Tre tituj të rinj: "Antologjia e poezive më të bukura në botë", "14 këngë popullore shqiptare" e "Fatmir Haxhiu, Piktori i historisë"! 'Melodia e Vargut' tek poezia e Merinit

“Antologjia e poezive më të bukura në botë” përzgjedhur dhe përkthyer nga Rudolf Marku, “14 këngë popullore shqiptare” (Partitura) nga Edmond Doko dhe “Fatmir Haxhiu” nga Suzana Varvarica-Kuka janë titujt e ri që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.  Ndërkohë në rubrikën “Melodia e vargut” vjen poezia e Alda Merinit

Tre titujt e rinj

Titulli: Antologjia e poezive më të bukura në botë
Grup autorësh
Përktheu: Rudol Marku
Botues: Mediaprint
Çmimi: 1200 lekë

“Antologjia e poezive më të bukura në botë” është libri më i ri që vjen në duart e lexuesit dhe që përfshin 82 poetë, nga këto 10 nobelistë.

Përmbledhja poetike prezanton poezi që i kanë rezistuar dhe qëndruar kohës, falë kanoneve të veta estetike. Libri është një katalog poetik që përfshin krijimet që nga fillimet e shkrimit, Mesopotami dhe Rigvedat e Tibetit, deri në kohërat tona. Poezia e shekullit XX zë një vend të rëndësishëm në këtë vëllim. Janë 145 poezi të përkthyera dhe të përgatitura nga poeti Rudolf Marku.

Qëllimi i autorit është t’u ofroj lexuesve kënaqësinë e leximit poetik, në kuptimin e thjeshtë e njëherësh kompleks.

Ky libër përfaqëson disa nga arritjet më të mira të poezisë në botë, poezi e cila nuk kërkon të vetëshpjegohet para kritikëve skeptikë dhe para lexuesve se përse është e tillë.

Titulli: 14 këngë popullore shqiptare
Autori: Edmond Doko
Botues: Dituria

Janë përmbledhja e këngëve shqipe të orkestruara për Kuintet Tunxhi nga dirigjenti i njohur, Edmond Doko, që vijnë nën titullin “14 këngë popullore shqiptare" (Partitura). Të 14 këngët e përmbledhura në këtë vëllim janë nga më të njohurat e repertorit e të kënduarit, porse kësaj radhe vijnë në një format tjetër, të ri, të orkestruara për Kuintet Tunxhi.

Ky botim, jo vetëm që pasuron literaturën muzikore shqiptare, por njëkohësisht është i një lloji të veçantë.  Përkundër pianistit italian Paolo Marzocchi, i cili kishte publikuar një libër me këngë shkodrane të përpunuara me titull "Dhuratë zemre", që në dhjetor të vitit 2019, Doko nuk ndalon vetëm tek këngët shkodrane, të cilat mbase edhe e dominojnë këtë përmbledhje, por 'përshkon' gjithë Shqipërinë, përfshirë këtu dhe këngë nga krijues shqiptarë nga Kosova. Duke qenë dirigjent që ka dirigjuar dhjetëra opera, balete, koncerte soliatike etj., Doko tregon dhe një nivel të lartë të orkestrimit dhe me kërkesa teknike jo të pakta.

Titulli: Fatmir Haxhiu, Piktori i historisë
Autori: Suzana Varvarica Kuka
Redaktore: Dhurata Dino Agalliu
Lloji: Monografi
Botues: Mali Pleshti
Çmimi:  10000 lekë

Fatmir Haxhiu do të mbetet një prej artistëve të spikatur të pikturës historike. Mbi të gjitha, ngaqë ai ishte i lidhur shpirtërisht me tablonë kompozicionale të betejave, dhe, si artist tradicional i pikturës figurative realiste, në të cilën theksohet stili individual.

Monografia kushtuar Fatmir Haxhiut nuk mund të përthithet qartë nga publiku i shekullit që jetojmë e më tej tij, qoftë ai shqiptar apo i huaj, nëse nuk do të flisnim hapur rreth kohës apo periudhës historike kur u brumua piktura e tij, rreth cilësive të saj të shumta, rreth drejtimit të saj artistic, rreth stilit interpretues dhe aftësive të personalitetit të artistit, si përfaqësues i veçantë i asaj kohe. Tablotë e pikturave të Fatmir Haxhiut, me gjithë veçoritë e tyre, lindën si krijim dhe bëjnë pjesë si mjet edukimi në atë realitet. Ato përfaqësojnë individualitetin dhe përpjekjet e tij krijuese, për t’i dhënë njohje tablosë historike të kombit në shoqërinë shqiptare.

Krijimtaria e tij, për shumë arsye, por mbi të gjitha për pasionin ndaj pikturës historike, me subjekte të qëndresës së shqiptarit, si dhe forca e tij kreative për të përballur sipërfaqe të mëdha plot figura njerëzore- që lëvizin me gjeste epike dhe aktive- është e domosdoshme t’i tregohet në mënyrë të qartë publikut të artit dhe atij më të gjerë që përfshin kulturën e vendit tonë, e cila edhe në shekullin XXI është ende në formim e sipër.

"Melodia e Vargut"

Rubrika "Melodia e Vargut" këtë herë i dedikohet poetes, shkrimtares, aforistes së njohur Alda Merini. Alda Merini ka patur një ekzistencë shumë të vështirë. Disa vite të jetës së saj i ka kaluar në spitale të ndryshme të shëndetit mendor.
Një mendje gjeniale me shpirt dhe forcë krijuese të jashtëzakonshme e cila dhimbjen dhe vuajtjen i ktheu në energji krijuese. Në këtë rubrikë prezantojmë poezinë "Buzëqesh grua" shkëputur nga libri "Jemi të etur për dhembshuri" hedhur në qarkullim nga "Botimet Jozef".

'Buzëqesh grue' Poezi e Alda Merinit
Buzëqesh grue
Buzëqeshi gjithmonë jetës
ani pse ajo nuk të buzëqesh.
Buzëqeshi dashnive të përfundueme,
buzëqeshi dhimbjeve tueja,
gjithsesi buzëqesh.
Buzëqeshja jote
ka me kenë dritë për udhëtimin tand,
far për marinarët e humbun.
Buzëqeshja jote ka më kenë
puthje nanet,
përplasje flatrash
një rreze dielli për të gjithë.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'