Ndërsa nga mali i Dajtit vëzhgoja Tiranën të turbullt e në mendjen time automatikisht më kaluan disa mendime që më lexoheshin dukshem në fytyrë, i njohuri nga Gjermania, tiranas prej shumë brezash më thotë: "Tirana ka qenë gjithnjë kështu. Eshtë në gropë dhe avujt dhe mjegulla e bëjnë të paqartë në shumicën e kohës. Në raste të rralla mund ta shohësh pastër që këtu lart".
Në fakt po mendoja se ishte smog, pluhur e çdo gjë e dëmshme dhe e tmerrshme për banorët e kryeqytetit aty poshtë. Mendova keq, trishtë, siç do të kishte menduar keq, shpejt e shpejt, seicili prej nesh. "Ta dish, - më thotë miku im, mjek tashmë në Gjermani, - pluhurat e dëmshëm nuk shihen me sy. Tirana është e ndotur, por po të ishte smog i gjithi ky, do të vdisnim menjëherë prej asfiksisë", më thotë duke qeshur.
- Si na gjete ne shqiptarëve këtë vit?- pyeta.
"I shoh njerëzit më të qetë. Sikur kanë kuptuar dhe kanë më të qartë atë që duan. Sikur kanë rënë ca komplekse që ju bënin të padurueshëm, acarues edhe në një muhabet të thjeshtë. I shoh të gjithë më të shtruar".
Këtë vit nuk është i vetmi mik që ka vënë re këtë dallim. Ndoshta qetësia, stabiliteti që dëshirojmë të gjithë, do të na japë kohën, mundësinë të shohim brenda vetes, të kuptojmë mirë atë që duam e më pas të zgjedhim e të veprojmë sa më drejtë. Ndoshta nis e kuptohet edhe këtu tek ne se përmirësimi është shumë i rëndësishëm nëse ndodh fillimisht në botën e brendshme të seicilit, për t'u përhapur më pas në komunitet; në shtëpi, në lagje, në fshat a qytet, e më pas në gjithë vendin.
Eshtë fakt se kemi humbur kohë në historinë tonë: humbëm kohë nën Turqinë, humbëm kohë nën diktaturë, humbëm kohë dhe në tranzicionin absurd. Humbëm kohën e duhur për të njohur vetveten, për të njohur natyrën tonë e për të bërë rrugëtimin pa direktiva të partisë a qeverisë, por sipas natyrës e zemrës te seicilit. E lamë vetveten më keq se arat e papunuara e lëndinat me shkurre pa asnjë begati, lule e pemë.
Disa shpëtuan e mbijetuan duke u kujdesur për vetveten fshehurazi e në mënyrën më të mirë. Disa të tjerë u përballën me të keqen e u vetësakrifikuan. Sot janë disa individë që bien në sy e tregojnë se kanë ruajtur virtyte të admirueshme dhe po drejtojnë veten, familjet e tyre, të afërmit, komunitetin drejt rrugës me dritë. Shumë janë ende duke kërkuar rrugën e duhur, por ka kaq shumë dëshirë e punë për ta gjetur, saqë përkushtimi i dukshëm është për t'u lavdëruar.
Dhe rrugëtimi drejt vetvetes vlen për të gjithë; për më të thjeshtin e një vendi, deri dhe të parët e tij. E sidomos të parët, nëse në rrugën e tyre kanë parë pak dritë, duhet të bëjnë të pamundurën për ta ndarë me të tjerët, me më të vegjlit, me me të pamundurit. Vetëm kështu, mendoj, mund të kapërcejmë ca vite që për fajin tonë apo të historisë, qëndruam në kafazin e eksperimenteve shtetformuese e njeriformuese nga më të padrejtat që janë parë ndonjëherë.
Më të mirët, pas tranzicionit, duhet ta ndjejnë se janë në mision civilizues. Ajo që na duhet të gjithëve është vërtetë stabiliteti, shteti i drejtë e shërbyes, por mbi të gjitha, qytetaria që deri tani mbetet bërthama më e dëmtuar e shoqërisë.