Rubrika “Në Librari” sjell këtë javë tre botime: “Dil nga ajo dhomë”, “Porta e krisur” dhe “Princi i vogël”.

Dil nga ajo dhomë! Si t’i rikthejmë fëmijët në botën reale?

Titulli: Dil nga ajo dhomë
Përktheu: Ana Sheldia
Shtëpia botuese: Dituria
Çmimi: 1000 lekë

Të jesh prind nuk do të thotë vetëm të rrisësh një fëmijë, por edhe ta përgatitësh atë për jetën. Një mision që sot është bërë më kompleks, në një kohë kur bota online i tërheq fëmijët dhe adoleshentët si magnet.

“Dil nga ajo dhomë. Si dhe pse t’i rikthejmë fëmijët në botën reale?” nga Alberto Pellai dhe Barbara Tamborini është një libër këshillues për prindërit, mësuesit dhe të gjithë të rriturit që përballen çdo ditë me një sfidë gjithnjë e më të madhe: si t’i shkëpusim fëmijët dhe adoleshentët nga ekranet dhe t’i rikthejmë në botën reale?  “

Smartfoni, rrjetet sociale, video-lojërat dhe platformat digjitale janë kthyer në pjesë të pandashme të përditshmërisë. Por, sipas autorëve, problemi nuk është thjesht teknologjia. Sfida është mënyra se si ajo përdoret dhe hapësira që zë në jetën e fëmijëve.

“Libri në fjalë është një libër shumë i vlefshëm edhe në kontekstin shqiptar, sepse flet për një dukuri tashmë mbarë-botërore, që mbart një potencial, por edhe një shqetësim shumë të madh për prindërit, edukuesit dhe të rriturit në përgjithësi”, thotë Rafaela Marteta.

Alberto Pellai, psikoterapist për moshën pediatrike, dhe Barbara Tamborini, psikologe dhe autore në fushën e psikologjisë së zhvillimit, nuk e shohin teknologjinë as si një “përbindësh”, por as si një zgjidhje për gjithçka.

Libri propozon një qasje të ndërmjetme: teknologjia është pjesë e jetës dhe mund të ketë potencial pozitiv, por fëmijët kanë nevojë për kufij, orientim dhe mbi të gjitha për praninë e një të rrituri.

“Është një vizion i integruar mes të dyjave. Pellai dhe Tamborini e klasifikojnë teknologjinë si diçka së cilës duhet t’i vihen kufij në mosha të caktuara, sidomos në moshën e zhvillimit dhe të rritjes, por edhe si diçka përmes së cilës mund të nxirret gjithmonë një gjë e mirë, nëse nuk mungon aspekti edukativ dhe shoqërimi i një të rrituri”, thotë Rafaela Marteta.

Dhe pikërisht këtu qëndron mesazhi i titullit: “Dil nga ajo dhomë”. Autorët i ftojnë prindërit të rikthejnë lojën, socializimin, aktivitetet familjare dhe përvojat jashtë ekranit. Jo me ndalime të thata, por duke krijuar alternativa reale dhe tërheqëse.

Një film i parë bashkë me familjen, një mbrëmje në kinema, sporti, loja me bashkëmoshatarët apo thjesht një aktivitet i përbashkët mund të bëhen hapa drejt një jete më të balancuar.

“Propozimet konkrete kanë të bëjnë me ndërthurjen e aktiviteteve që fëmijët bëjnë në shtëpi me aktivitetet që bëjnë jashtë shtëpisë. Fëmijët duhet të edukohen në mënyrë që të krijojnë një autonomi të tyre dhe të kuptojnë se mund të shkëputen nga telefoni dhe se ka një jetë edhe përtej mjeteve dhe teknologjive digjitale”, shprehet Marteta.

“Dil nga ajo dhomë” është, në thelb, një libër që u drejtohet edhe prindërve. Sepse autorët pranojnë se as ata vetë nuk janë prindër të përsosur dhe se rruga e edukimit është një proces i vazhdueshëm.

Mesazhi është i qartë: nuk është koha për t’u dorëzuar përballë teknologjisë, por për të gjetur mënyrën e duhur për ta integruar atë në jetën e fëmijëve.

