Rubrika “Në Librari” nga gazetarja Blerina Goce, vjen me 3 tituj këtë fundjavë. “Rruga mbaron te shpija jeme” një përmbledhje poetike shkruar në gegnisht nga Oriola Gjetaj. Autorja flet për pjesë të ndryshme të identitetit: identitetin si shqiptare që jeton jashtë Shqipërisë, identitetin e vendlindjes, të kujtimeve të fëmijërisë, por edhe identitetin si grua shqiptare prej veriut.

“Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme” nga Hamit Boriçi e Jolanda Lila dhe “Ngjitja” nga Stefan Hertmans.

ORIOLA GJETAJ, AUTORE

GEGNISHTJA DHE IDENTITETI NË POEZITË E ORIOLA GJETAJT

Titulli: Rruga mbaron te shpija jeme
Autore: Oriola Gjetaj
Shtëpia botuese: Dudaj
Çmimi: 800 lekë

“Gjuha më zgjedh mu.

Eksploroj në parkun e lojërave,

shpesh tue e humb rrugën.

Kur kthej kryet e nuk shoh askënd me më prit,

mjafton me hap gojën me ta thirr emrin."

Këto vargje zgjedh Oriola Gjetaj për të na prezantuar me botën e saj poetike dhe identitetin e saj, që zë fill te gjuha. Një botë ku gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi, por pjesë e identitetit dhe e rrugëtimit personal të autores.

“Është një dilemë e njohur: a e zgjedh ti gjuhën apo të zgjedh gjuha ty? Unë ndjej se gjuha më ka zgjedhur mua. Poezitë erdhën në këtë formë dhe më pas kërkuan punën dhe studimin e nevojshëm për t’i sjellë në gegnisht”, thotë Gjetaj.

Përmbledhja e saj më e re poetike është shkruar në gegnisht, një zgjedhje që, sipas autores, erdhi natyrshëm. Përmes saj, Gjetaj rrëfen një udhëtim që nis nga gjuha dhe përfundon te identiteti.

“Titulli i librit mund të shihet nga dy drejtime. Në nivel sipërfaqësor është një rrugëtim ndër gjuhë të ndryshme që kanë mbërritur te gegnishtja. Në një nivel më të thellë, është rrugëtimi i identitetit tim”, shprehet shkrimtarja.

Në poezitë e këtij vëllimi autorja ndalet te përkatësia, vendlindja, kujtesa dhe raporti me Shqipërinë, ndërsa përvoja e jetës jashtë vendit bëhet pjesë e reflektimeve të saj letrare.

“Flas për pjesë të ndryshme të identitetit tim: identitetin si shqiptare që jeton jashtë Shqipërisë, identitetin e vendlindjes, të kujtimeve të fëmijërisë, por edhe identitetin si grua shqiptare prej veriut”, thotë Gjetaj.

Në këtë kërkim të vazhdueshëm të vetes, autorja sjell edhe dimensione të tjera të formimit të saj. Studimet në matematikë dhe rrugëtimi akademik në Europë ndërthuren herë pas here me poezinë, duke krijuar këndvështrime të ndryshme mbi realitetin.

Libri përmbledh 85 poezi të shkruara gjatë pesë viteve të fundit. Megjithëse krijimtaria e autores është më e gjerë, në këtë botim janë përfshirë vetëm poezitë që i kanë rezistuar kohës dhe rileximit.

“Ky botim erdhi tani sepse sapo mbarova doktoraturën dhe kisha kohë t’i kushtohesha punës me gjuhën. Por erdhi edhe sepse e ndjeja veten gati për një komunikim me publikun dhe me Shqipërinë”, shprehet Gjetaj.

Një libër që e vendos gjuhën në qendër të rrëfimit, por që në thelb është një kërkim poetik mbi identitetin, kujtesën dhe përkatësinë.

JOLANDA LILA, AUTORE

NJË UDHËTIM NË HISTORINË 150-VJEÇARE TË SHTYPIT ARBËRESH

Titulli: Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme
Autorë: Hamit Boriçi, Jolanda Lila
Botues: Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Çmimi: 2000 lekë

Një histori e panjohur për publikun e gjerë, por me rëndësi të veçantë për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, vjen tashmë e dokumentuar në librin “Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme”, me autorë Hamit Boriçin dhe Jolanda Lilën, botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.

Studimi sjell për herë të parë një panoramë të plotë të zhvillimit të shtypit arbëresh përgjatë më shumë se një shekulli e gjysmë.

Kapitujt tematikë ndjekin kronologjikisht zhvillimet kryesore të shtypit arbëresh, që nga botimi i gazetës së parë “L’Albanese d’Italia” në vitin 1848 nga De Rada, deri te botimet më të reja, kryesisht në trajtë digjitale, duke përfshirë edhe sfidat e globalizimit dhe ndryshimet teknologjike që kanë ndikuar në natyrën e medias arbëreshe në shek. XXI.

Libri nuk kufizohet vetëm te komunitetet arbëreshe të Italisë, por përfshin edhe historinë e shtypit të arvanitasve në Greqi dhe përpjekjet botuese të arbneshëve të Zarës në Kroaci. Përmes burimeve të shumta arkivore dhe koleksioneve të plota të gazetave e revistave, autorët analizojnë rolin që media arbëreshe ka luajtur në ruajtjen e gjuhës shqipe, në kultivimin e vetëdijes kombëtare dhe në mbajtjen gjallë të gjuhës.

Për herë të parë, në mënyrë të përmbledhur dhe analitike, paraqitet rrugëtimi i gazetarisë arbëreshe, si një dëshmi e gjallë e identitetit, qëndresës dhe zhvillimit kulturor të komunitetit arbëresh në Itali mbi një bazë të gjerë burimesh arkivore dhe bibliografike, me analiza të hollësishme të gazetave, revistave dhe botimeve më përfaqësuese të diasporës arbëreshe.

