Negociatat, Rama: Pres që
Merkel të na mbështesë fort

Negociatat, Rama: Pres që<br />Merkel të na mbështesë fort
Kryeministri Edi Rama flet në Top Story për pritshmëritë që ka nga mbledhja e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në mes të dhjetorit për çështjen e negociatave të anëtarësimit.

Kreu i qeverisë rrëfen takimin me kancelaren Angela Merkel në Berlin dhe garancitë e marra prej këtij takimi. Rama shprehet se Shqipëria do ketë mbështetjen e Gjermanisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.  

Rama theksoi se nga kjo mbledhje e rëndësishme pret që Këshilli Europian të mirëpres rekomandimin pozitiv dhe të inkurajoj procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke qenë i hapur për të konsideruar çeljen e negociatave në një datë, kur ne të kemi nisur zbatimin e Vetingut”.

Kryeministri Rama vlerësoi se vizita e tij në Berlin shkoi shumë mirë, në kuptimin e forcimit të mëtejshëm të një marrëdhënie tanimë speciale. “Të mos harrojmë se në tre vjet kemi pasur 3 takime zyrtare bilaterale me Kancelaren Merkel dhe kjo është shprehje e një vullneti shumë të mirë, jo vetëm nga ana jonë por nga ana e Gjermanisë për të ndërtuar një marrëdhënie speciale me Shqipërinë”, tha Rama.

Lajmi i mirë, sipas tij, është që Gjermania mbështet plotësisht Shqipërinë në një proces si ai i Berlinit dhe në një moment shumë delikat për vetë BE-në, por edhe jo të zakonshëm për Gjermaninë që përgatitet të hyjë në zgjedhje, ne kemi marrë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave. “Rekomandimi i bëhet Këshillit Europian dhe ka një kusht: që duhet të fillojë zbatimi i ligjit të Vetingut dhe duhet të ecet me progres në fushat që përfshijnë 5 prioritet kyçe në rrugën drejt anëtarësimit. Këto prioritete do të na shoqërojnë deri në anëtarësimin e plotë në BE. Në këtë kontekst, mbështetja e Gjermanisë është e domosdoshme, por edhe e rëndësishme në momentin jo fort pozitiv brenda BE-së, në raport me politikat e zgjerimit dhe përballë populizmit anti-BE që shkon duke u fryrë dhe jo duke u ulur”, shtoi ai.

Kryeministri komentoi edhe deklaratat e fundit në Tiranë të kryetarit të Komisionit Parlamentar për Çështjet e BE-së pranë Bundestag-ut gjerman, Gunther Krichbaum. Sipas Ramës, “ai foli në cilësinë e një deputeti të grupit parlamentar të CDU-së dhe nuk ka asnjë gjë të pazakonshme dhe të panatyrshme në faktin që brenda grupeve parlamentare ka dhe do të vazhdojë të ketë një debat lidhur me qasjen në procesin e integrimit të vendeve të tjera në BE”.

Rama tha se “në dhjetor ne nuk presim një datë. Data do të vendoset kur të ketë filluar zbatimi i procesit të Vetingut. Nënvizimi i Kancelares se në vitet e fundit Shqipëria ka bërë ndryshim rrënjësor është maksimumi i mbështetjes që mund të merrej në Berlin. Dhe nënvizimi i Kancelares se tanimë më e rëndësishmja është bërë, po të kemi parasysh tonin e saj të përmbajtur, është një kompliment i jashtëzakonshëm për cfarë ka bërë ky vend në këtë proces”, vijoi Rama.

Intervista

Që ka një marrëdhënie speciale mes zyrës së Merkel dhe ju kjo tashmë dihet dhe nisma e Berlinit, fakti që disa herë ju ka promovuar, por sa frytdhënëse po kthehet kjo për Shqipërinë? Të mos harrojmë që vizita juaj e fundit në Berlin ditën e hënë ishte një moment kyç dhe delikat sa i përket procesit të integrimit të vendit, hedhjes së hapit të mëtejshëm që të gjithë e presim, por që deri më tani askush nuk e beson se do të ndodhë. Prej disa javësh, edhe ju vetë në mos gaboj në rrjetet sociale keni njoftuar që më 28 nëntor do të ketë një lajm të mirë për Shqipërinë. Cili ishte lajmi i mirë që ju sollët për Shqipërinë?
Lajmi i mirë është që Gjermania mbështet plotësisht Shqipërinë në procesin e integrimit dhe në një moment delikat për BE, por jo të zakonshëm edhe për Gjermaninë që përgatitet të hyjë në zgjedhje. Ne kemi marrë një rekomandim pozitiv për çeljen negociatave nga KE. Rekomandimi i bëhet KiE. Ka një kusht që është fare i natyrshëm, që duhet të nisë zbatimi i Vettingut dhe ndërkohë duhet të ecet me progres në fushat që përfshijnë pesë prioritetet kyçe për rrugën drejt anëtarësimit. Në këtë kontekst besoj që mbështetja e Gjermanisë është e rëndësishme për shkak të asaj që thashë, të një momenti jo fort pozitiv brenda BE-së në raport me zgjerimin dhe përballë një dallge populizmi anti-BE që shkon duke u fryrë.