“Shqetësimi i autorëve është se si i ndihmojmë prindërit të dalin nga ai rreth vicioz ku mendojnë se nuk kanë ç’të bëjnë. Teknologjia është këtu, por ka gjithmonë një rrugëdalje. Dhe rrugëdaljet në libër janë të shumta”, thotë Marteta.

Një udhërrëfyes për prindërimin në epokën digjitale, “Dil nga ajo dhomë” ngre një pyetje që prek gjithnjë e më shumë familje: si t’i mësojmë fëmijët të përdorin teknologjinë, pa lejuar që teknologjia të zëvendësojë jetën?

“Porta e krisur”, plagët e hasmërisë dhe forca e dashurisë

Titulli: Porta e krisur
Autori: Vasil Dedja
Shtëpia botuese: Muza
Çmimi: 1200 lekë

Ka porta që ndajnë oborre nga rrugët.

Dhe ka porta që ndajnë të vërtetën nga heshtja.

“Porta e Krisur”, romani më i ri i shkrimtarit Vasil Dedja, sjell një dramë të thellë shqiptare, ku dashuria, hasmëria, tradita dhe fati i individit ndërthuren në disa periudha të historisë së vendit. Në qendër të rrëfimit është një dashuri e pamundur, e cila përplaset me kodet e një shoqërie të mbyllur dhe me një konflikt që do të marrë përmasa tragjike.

“Është një tematikë, një dramë e thellë shqiptare. Në qendër është një dashuri e pamundur, ku në mes është hasmëria dhe kjo bën shkak pastaj që familja e vajzës, një familje e kamur, të përfshihet në një tragjedi të tillë ku të gjithë pjesëtarët e familjes pësojnë një fund tragjik”, thotë Dedja.

Historia shtrihet përtej një familjeje. Dedja alternon periudha të ndryshme historike, nga koha përpara ardhjes së Zogut, te diktatura dhe më pas demokracia, duke sjellë në roman edhe fatet e familjeve të tjera.

Vetë titulli, “Porta e Krisur”, mbart një simbolikë të fortë.

“Titulli i romanit quhet ‘Porta e Krisur’, jo më kot. Fjala krisje presupozon një inat të brendshëm të personazhit, i cili ishte dashuruar me vajzën. Pamundësia për t’u takuar me të e detyron që ai të godasë portën me shpatë, herë pas here, derisa më në fund detyrohet të largohet i dëshpëruar”, shprehet autori.

Por drama nuk përfundon aty. Një fëmijë i lindur në fshehtësi bëhet ura që lidh të shkuarën me të ardhmen. Pas shumë vitesh, kthimi nga emigrimi dhe rindërtimi i jetës në vilën e dikurshme hapin një tjetër kapitull të historisë.

Një histori për humbjen, por edhe për vazhdimësinë e jetës.

“Është ajo ideja e vazhdimësisë së jetës. Shpesh dashuritë janë të pamundura dhe, në momentin kur janë të pamundura, njeriu duhet të bëjë një zgjedhje. Zgjedhja më e mirë është të gjykojë veten në radhë të parë, të vlerësojë jetën dhe ta shohë jetën me përparësi në vazhdimësi”, vijon shkrimtari.

Përmes historisë së personazheve, autori prek edhe një plagë që ka shoqëruar familjet shqiptare për breza: hasmërinë.

Një realitet i zhvendosur në zonat e thella të Malësisë verilindore, mes traditave, ndarjeve shoqërore dhe një bote ku fati i individit shpesh përcaktohej nga rregulla më të forta se dëshirat e tij.

“Çështja e hasmërisë ka qenë një problem në Shqipërinë e kohës, madje është edhe sot. Ka pasur vërtet shumë dramë në jetën e shqiptarëve. E mendova dhe e pashë në këtë formë, duke e zhvendosur historinë në një zonë të thellë të Malësisë verilindore, me traditat e veta”, thotë Dedja.

Në roman, Vasil Dedja nuk mbetet vetëm rrëfimtar. Ai shfaqet edhe si personazh, duke i dhënë historisë një dimension më personal dhe më ëndërrimtar.

Pas tragjedisë vjen mundësia për një fillim të ri. Dhe pikërisht këtu qëndron mesazhi i “Portës së Krisur”: edhe kur e shkuara lë plagë, jeta kërkon të vazhdojë.