Me një qasje ndërdisiplinore dhe me vëmendje ndaj kontekstit historik, politik dhe shoqëror të secilës periudhë, sillet në dritë mënyra se si shtypi arbëresh ka ndikuar në ruajtjen e gjuhës, në përçimin e vlerave kombëtare dhe në lidhjen me trungun amtar shqiptar.

VASILIKA TAFA, BOTUESE

“NGJITJA”, ROMANI QË ZBULON HIJET E SË KALUARËS NAZISTE

Titulli: Ngjitja
Autori: Stefan Hertmans
Përktheu: Viola Trifoni
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 1500 lekë

Një shtëpi e vjetër në zemër të Gentit, një dokument i harruar dhe një e kaluar e errët që del në dritë. Këto janë pikënisjet e romanit “Ngjitja”, vepra e shkrimtarit belg Stefan Hertmans, e sjellë në shqip nga përkthyesja Viola Trifoni dhe botuar nga Ombra GVG.

Stefan Hertmans konsiderohet një nga autorët më të rëndësishëm bashkëkohorë të Flandrës. Poet, romancier, eseist dhe fitues i Çmimit të Madh të Belgjikës për Letërsinë, ai ndërthur në këtë roman historinë personale me kërkimin dokumentar dhe reflektimin mbi kujtesën kolektive.

Ngjarja nis në verën e vitit 1979, kur autori blen një shtëpi të vjetër pranë qendrës historike të Gentit. Dy dekada më vonë ai zbulon se kishte jetuar në banesën e Ëillem Verhulstit, një nacionalist flamand që kishte bashkëpunuar me regjimin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nëpërmjet dokumenteve, fotografive dhe dëshmive arkivore, Hertmans rindërton jetën e këtij personazhi kontrovers, duke zbuluar historinë e një njeriu të përfshirë në internimin e bashkëkombasve në kampet naziste dhe të një familjeje që përballet me barrën e së shkuarës.

“Stefan Hertmans me romanin e tij ‘Ngjitja’ na vjen nga letërsia e Flandrës në Belgjikë. Është një nga autorët më të rëndësishëm të kësaj letërsie dhe romani mbështetet në një ngjarje personale të tij. Autori zbulon se pronari i shtëpisë që kishte blerë kishte qenë një bashkëpunëtor i nazistëve dhe se djali i tij ishte më vonë një historian i njohur. Kjo histori kthehet në një thriller historik, ku ndërthuren faktet, kujtesa dhe e vërteta historike. Vetë Hertmans është rrëfyes dhe protagonist i kërkimit, gjë që i jep romanit një ngarkesë të veçantë emocionale”, shprehet Tafa.

“Ngjitja” nuk është vetëm historia e një individi. Romani ngre pyetje mbi përgjegjësinë morale, trashëgiminë e fajit dhe mënyrën se si shoqëritë përballen me të kaluarën e tyre.

Ndërsa Evropa përpiqet të ringrihet pas shkatërrimeve të luftës, protagonisti i kësaj historie mbetet i papenduar për veprimet e tij. Në anën tjetër, djali i tij, një historian i njohur, përballet me vështirësinë për të pranuar të vërtetat e dhimbshme që lidhen me figurën e të atit.

Me stilin e tij të veçantë rrëfimtar dhe me një ndërthurje mjeshtërore të faktit me letërsinë, Stefan Hertmans sjell një roman që të mban në ankth deri në faqen e fundit. “Ngjitja” është një kujtesë e fuqishme për plagët e historisë dhe jehonën që ato vazhdojnë të kenë në të tashmen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:45
'Melodia e Vargut' sjell 3 poezi nga Rei Hodo

Rubrika e poezisë sjell vargje nga poeti premtues i qytetit të Durrësit, Rei Hodo. Vargu i Reit tërheq për stilin tërësisht individual, të sigurt, sa të thellë dhe depërtues, po aq dhe romantik.

Poezia e parë:

gjethnajë flokëzash

kufij qerpikët e zgjatur,

nga bota të ndan

një qark syri

teksa ledhatohen flokëzat mbi lëkurë

dëshpërimisht tingëllon hëna melankoli

ç’hije lakmitare formon bulëza e lotit nën qepallë

dhe derdhet hirësishëm trupi i shpatullës

engjëjt rrëfejnë qiellit me sytë nga ti

perandori e lëkurtë e kurmit tënd

gjithësi e botës tek një bebëz irisi

hijet qarkojnë me lakmi qenien

sillen si valët bregut

kufij qerpikët e zgjatur deri në eter

bota rrëfen me sytë nga qielli

një mall të ri

ç’hije hirësishëm drithëron dielli

në atë gjethnajë flokëzash ku rri ti

Poezia e dytë:

herbarium katrahurash

i yti kurm një tokë djerrë 

pa zbuluar brigjet virgjëri 

një gushë honëzake lejleku trazuar 

dremiste mbi supin e qetishtës 

pa vënë dorë mbi ty 

dhe mbet ashtu hapësirë e pazbuluar 

pa një fat tragjik a jetësor në trastë 

një kurm zëmbytur që përkund 

mallin për një histori të re

Poezia e tretë:

dielli mbi ty hedh perëndimin 

gjinjtë e tu të fryrë i përflak 

ndërsa kotesh si një turp fare i ri 

ajmè kështu do të jetë shkruar 

edhe në legjenda 

se dielli gjithnjë mbi gjinjtë 

e fryrë të detit 

flì do bjerë 

duke bërë 

dashuri