Në fakt të gjithë prisnim çfarë do të thonte zonja Merkel edhe për shkak se pak më herët, një deputet i Bundestagut që merret direkt me çështjet e zgjerimit, zoti Krichbaum erdhi dhe bëri një deklaratë shumë të prerë, të qartë dhe negative sa i përket të ardhmes së këtij procesi. Me pak fjalë ai tha ‘shihemi pas 2018’ dhe përmendi jo 5, por 7 prioritete. A gjetët këtë gjuhë edhe tek Merkel, pasi nga ato që ne dëgjuam në konferencën për shtyp, në një farë mënyrë nuk ka asnjë dallim me ato që tha Krichbaum. Cili është lajmi i mirë për qeverinë dhe vendin që sillni ju ndryshe nga ajo që tha Krichbaum?
Së pari njëherë, zoti Krichbaum nuk erdhi këtu në cilësinë e kreut të Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag, por si një deputet i CDU/CSU dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme dhe të panatyrshme që brenda grupeve parlamentare të parlamenteve të BE-së ka dhe do të vazhdojë të ketë një debat lidhur me qasjen ndaj zgjerimit. Në deklaratën e kancelares nuk ka absolutisht asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa çka në rekomandimin e KE. Nuk bëhet fjalë për kushtet të reja. Ka vetëm një kusht dhe të tjerat janë të gjitha kritere që do të na shoqërojnë deri në ditën e anëtarësimit, jo të hapjes së negociatave. Diskutimi i brendshëm në grupin parlamentar të kancelares apo në parlamente të tjera të vendeve të BE-së është mëse i natyrshëm. Fakti është që kjo nuk është koha e parlamenteve. Ata do të shprehen vetëm kur të vendoset një datë dhe në dhjetor ne nuk presim një datë, pasi data do të vendoset kur të ketë filluar zbatimi i Vettingut dhe bashkë me këtë proces të jetë rikonstatuar që Shqipëria po vazhdon të bëjë atë progres që kancelarja e nënvizoi shumë qartë. Nënvizimi i kancelares së në vitet e fundit Shqipëria ka bërë ndryshim rrënjësor dhe se kjo konstatohet edhe nga vetë KE, është maksimumi i mbështetjes dhe inkurajimit që mund të merrej në Berlin, ashtu sikundër nënvizimi tjetër i Kancelares se ‘tanimë më e rëndësishmja është bërë’, po të kemi parasysh tonin e saj në komunikim që është gjithmonë një ton shumë i përmbajtur, është një kompliment i jashtëzakonshëm për ato që kemi bërë në këtë proces. Kam qenë me kancelaren para se të merrnim statusin e vendit kandidat, kemi bërë një konferencë shtypi pas takimi, ndërkohë që kjo ishte një konferencë para takimit dhe në atë konferencë kancelarja nuk e ka thënë që Gjermania do të mbështesë dhënien e statusit kandidat, por vetëm pak kohë më pas mbështeti dhënien e statusit.

Prisni të ndodhë e njëjta gjë edhe më 13-15 dhjetor? 
Unë pres që Gjermania të jetë mbështetja jonë kryesore në mbledhjen e rëndësishme të dhjetorit. Ajo që dëshirojmë është që KiE të mirëpresë rekomandimin pozitiv dhe të inkurajojë procesin duke qenë i hapur për të rikonsideruar hapjen e negociatave me një datë në momentin kur ne të kemi filluar zbatimin e Vettingut. Pra, ne nuk kemi çfarë kërkojmë më shumë, as Gjermanisë, as KiE, as KE sepse sot ne jemi të bllokuar brenda nesh nga Partia Demokratike që ka çuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Pra, edhe ju si Qeveri nuk prisnit që të kishte datë, as para ardhjes së Krichbaum?
Para se të shkoja në Berlin dhe para se deputeti Krichbaum të vinte këtu, nuk kemi folur asnjëherë për një datë në mes të dhjetorit sepse ka një kusht dhe ai është fillimi i zbatimit të ligjit të Vettingut.