Një portë mund të kriset nga dhimbja, por jo domosdoshmërisht mbyllet përgjithmonë.

“Princi i vogël” rivjen në një përkthim të ri në shqip

Titulli: Princi i vogël
Përktheu: Ergisa Bebja
Shtëpia botuese: Fan Noli
Çmimi: 800 lekë

Në prej veprave më të dashura të letërsisë botërore, “Princi i vogël” vjen sërish për lexuesin shqiptar, këtë herë në një përkthim të ri nga Ergisa Bebja, botuar nga “Fan Noli”.

Një libër që, përmes një historie të thjeshtë dhe magjike, arrin të prekë njëkohësisht botën e fëmijëve dhe atë të të rriturve. Dashuria, miqësia, vetmia, përgjegjësia dhe kuptimi i jetës janë vetëm disa prej temave që e kanë kthyer këtë vepër në një klasik të përjetshëm.

“Është një përkthyese e talentuar. E njeh shumë mirë gjuhën franceze. Ka studiuar këtu për gjuhën frënge, është specializuar dhe në Sorbonë, në Paris, ku përfundon me medalje ari. Por, përveç këtyre të dhënave, që janë kushte paraprake, ajo është edhe e talentuar dhe shumë e kujdesshme. Fakti që, nga të gjitha këto variante që qarkullojnë sot, më shumë të vlerësohet ky version që kemi ne në dorë, mendoj që ka bërë një punë të mirë”, thotë përkthyesi Rexhep Hida.

“Princi i vogël” është një përrallë filozofike për një djalosh që lë planetin e tij të vogël dhe nis një udhëtim nëpër botë dhe ku mëson për dashurinë, miqësinë dhe kuptimin e jetës.

Gjatë rrugëtimit, ai takohet me personazhe të ndryshme dhe përballet me sjelljet, paradokset dhe dobësitë e botës së të rriturve.

Mesazhet e veprës mbeten po aq aktuale edhe sot, ndërsa historia vazhdon të fitojë breza të rinj lexuesish.

 “Vetëm me zemër mund të shohësh qartë. Sytë nuk e shohin dot thelbësoren” është një prej mësimeve më të njohura të Princit të vogël. Në qendër të veprës është pikërisht aftësia për të parë përtej asaj që duket në sipërfaqe.

Por vepra nuk është vetëm një histori për fëmijë. Ajo është një reflektim mbi njeriun, marrëdhëniet dhe mënyrën se si, me kalimin e viteve, të rriturit shpesh harrojnë të shohin botën me imagjinatë.

“Saint-Exupéry është një shkrimtar i talentuar. Ai ka bërë edhe vepra të tjera, siç është ‘Fluturimi i natës’ dhe disa vepra të tjera. Ai e nisi jetën e vet si pilot. Shumë nga miqtë e tij e këshilluan që të mos shkonte në flotën ushtarake franceze në atë kohë. Por ai tha: ‘Atje më çon feja ime’, domethënë ideologjia ime. ‘Aty do të shkoj’. Domethënë, mua feja ime, ideologjia ime më thërret që të mbroj atdheun dhe do ta paguaj me çdo kusht”, thotë përkthyesi Rexhep Hida.

Dhe pikërisht jeta e autorit është e lidhur ngushtë me fluturimin dhe përvojat që do të ushqenin më pas krijimtarinë e tij. Saint-Exupéry shërbeu si pilot dhe shkroi disa prej veprave të tij më të njohura gjatë viteve të shërbimit.

Ai u zhduk gjatë një misioni fluturimi në vitin 1944 dhe nuk u kthye më. Trashëgimia e tij letrare, megjithatë, vazhdon të jetojë përmes veprave që janë përkthyer në dhjetëra gjuhë.

“Princi i vogël’ ka një shpërndarje dhe një përhapje të jashtëzakonshme për arsye fare të thjeshtë, për mendimin tim. Ai tregon që njeriu, sado vështirësi të ketë, në rast se ai kapet pas ndjenjës së vërtetë dhe pas një misioni të rëndësishëm, për të gjithçka bëhet e ndritshme,” thotë Hida.