Ndërron jetë Sabah Bizi, legjenda e futbollit shkodran dhe Kombëtares! Vllaznia homazhe në stadiumin 'Loro Boriçi'

Ndërron jetë Sabah Bizi, legjenda e futbollit shkodran dhe Kombëtares! Vllaznia homazhe në stadiumin 'Loro Boriçi'

Sabah Bizi

SHKODËR - Futbolli shqiptar në zi. Legjenda e futbollit shkodran, Sabah Bizi ka ndërruar jetë këtë të enjte në moshën 77-vjeçare. “Nderi i Kombit” ka lënë pas një karrierë të ndritshme në futboll, si me Vllazninë ashtu edhe me Kombëtaren. KF Vllaznia dhe Bashkia Shkodër në nderim të ish-futbollistit të madh dhe “Nderit të Kombit”, do të organizojnë homazhe në hollin e stadiumit ‘Loro Boriçi’ nesër (e premte) nga ora 10:00 deri në orën 15:00.

Bizi, fitues i titujve kampionë dhe kupave me bluzën e Vllaznisë dhe Flamurtarit, debutoi në moshën 17-vjeçare në futbollin shqiptar. Gjatë karrierës së tij, Sabah Bizi ka qenë një nga figurat kryesore të kombëtares shqiptare në mesin e fushës, teksa të gjithë mbajnë mend përballjen e vitit 1967 me Gjermaninë (0-0) dhe duelin e tij me të madhin Beckenbauer, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç.

Ngushëllime për ndarjen nga jeta të Bizit kanë shprehur shumë figura sportive dhe politike. Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci dhe presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi kanë reaguar dhe ngushëlluar familjen për këtë humbje. Ngushëllime edhe nga kreu i FSHF-së, Armand Duka.

Kush ishte Sabah Bizi

Ai ka lindur në Shkodër më 26 janar 1948. Duke patur shtëpinë pranë stadiumit, aty u dashurua shumë shpejt me futbollin. Vitet kalonin dhe së bashku me të dhe dëshira e tij për t’u marrë me këtë sport magjik që pastaj u kthye në pasionin e jetës së tij. Shumë shpejt do te bëhej pjesë e ekipeve zinxhir të Vllaznisë me trajnerin e mirënjohur Xhelal Juka. Ka luajtur shumë pak me këtë skuadër sepse u inkuadrua me ekipin e parë të Vllaznisë.

Që në vitin 1965 u aktivizua në të gjitha ndeshjet e Kupës së Republikës, madje në fund të këtij aktiviteti Vllaznia u shpall fituese e saj dhe Sabah Bizi la gjurmë në këtë sukses të ekipit shkodran. Që nga ai moment nuk ka munguar më në asnjë moment në fushat e blerta deri në moshën 34-vjeçare kur edhe ka lënë futbollin, pikërisht ne vitin 1982.

Për tre vjet me radhë nga viti 1965 deri në 1968, ka qenë pjestar i padiskutueshëm i formacionit të parë të Vllaznisë, ku për tre vjet ka qenë edhe fituesi i anketës së “5 sportistëve më të mirë të vitit”. Pa diskutim që në atë periudhë dy nga ekipet që po lulëzonin së bashku me Vllazninë e Tiranën ishin dhe Partizani dhe Dinamo.

Ato merrnin çdo lojtar që për ta ishte i domosdoshëm dhe padiskutim që Sabah Bizi ishte një nga fokuset e tyre në ato vitet. Viti 1968 ishte viti kur ekipi i Partizanit dhe futbolli ynë në tërësinë e tij po përballej me një nga kollosët e futbollit europian e atij botëror, futbollin italian dhe me një prej ekipeve më elitare siç ishte Torino.

Ekipi i Partizanit në prag të kësaj ndeshje merr dhe përforcimet e radhës. Një prej tyre do te ishte edhe Sabah Bizi si dhe Ramazan Rragami nga Shkodra dhe Teodor Vaso nga Skënderbeu.

Këta lojtarë sapo kishin kryer shërbimin ushtarak në këtë klub. Që nga ky moment Bizi mbeti tek ekipi i Partizanit për afro tre sezone. Që në vitet 1968- 1971 mbeti pjesë e kësaj skuadre duke kryer njëkohësisht dhe shërbimin ushtarak duke fituar me të dy tituj kampion dhe një Kupë të Republikës.

U rikthye te Vllaznia në vitin 1971 dhe do të luante me të deri në vitin 1982 kur do të mbyllte edhe karrieren sportive. Gjatë këtyre viteve do të shpallej edhe tre here te tjera kampion pikërisht në sezonet 1971-72, 1973-74 dhe 1977-78. Njëkohësisht do të fitonte edhe tre Kupa të tjera të Republikës, pikërisht në sezonet 1971-72, 1978-79 dhe 1980-1981.

Gjatë karrierës së tij, Sabah Bizi ka qenë një nga figurat kryesore të kombëtares shqiptare, teksa të gjithë mbajnë mend përballjen e vitit 1967 me Gjermaninë (0-0) dhe duelin e tij me të madhin Bekembauer, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç.

Por Bizi ndeshjen më të mirë me kombëtaren, konsideron atë me ekipin e Polonisë. Një takim i mbyllur në barazim 1-1. Ai nuk harron që asaj kohe në gjithë kolonat që gazeta “Sporti Shqiptar” kishte shkruar për këtë ndeshje, emri i tij ishte në të gjithë kolonat.

