Në të vërtetë, nëse kërkojmë në historinë tonë të lirisë e të tranzicionit, ka pak gra që çorientojnë sistemin e ngurtësuar të pushtetit maskilist. Janë disa shembuj grash ndryshe, të cilat brenda sistemit, partisë, institucionit, në momente kritike, të rëndësishme për të marrë një pozicion kundër rrymës kanë ndalur, reflektuar dhe janë shprehur me kokën, idetë, mendimet e tyre, duke pasur në mendje besoj të vërtetën e të mirën e përgjithshme, përtej barrikadës, apo pozicionit të fituar.

Rudina Hajdari, përpos mbiemrit të babait, të nënës, të familjes, është një grua që mesa duket është rritur në mikroklimën e duhur, me lirinë e duhur, dijen e duhur për të qenë vetvetja. Dhe kjo është vlera më e madhe dhe kultivimi më i çmuar për një individ në një shoqëri ende, plotësish të emancipuar.

Ina Rama, ish-kryeprokurore e anatemuar pas ngjarjeve të 21 Janarit 2011, tregoi se ishte "lulëzim" i të njëjtës kulturë që i lejon gruas, njeriut të gjejë forcën e duhur për të kapërcyer masën, fisin, partinë, klanin e për t'u shprehur me të tjera parametra,  me të cilët si shoqëri ende nuk jemi mësuar. Kujtojmë të gjithë ashpërsinë e një pjese të mjedisit politik ndaj saj e në mendje na vijnë të tjera gra shqiptare, disa në Drejtësi.

Në kohët europiane e gati globale të populizmit, kur njerëzit flasin e veprojnë në bazë të "like" (pëlqimeve) që do të kenë në rrjete sociale, apo votave në parti, a zgjedhje, të dëgjosh e të shohësh individë, gra, në Shqipëri, që veprojnë ndryshe, të ndërgjegjshme për llumin dhe agresivitetin verbal që do të rrëkehet përsipër tyre, është e rrallë dhe shpresëdhënëse.

Nuk mund të shpjegohet me fjalë se ç'do të thotë veprimi i Rudina Hajdarit për shoqërinë shqiptare sot. Nuk mund të tregohet sot me fjali e as debate veprimi i saj, por e sigurtë është, si ato ilaçet e gjeneratave më të fundit, ndikimi në përmirësimin e parametrave të lirisë dhe të përgjegjësisë individuale, do të jetë i ngadaltë, por i pandalshëm.

Rezistenca e Ina Ramës vite më parë, ishte si dritëza e kuqe e një alarmi për Drejtësinë shqiptare të rënë në humnerën e humnerave.

Rezistenca e Rudina Hajdarit sot, është si një dritë e kuqe për rrezikun e shfarosjes së një opozite të drejtë, të shëndetshme, inteligjente dhe të domosdoshme për shoqërinë tonë qytetërimdashëse.

Veprimet e grave të reja e të forta shqiptare, nuk mund të mos japin efektin e tyre afatgjatë, pavarësisht rezistencës, ofendimeve, përjashtimeve.