SPECIALE/ Në s(provën) e shfaqjes 'Përvjetori i ditëlindjes', Bitraku 'thyen' kanonet e teatrit e ngjit 100 spektatorë në skenë, Halilaj përballë Malajt në një lojë komplekse

Në sallën e madhe të ArTurbinës, Besmir Bitraku dirigjon prej ditësh lojën e 13 aktorëve… Provat janë intensive e aktorët i gjejmë me aureolën e personazheve që do të interpretojnë… Do të vënë në skenën e Teatrit Kombëtar, “Përvjetorin e datëlindjes”, një nga Festat më tronditëse në familje, që është shfaqur në skenat botërore teatrore e të kinematografisë si “Festen”… 

Një skenar që mban firmën e autorit Thomas Vinterberg, e që ka fituar çmimin e jurisë në Kanë, plot 24 vite më parë. Dramatizimi i tij nga David Eldrixh, ka qenë jo më pak i suksesshëm. Por, në fakt nuk janë këto vlerësime që e shtyjnë Bitrakun drejt kësaj sfide regjisoriale, sesa dëshira për ta bërë skenën tetarore të flasë për atë pjesë të realitetit, që mbahet e strukur në dosjet policore e ngrë krye në titujt e kronikës së zezë… kur ngjarja ka ndodhur!

“Ne kemi kuptuar gjatë gjithë kohës se këto probleme ndodhin dhe nuk bëhet asgjë për t'i parandaluar. Kjo është një shfaqje që na jep një ide se si mund të parandalohet”, thotë regjisori i shfaqjes Besmir Bitraku.

Në sallën, ku duhet të ishin ulur spektatorët, Bitraku krijon mizansenën e shtëpisë daneze… Gjithçka vjen e errët si vdekja prej andej, në kontrast me tryezën e luksit që pret  mblidhen miqtë e familjarët nën tingujt e pianos së Gent Rushitit e zërit të Ada Demas… Është një histori familjare,  por edhe e një skeleti të deformuar shoqëror, ku publikut, përtej fasadës së familjes së lumtur në atë që duhet të ishte Përvjetor ditëlindje,  do t’i shpërbëhen vlerat e dhembshuria njerëzore… ndaj Bitraku nuk tregon mëshirë me fenomenin, por  zgjedh të guxojë dhe del jashtë skemave të zakonta teatrore. Kërkon që publiku të mos jetë shikues i thjeshtë, por të bëhet njësh me aktorët… dhe lë ftesën të hapur për 100 të spektatorë në skenë… ku të gjithë do të vishen si për Festë!

“Kjo ka qenë ideja ime fillestare e kryesore që ta bëj publikun të ndihet sa më afër ngjarjes për ta përjetuar emocionin sa më të fortë. Ka qenë ky një nga elementët kryesor të konceptit regjisorial”

Babë e bir, dy protagonistët janë ulur përballë…  Petrit Malaj shfaqet si kryefamiljari babaxhan e i suksesshëm Helge, por Tristan Halilaj e sjell Kristianin 35-vjeçar, ndonëse biznesmen të arrirë, të ndrojtur përballë figurës atërore… Dritëhijet e shqetësimit kaplojnë herë pas here portretin e Luiza Zhuvanit që sjell nënën, Elsën… Masandej, fasada e një buzëqeshje, e komiciteti i lojës së Viktor Zhustit, si gjyshi i familjes, lehtëson momentalisht publikun. Me aktorë të këtij kalibri tryeza ka peshë, e loja s’do mund të lërë askënd indiferent.

“Tristani është një ndër aktorët më të mirë në të gjitha trevat shqiptare dhe besoj se ky rol i shkon përshtat  fizikisht, por dhe si karakter. Me profesor Petritin kam punuar më herët dhe e kam ditur prej kohësh aftësinë e tij, por isha shumë i qartë se roli i shkonte përshtat dhe me staturën e gjithçka. Pastaj gjithë të tjerët janë aktorë që nuk u ka vdekur nervi për të bërë punë shumë të mira”, shton Bitraku.

Tej fotografisë së familjes perfekte, pas një trokëllime dollie a një fragmenti muzikor regjisori zbërthen gradualisht kaosin që çdo pjesëtar i saj përpiqet të kamuflojë…

Diçka që ka ndodhur në të shkuarën, ka shënjuar fatet e secilit. Kutia e Pandorës, do të hapet, dhe publiku duhet të jetë i përgatitur, për tu përballur me dy versione të historisë… derisa të mos ketë mundësi të zgjedhë… Bitraku i qëndron besnik pjesës, e luan me regjinë e e elementët skenikë..

