Ndryshon ligji/ Anëtarët e forumeve të partive deri tek diplomatët dhe bordet shtetërore do mbikëqyren për pastrim parash, lista e re dhe masat e forta

TIRANË-Kuvendi do të ndryshojë për të pestën herë ligjin e vitit 2008 për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, në kuadër të intensifikimit të luftës nga qeveria kundër pastrimit të parave të pista në Shqipëri. Projektligji i miratuar nga qeveria në mbledhjen e 22 shtatorit ndryshon në mënyrë radikale ligjin në fuqi, i ndryshuar për herë të fundit në qershor të vitit 2019.

Për herë të parë janë përfshirë në rrethin e “personave të ekspozuar politikisht”, pra që do të jenë nën monitorim për pastrim parash, edhe anëtarët të organeve drejtuese të partive politike (kupolat e partive), anëtarët e bordeve të bankave qendrore, të ngarkuarit me punë në ambasada, oficerët madhor të ushtrisë, jo vetëm drejtorët por edhe anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve shtetërore dhe çdo përfaqësues i organizatave ndërkombëtare. Nën monitorim si persona me risk do të jenë edhe familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e këtyre personave. Këta persona do të keni statusin e të ekspozuarit politikisht për pastrim parash deri në 3 vjet pas largimit nga detyra.

Për herë të parë subjekte të ligjit kundër pastrimit të parave do të shtohen edhe individët që tregojnë mallra apo kryejnë një shërbim duke pranuar pagesa prej 1 milionë lekë dhe më shumë, si dhe audituesit ligjorë, kontabilistët e miratuar dhe këshilltarët tatimorë.

Krahas vigjilencës së zakonshme së zgjeruar ndaj personave me risk, për herë të parë është përcaktuar detyrimi për ndjekjen e një protokolli të veçantë nga bankat dhe çdo subjekt tjetër kur përfshihen në një marrëdhënie biznesi apo transaksion me njerëz që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin në vende me risk të lartë për pastrimin e parave. Subjektet në Shqipëri, për herë të parë, kanë të drejtë të bllokojnë një person të themelojë degë apo të hapë zyra në Shqipëri, vetëm sepse ai ushton aktivitetin në një vend i shpallur me risk të lartë.

Ndryshimet, parashikojnë gjithashtu që Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk mund të refuzojë shkëmbimin e informacionit me agjencitë homologe të huaja, duke përjashtuar rrethanat e jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, është përfshirë detyrimi i organeve ligjbatuese shqiptare për të informuar drejtorinë çdo 6 muaj për rezultatin e hetimeve bazuar në informacione që ka dërguar Drejtoria e për Parandalimin e Pastrimit të Parave.

Që në shkurt të vitit 2020, Shqipëria është përfshirë në listën gri sa i takon pastrimit të parave, duke u vendosur kështu nën monitorim të zgjeruar. Shqipëria kishte dalë nga kjo listë që në vitin 2015. Për t’u rikthyer në zonën jeshile, autoritetet shqiptare duhet të zbatojnë disa masa të forta, të cila monitorohet nga organizmat e Brukselit.

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?