Përtej konferencës për shtyp dhe informacioneve nga burime brenda për shtyp, çfarë mund të thoni më tepër nga ky takim? Çfarë u tha aty që nuk u tha në konferencën për shtyp?
Nuk është aspak e natyrshme që çfarë thuhet në një takim me dyer të mbyllura të kthehet në pjesë e komunikimit publik, por mund të them që në takim ka ndodhur ajo që kancelarja njoftoi në fund të konferencës për shtyp, kur tha se ‘tani do të flasim më në detaje për sesi Gjermania do të mbështesë Shqipërinë që të zotërojë rrugën e progresit të mëtjeshëm’. Kemi folur saktësisht për këtë.

Ju thoni që është vetëm Vettingu dhe asgjë tjetër? Pra nuk janë zgjedhje? Nuk është lufta kundër krimit të organizuar, kundër drogës? Nuk është dekriminalizimi?
Të gjitha të tjerat që kanë të bëjnë me pesë prioritetet janë kritere që do t’i kemi në tavolinë deri kur të anëtarësohemi. Pra gjithë procesi i negociatave do të jetë një proces që do të gjykohet mbi bazën e përmbushjes së plotë të kritereve. Këto nuk janë kushte. Ato janë aty dhe do të jenë aty dhe siç e tha kancelarja ‘janë çështje të përhershme të rendit të ditës’. Pra nuk bëhet fjalë për kushte që po na vihen tani përpara. Bëhet fjalë për kritere që kemi ditur, i dimë dhe do t’i kemi para syve deri kur Shqipëria të anëtarësohet në BE. 

Si shpjegohen deklaratat e Krichbaum? Ju folët edhe më shefin e tij, që është kreu i Bundestagut, zotin Lammert. Si shpjegohet ky pozicion kaq verbalisht i ndryshëm nga një përfaqësues shumë i lartë i parlamentit gjerman?
Nuk është vetë rasti në fjalë. Një tjetër deputet në parlamentin austriak ka bërë një deklaratë të ngjashme, ndërkohë që Austria është në grupin e vendeve që kërkojnë nisjen e negociatave menjëherë, edhe pa nisjen e Vettingut, ashtu si disa vende të tjera që janë rreshtuar në një pozicion të themi të avancuar. Të gjitha këto janë të natyrshme dhe konkluzioni është një kompromis mes vendeve që ne shpresojmë ta kemi në funksion të mirëpritjes së rekomandimit të KE. Këshilli Europian mund edhe të mos e mirëpresë rekomandimin e Komisionit.

Pra ju e prisni këtë? Mund të ndodhë edhe kjo?
Teorikisht mund të ndodhë që të thotë jo. E ka bërë edhe në raste të tjera. Ajo që ne presim dhe që është më e mira për ne është që ky proces të vazhdojë. Mirëpritja e rekomandimit do të thotë që për BE-në negociatat mund të hapen në çdo moment që Shqipëria është gati dhe gati nënkupton nisja e zbatimit të Vettingut dhe nisja e spastrimit të pallatit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Kjo quhet gati për BE-në. Po ta kishim nisur këtë menjëherë dhe opozita mos e kishte çuar në Gjykatën Kushtetuese, fare mirë mund të kishim që tani miratimin e Këshillit për një datë. Konteksti nuk është ideal për shkak se ka zgjedhje në Gjermani, në Francë, Holandë që janë vende me peshë të rëndësishme në këtë proces dhe që kanë dinamikat e tyre të brendshme që ne e kuptojmë plotësisht.

Këta vende mund të jenë lokomotivat, por mos harrojmë që në BE çdo votë është e njëjtë. Pra edhe Greqia ka të njëjtën votë. Ku e fusni Greqinë? Tek vendet që do të mbështesin këtë proces?
Greqia është një vend që historikisht në procesin e integrimit ka qenë pjesë e grupit më të avancuar dhe ka mbështetur gjithnjë këtë proces. Uroj që situata, në kendvështrimin tim, artificialisht e tensionuar së fundmi për shkak të një mungesë gatishmërie nga ana e miqve tanë grekë për të mirëkuptuar çfarë ne kemi parasysh kur flasim për çështjen çame, të mos ndikojë në këtë proces.

Artificialisht e ndjeni veten pak përgjegjës? 
Përgjegjës që them të vërtetat e thjeshta të shqiptarëve s’kam sesi ta ndjej dhe përgjegjësia ime kryesore, siç e kuptoj unë detyrën time është kjo; të vërtetat e thjeshta të shqiptarëve, dinjiteti i këtij vendi dhe i njerëzve të këtij vendi nuk negociohet për asnjë arsye dhe në asnjë lloj konjukture. Nuk mund të bëjmë sikur s’kuptojmë apo ta qepim gojën sepse taktikisht mund të na kthehet në pasojë.