“Nuk jam munduar të bëj shtojca të  çuditshme, patjetër që është një krijim nga fillimi në fund, por vepra pjesa kishte brenda gjithçka që ne duhet ta jetësonim. Jemi përpjekur ta jetësojmë sa mëmirë që të jetë e mundur”, thotë më tej.

Me emocionet e provës së shfaqjes, e midis dy gjendjesh, atij të personazhit e aktorit jashtë skenës, Malaj e Halilaj rrëfejnë përballë njëri-tjetrit përzgjedhjen e punën për rolet e tyre në këtë pjesë, që me tematikën e dhunës e të abuzimit do të ishte sprovë për çdo aktor…

“Bes Bitraku arriti të më kthej në teatër, në një moment të rëndësishëm të jetës sime. Në fakt më ktheu me një dramë të jashtëzakonshme. Është e fuqishme dhe tronditëse si pjesë, ka problematikë të familjes, që dikujt mbase nuk ia rrok mendja aq sa duhet, por realiteti i përbotshëm është ky, këto gjëra kanë ndodhur. Këto gjëra ndodhin dhe kjo është e dhimbshme. Nuk e kisha besuar kurrë se unë personalisht do të interpretoja një figurë të tillë. Ne shpesh në aktrim themi se aktori ka gjëra të përbashkëta me  personazhin, unë nuk di se ku ti gjej gjërat e përbshkëta me këtë figurë që kam”, thotë aktori Petrit Malaj.

“E kam pak të vështirë kur jam në ketë shfaqje, se per mua nuk është diçka e përditshme apo diçka që e kam përjetuar. S’kam një referencë shumë të afërt me këtë situatë dhe sasia emocionale që personazhi ka është shumë e madhe. Mbajtja e një vazhdimësie, pasi gjithë shfaqja ndodh në një nate, mbajtja emocionale konstante të lodh shumë”, thotë protagonisti Tristan Halilaj.

E në fakt gjestikulacioni i Tristanit në rol, qëndrimi gati statik në karrige, janë indicie që paralajmërojnë e  shprehin shenja të pasigurisë së tij përballë të atit, që në festën e 60-vjetorit përkëdhelet sa me lajkat e familjarëve aq edhe të miqve të tij… Publikut i mbetet të zbulojë më shumë gjatë njërit prej dy fjalimeve që Kristian thotë se ka përgatitur në kujtim të motrës së tij binjake të vetëvrarë pak kohë më parë… Mirëpo, fjalimi i së vërtetës, s’do të jetë ai që pritet. Ndonëse Tristani e tregon gati si përrallë, rrëfimi është tronditës… Përballë tij, i ati me çehren e ftohtë përpiqet të shpërfillë… ndërsa familjarët kërkojnë që festa të vijojë!

“Ky është një personazh i ndërlikuar, vepra e gjithë është e vështirë, karakteret janë shumë të spikatur. Kjo është një dramë që në fillesat e saj ka qenë film dhe ka fituar çmim. Është ndërtuar mjeshtërisht nga autori. Padyshim që kemi dhe ne ngarkesat tona, nuk ka qenë e lehtë. Kemi punuar fort, dhe të them të drejtën, unë nuk e di në teatër të jetë punuar në këte cilësi, si kohë, si ritëm dhe dëshirë nga të gjithë kolegët që i kam në krah, që të vijë një moment i tillë, sepse të gjithë kemi qenë të përgatitur që kjo është një vepër e vështirë”, thotë Malaj.

Teksa këmbëngul në rrëfimin e tij, publiku e ka të vështirë të dallojë aktorin nga personazhi. Tristan Halilaj ka marrë prej historive të atyre që kanë pësuar abuzime në fëmijëri, dhe e sjellë të gjallë frikën por edhe dhimbjen e tyre.

“Jam munduar ta përjetoja sa më shumë dhe që të mundohesha që të ndërtoj një karakter me situata reale, duke e krahasuar me njerëz te tjerë që si kam pasur të afërt”, tregon Halilaj.

Sa më shumë që personazhi përsërit rrëfimin e akuzat, aq më tepër kundërshtohet. Sa i besueshëm mund të jetë ai, me depresionin e alkolin në të kaluarën e tij… Kush nga të ftuarit në tryezë e di çka ngjarë e kush jo?! Për të vëllanë Majkëllin, që interpretohet nga Florian Agalliu, çka po dëgjon smund të jetë tjetër veçse fryt i një momenti çmendurie… Ndaj Kristianin e  largojnë dhunshëm nga tryeza, e përpiqen ta ndalojnë në çdo formë…

“Skena më e vështirë mendoj është për mua skena e pyllit, në teatër kemi karriget e publikut që i kemi përdor si pyll e për mendimin tim duhet të behet një aktrim rrethanor, duhet të mendoj sikur në jam në pyll, por nuk jam. Kjo për mendimin tim është ndër pjesët sa të vështira aq edhe të bukura” thotë Tristan.

