Myrto Uzuni e ka nisur shumë mirë sezonin e ri në MLS me fanellën e Austin FC, duke shënuar katër gola dhe dhënë një asist në dhjetë takimet e para të këtij edicioni. Nga SHBA-ja, beratasi ka folur për faqen zyrtare të FSHF-së, duke treguar disa prapaskena në lidhje me merkaton.

Ai ka pranuar se në afatin kalimtar të janarit, ekipi turk i Trabzonsporit bëri një ofertë të majme për ta marrë në ekip (besohet 12 milionë euro). Sulmuesi 30-vjeçar ishte dakord të luante së bashku me Ernest Muçin, por gjithçka u prish për dhjetë minuta.

Uzuni mbetet një fans i Cristiano Ronaldos, ndaj nuk e 'tradhton' yllin portugez. Ai është përballur disa herë me Lionel Messin në fushë, por pranoi se nuk ia ka kërkuar fanellën. Sulmuesi foli edhe për paraqitjen në Kombëtare.

"Forma në SHBA? Këtë vit e kam nisur shumë mirë me Austin, pasi sezonin e kaluar nuk isha mirë, aty ku unë e shoh veten. Kam shënuar katër gola dhe kam dhënë një asist këtë sezon.

Ndeshjet play-off me Kombëtaren? Aman mos na e kujto, të lutem. Të gjithë jemi dakord që ekipi ka bërë një arritje, nuk është e lehtë rruga deri aty. Kundër Serbisë dhe në disa ndeshje të tjera kemi bërë mirë. Pas ndeshjes me Poloninë kam qenë shumë i mërzitur.

Si je ndjerë në Kombëtare? Jam shumë i lumtur, të përfaqësoj veten, familjen dhe kombin. Gjithmonë kam dhënë maksimumin. Sulmuesit kanë egon për të shënuar, por në Kombëtare të gjithë japim më shumë nga vetja.

E ardhmja? Kisha një ofertë shumë të mirë nga Trabzonspori dhe mund të bashkohesha me Ernest Muçin aty. Ishte i mbyllur si transferim, por gjithçka u prish për dhjetë minuta. Trajneri donte shumë të më merrte në ekip, të gjithë ishin dakord dhe oferta ishte e lartë. Ishte njësoj sa ekipi i Austin më bleu te Granada (12 mln euro).

Peng? Në futboll nuk i dihet kurrë, por tani jam shumë i lumtur te Austin, kam mbështetjen e tifozëve dhe u kam dhënë besim, gjë shumë e vështirë kjo. Në SHBA është ndryshe nga Evropa, në momentin që vjen si një yll ata presin shumë nga ti. Ata duan që unë të bëj Messin apo Ronaldon. Ka qenë e vështirë, por tani e kam gjetur veten.

Keni luajtur përballë tyre, kë veçoni Messin apo Ronaldon? Jam ndeshur kundër tyre dhe kam qenë ndër më të mirët në fushë. Është motivim i madh, i sheh nga TV që marrin trofe dhe më pas i ke përballë në fushë. Unë jam një fans i Ronaldos, jam tradicional. Messit nuk i kërkova as fanellën", tha Uzuni.