Për të ka qenë një ndeshje e madhe. Ka luajtur me shpirt nëpër dhëmbë. Ai nuk e harron se ishte afruar pranë të madhit, trajnerit Loro Boriçi dhe kërkonte me dy duar të vëna mbi ije që të ndërrohej. Por Boriçi i kërkonte të vazhdonte, i jepte kurajo, e duke i thënë se kishte ende forcë për të dhënë në fushë.

Dhe në minutat e fundit ka arritur të shmangë dy lojtarë, të marrë krahun deri në fundore dhe duke pritur të vinte ndonjë fanellë e kuqe e ka krosuar topin dhe Dini gjuajti me kokë dhe topi ra në shtyllë, aty erdhi dhe Çeço që shënoi golin e barazimit. Ky ka qenë një takim i paharruar për Sabah Bizin.

Pas lënies së futbollit, Sabah Bizi do të vazhdonte të ishte sërish pranë këtij sporti teksa ka drejtuar fillimisht ekipin e Veleçikut të Koplikut. Më pas ka qenë për pak kohë trajner i Vllaznisë, ku ka mbajtur më vonë edhe detyrën ë sekretarit të klubit, ndërsa ka arritur të punojë edhe shumë vite si trajner i moshave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:01
'Emër i madh', Armand Duka: Sabah Bizi la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit shqiptar


Legjenda e futbollit shqiptar, Sabah Bizi u nda nga jeta këtë të enjte në moshën 77-vjeçare. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka shprehu ngushëllimet për familjen dhe përmendi disa nga arritjet e Bizit në kohën kur fushat e blerta kishin në të një lojtar si ai.

Mesazhi i Dukës:

Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, Sabah Bizi, një emër i madh që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit tonë.

Si një ndër ikonat e Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, ai debutoi në futbollin shqiptar në moshë të re dhe u bë simbol i talentit dhe përkushtimit. Përballja e tij me Franz Beckenbauer në ndeshjen historike kundër Gjermanisë në vitin 1967, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç, është dëshmi e madhështisë së tij në fushën e blertë.

Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, Sabah Bizi fitoi tituj kampionë dhe kupa, duke i dhënë futbollit shqiptar momente krenarie dhe emocionuese. Edhe pas lënies së futbollit aktiv, ai i qëndroi pranë sportit të zemrës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e brezave të rinj si trajner dhe drejtues.

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetit të futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bizi, të afërmve dhe miqve të tij. Futbolli shqiptar humbi një legjendë të vërtetë, por trashëgimia e tij do të mbetet përjetë frymëzim për brezat e ardhshëm.

Pusho në paqe legjendë!

Ora 14:38
Sabah Bizi u nda nga jeta, presidenti i Vllaznisë: Shembull frymëzimi për brezat


Alban Xhaferi, presidenti i Vllaznisë së futbollit ka reaguar dhe ka shprehur ngushëllimet në lidhje me ndarjen nga jeta të legjendës Sabah Bizi. Shembull frymëzimi, kështu shprehet Xhaferi për ish-futbollistin kampion të Vllaznisë dhe Kombëtares i cili mbylli sytë këtë të enjte në moshën 77-vjeçare.

"Lamtumirë “Nderi i Kombit” Sabah Bizi! Legjenda e Vllaznisë tonë dhe e futbollit shqiptar, Sabah Bizi. Një shembull frymëzues për të gjithë brezat duke lënë pas një karrierë të ndritshme në futboll. FItues i titujve kampionë dhe kupave, ku debutoi në moshën 17-vjeçare në futbollin shqiptar.

Gjatë karrierës së tij, Sabah Bizi ka qenë një nga figurat kryesore të kombëtares shqiptare, teksa të gjithë mbajnë mend përballjen e vitit 1967 me Gjermaninë (0-0) dhe duelin e tij me të madhin Beckenbauer, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç. Në atë përballje, Bizi, pasi ishte i shtruar në spital për disa ditë me radhë, u kërkua nga trajneri Loro Boriçi të ngrihej nga shtrati për t’u përballur me Beckenbauer dhe duke eleminuar Gjermanine.

Dua t'i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të saj të dashur. I perjetshem qoftë kujtimi yt Mjeshtër", shkruan Xhaferi.

Ora 14:30
Ndarja nga jeta e Sabah Bizit, reagon Benet Beci: Lamtumirë mjeshtër, do mbetesh përgjithmonë në kujtesë


Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, Sabah Bizi. Ish-lojtari i Vllaznisë dhe Kombëtares u nda nga jeta këtë të enjte në moshën 77-vjeçare.

"Lamtumirë, Mjeshtër! Lajmi për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Sabah Bizi, është një ditë e trishtë jo vetëm për botën e sportit, por për të gjithë Shkodrën. Një emër që i dhuroi Shkodrës shumë trofe dhe lavdi. Emocionet që solli për tifozët e zjarrtë të Vllaznisë do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë", shkruan Beci.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 16/01/2025 14:02

    Pusho i qetë kampion!! 17 vjeç me kombëtaren!!;

    Përgjigju
    • Permall: 16/01/2025 14:44

      Mos iu harrofte emri, pushofte ne paqe!

  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Vlorës Ken Dhima

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Vlorës Ken Dhima