Pas të gjitha këtyre ndodhive, Festa nuk ndërpritet, as lajkat ndaj kryefamiljarit, ku përfshihen edhe miqtë e interesat për rrjetin e hotelerisë që Helge zotëron… Helmuti dhe Poli, nën interpretimin e Genc Fugës e Mehmet Xhelilit, sjellin qasjen e një shoqërie indiferente ndaj çka ngjan përreth duke u përqendruar tek ambiciet vetjake.

“Çështja është që në rast se unë e cilësoj vëllazëri, ajo vetëm vëllazëri nuk është. Është një rrjet i madh interesash, që në rangun e kompromiseve që bëhen ne e kategorizojmë si vëllazëri. Edhe në vepër cilësohet që ne mbajmë pozicionin tonë, ndonëse të vonuar. Duam më shumë argumente, kemi dëgjuar krahun e kundërt dhe ballafaqohemi pastaj me të vërtetën. Aty të dy karakteret tona si Helmuti dhe Poli kanë pozicionet e tyre, sipas përthyerjes se tyre. Një barometër shumë i mirë, kombinim interesash do të thoja.

Kombinim interesash që vazhdon sikur të mos kishte ndodhur asgjë gjatë gjithë bisedës. Në momentin që ti heq turpin ti je i gatshëm të bësh gjithçka. Në rast se heqim turpin, moralin dhe kolona të tilla të njerëzimit, patjetër qe ne bëjmë pakt në këtë pikëpamje”, thotë aktori Genc Fuga.

Gjendja e Kristianit ka një autor, por pakti i heshtur për ta fshehur gjithçka ka ndodhur, është edhe brenda familjes, derisa kupa nis të derdhet dhe e vërteta bëhet e pamohueshme… Publiku befas përballet me shëmbëlltyrën perfide të rrëfimit të Kristian… Babai është i gjunjëzuar!

“Ato janë dy goditje shumë të mëdha, jo vetëm për mua, por për te gjithë darkën. Helge vjen një moment që nuk i përballon dot, paçka se në karakterin e tij, që në fillim, që në debatet e para që ka, ky është një mjeshtër i kamuflimit dhe kalimit të situatave. Ky përpiqet që të kalojë gjithçka dhe tja lërë tjetrit në kurriz. Vjen një moment i fundit, që Majkëlli apo Flori kanë një shpërthim të jashtëzakonshëm karshi tij, sikundër do ta kishte çdo fëmijë me babanë e tij, dhe aty nuk mban dot më. Është e pamundur”, thotë Malaj.

Autori zgjedh poshtërimin e vetminë si ndëshkim për këdo që vret pafajësinë, ëndrrat fëminore, por a është mjaftueshëm?

“Nuk është mjaftueshëm. Ne në skenë nuk mund të japim më shumë, autori mjeshtërisht e ka dhënë atë shuplakë që merr ky si individ dhe kjo si problematikë. Një pervers i mirëfilltë është ky personazh, ne e kemi jashtë vetes sonë dhe e kam pasur shumë të vështirë personalisht. Jo të vështirë, por dhe sot e kam të vështirë, nuk mund ta përtyp dot si individ një gjë të tillë”, tregon Malaj.

“Përvjetori i ditëlindjes” nxit reflektim… Shtyn publikun të mos ushqejë me indiferencë të keqen e nxit viktimat e dhunuara të reagojnë… Vogëlushja Elja Bitraku që u bie çaparëve kërkon të dëgjohet mesazhi, në emër të fëmijëve që s’kanë zë…

“Është shumë e nevojshme të kuptojmë, të reflektojmë, t’i rrisin më mirë fëmijët tanë. Të mos lejojmë të krijohen zinxhirë deri ne pikën që mund të përfundosh në një përbindësh. Janë shumë ide brenda, ne nuk duam të bëjmë moral, por duam të nxisim njerëzit të kuptojnë më shumë, të reagojnë. Në pjesë ka personazhe që dinë dhe nuk flasin, kam përshtypjen se dhe ata janë bashkëfajtorë. Kjo pjesë duam që të ndihmojë dhe ata që janë të dhunuar që të bëjnë një hap para”, shton më tej Bitraku.

Bitraku ka futur në qark çdo spektator, për ti bërë të kuptojnë nga afër ç’ndodh në rrathët e dhunës. Për t’i ndërgjegjësuar, që të mbështesin, për të krijuar së paku garancinë morale për fëmijët e ngecur në pusinë e abuzimit, se nuk janë vetëm… Shfaqja nis në 27,28, 29 maj e do të vijojë përgjatë gjithë muajit qershor.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla