nga ora 11:00-  11: 45. Pas takimit zyra e shtypit e presidencës informoi se përfaqësuesja e lartë e BE-së "kërkon që  të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit."

"Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër. "- informon zyra e shtypit e presidencës duke shtuar se të dy bashkëbiseduesit ishin në një mendje se, Presidenti i Republikës mund të luajë një rol moderues dhe të përcjellë mesazhe të nevojshme gjatë dhe pas procesit elektoral në përputhje me statusin e tij institucional.

Nga ana e tij "Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve."

Lidhur me procesin e integrimit në BE, Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Catherine Ashton citohet të ketë nënvizuar se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen. 

Nga ana e tij Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e Baroneshës Ashton për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe veçanërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe e garantoi se politika e Shqipërisë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon mbetet e pandryshuar.

TAKIMET  SOTME

Axhenda e Baroneshes Ashton nisi në orën 11:00 kur eskorta mbërriti në ambientet e Presidencës për të zhvilluar takimin me dyer te mbyllura me presidentin Nishani. Takim zgjati rreth 45 minuta. Pas këtij takimi diplomatja e lartë i është drejtuar ambienteve të kryeministrise ku u prit nga vetë kreu i qeverisë Sali Berisha në ambientet e Jashtme të Kryeministrisë. Pas takimit me kreun e ekzekutivit në orën 12:30 Baronesha Ashton e shoqëruar nga Ambasadori i BE-së Ettore Sequi zhvilloi takim me liderin e opozitës Edi Rama duke përmbyllur kështu axhendën e saj. Takimi me kryesocialistin zgjati për rreth një orë ndonëse ishte parashikuar të zgjaste rreth 40 min. Në këtë tryeze zoti Rama ishte i shoqëruar edhe nga kryetari i Komisionit të Integrimit Ditmir Bushati si edhe nga deputetja Olta Xhaxhka.

NESER NE TIRANE DIPLOMATI AMERIKAN
Tiranën do ta vizitojë nesër edhe diplomati amerikan, Jonathan Moore, së bashku me dy raporterët e Këshillit të Europës për Shqipërinë, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco. Moore është drejtori i Drejtorisë për Euroazinë, në DASH. Ndërkohë BE ka shprehur shqetësimin e tij të përbashkët me atë të partnerëve europianë, për pasojat e mundshme të votimit në Kuvend për zëvendësimin e komisionerit të majtë në KQZ. “Bashkimi Evropian, shpreh shqetësimin dhe ndan shqetësimet e partnerëve të tjerë, lidhur me pasojat e mundshme të një votimi me pasojat e mundshme të një votimi në Parlament, tek besimi i njerëzve tek besimi elektoral. Të gjithë krahët politik kanë përgjegjësi, për të siguruar natyrën e paanshme të administratës elektorale”, thuhet në deklaratën e BE.

ashton nishani
(Foto nga takimi Ashton - Nishani në Presidencë)

Redaksia Online
(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë