Kryetari i Bashkisë së Kukësit dhe 12 persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë në lidhje me protestat e ditës së premte në qytetin e Kukësit, kur PD organizoi simpatizantët e saj për t'i bërë "pritë" kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës në qytetin verilindor. Pas procedimit, kryetari i bashkisë ka reaguar për Report Tv duke theksuar se 'bashkia është pronare e territorit të Kukësit dhe nuk merr leje të ecë në këmbë dhe të protestojë. Ai që duhet proceduar është Kryeministri që vjedh dhuratat dhe ndërton pa leje. Transparencë zero për aeroportin e Kukësit. Është kënaqësi të bëhemi një milion të proceduar' tha ai.

Ndërkohë që përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ai shton se Edi Rama të vret dhe pastaj të kërkon falje. "Doktori okulist, Edi Rama, pasi erdhi ne Kukës me helikopter, ngaqe nuk kishte lek te paguante taksen e rruges, iu shtrua muhabetit me llogje, genjeshtra e mashtrime. Sipas llogarise se tij, nja 100 kuksiane jane verbuar krejt e mes tyre edhe kryetari i bashkise se Kukesit. Kush proteston eshte i verber, kush i lepihet kryeministrit, eshte i sheruar.

Po kur eshte aq trimosh ky njeriu i helikopterit, pse duhet te procedoje tere ata burra protestues qe sipas Okulistit Rama jane qorra? Kush do sy, i shet Edi Rama me kile. Po sy ama, qe shikojne gjithmone majtas. Pse te mos ia japim bashkine e Kukesit Edi Rames, meqe eshte mjeshter per te futur ne burg kuksjanët; per t’i genjyer dhe per t’i ndeshkuar. Por ia falim te gjitha, se ai eshte burre i vertete: te vret, pastaj kerkon falje" deklaron ai.

Personat që janë vënë në hetim në gjendje të lirë, janë të moshave 28 - 60 vjeç, nga Kukësi dhe Hasi. Partia Demokratike organizoi një protestë të udhëhequr nga kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, duke bllokuar rrugën tek Ura e Drinit të Zi. Qëllimi i tyre ishte t'i zinin rrugën kryeministrit Edi Rama, i cili ishte të premten në Kukës në kuadër të turit "Bashkia që Duam" ku zyrtarizoi edhe kandidaturën e Safet Gjicit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.  Veprat penale që rëndojnë ndaj personave në hetim “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.