E thënë më troç ju jeni sot më tepër partizan i idesë që t’i mëshoni i disa të vërtetave që janë edhe me koston që Greqia mund të në bllokojë, qoftë edhe përkohësisht këtë proces? Të paktën zoti Kotzia këto 2-3 ditët e fundit e ka lënë të kuptohet kjo.
Nuk dua të besoj që fqinjët tanë mund të bien kaq poshtë sa të shfrytëzojnë pozicionin e tyre në BE për të penguar ecurinë e natyrshme të Shqipërisë në këtë proces sepse ndër të tjera nuk është as në interesin e tyre.

Në ç’kuptim?
Nuk ka asnjë interes strategjik Greqia që të hapë një avaz të kësaj natyre me Shqipërinë.

Ato probleme që ju keni ngritur janë të gjithë probleme që qëndrojnë dhe janë probleme që duhet të marrin një zgjidhje. Duke qenë se jeni Kryeministër i vendit dhe keni edhe përgjegjësi të tjera, mos duhet të kishit gjetur një zgjidhje më të përshtatshme për situatën? 
Fatkeqësisht tingëllojnë ndoshta si shurdhuese në veshët e fqinjëve tanë për shkak se është heshtur për një kohë të gjatë për këto çështje, ky nuk është problemi im dhe as problemi ynë. Si mund të heshtim kur një gazetar i Top Channel (Marin Mema) është shpallur person non grata në Greqi që është një vend i BE-së dhe prej katër vjetësh nuk kalon dot kufirin e atij vendi për arsyen se ka bërë një reportazh nga zona ku dikur banonin shqiptarët e Çamërisë. Në çfarë manuali të lirive dhe të drejtave që janë në bazë të të qënit të familjes europiane mund të gjendet një klauzolë që justifikon një gjë të tillë? Si mund të heshtim kur njerëz të moshuar, 80 vjeç nuk hyjnë dot në Greqi thjesht dhe vetëm sepse kanë lindur në atë vend që është Çamëria dhe nuk hyn dot si vizitor, por kthehen mbrapsht që në kufi. Këto janë gjëra të thjeshta, por janë bërë shumë të rënda sepse janë të vërteta të thjeshta të mohuara, ndaj them që ngritja e tensionit është artificiale pasi nuk ka një bazë. Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë. Shqipëria nuk ka një projekt ndryshimi kufijsh apo zgjerimi të vetvetes në territoret fqinjëve. Shqipëria kërkon një fqinjësi të mirë dhe një partneritet strategjik me Greqinë. Shqipëria i është mirënjohëse popullit grek për gjithçka ka bërë që qindra-mijrë shqiptarë që dolën nga ferri i diktaturës të integrohen në atë vend. Nëse na thuhet që çështja çame nuk ekziston, ky është një pozicion, që ne jo vetëm nuk mund ta pranojmë, por rruga për ta trajtuar këtë çështje nuk është ngritja artificiale e tensioneve, as refuzimi për të folur për këtë çështje dhe as shtyrja e mëtejshme e kësaj çështje apo çështje të tjera që janë të së shkuarës e na dalin përpara duke na penguar për një marrëdhënie vëllazërore.

Po t’u rikthehesh këtyre deklaratave dhe kundërdeklaratave duhet thënë që origjina ka qenë në Tiranë, reagimi ka ardhur nga Athina. Çështja çame, ligji i luftës, deri tek çështja e Marin memës janë çështje që mund të diskutohen, por të ngresh çështjen e Akropolit dhe shpëtimtarit të tij shqiptar….
Unë nuk kam ngritur asnjë çështje për Akropolin. Unë kam folur për një fakt historik dhe as nuk e kam imagjinuar që do të kishte një reagim aq absurd. Kjo nuk do të thotë që unë kam pretenduar që Akropoli është shqiptar apo që Athina është shqiptare. Këto janë arsye për të patur më shumë respekt për Shqipërinë dhe shqiptarët, që në historinë e tyre nuk kanë të shënuar asnjë akt agresioni ndaj të tjerëve, por akte pafund bashkëpunimi me të tjerët. 

Ju thatë që shumë vende kanë zgjedhje vitin tjetër, ka edhe Shqipëria dhe shumë veta e shohin rritjen e kësaj retorike nacionaliste nga ana juaj e lidhur me zgjedhjet?
Unë nuk kam qenë, s’jam dhe nuk mund të jem nacionalist. Unë jam patriot dhe përsa kohë kam nderin që të jem ulur në krye të qeverisë e kam detyrim të bëj  këtë që bëj dhe ju kujtoj që në programin e PS, përpara se të fitonim zgjedhjet është e shkruar çështja çame. Pra, nuk ka lidhje me zgjedhjet e ardhshme. Është një angazhim i marrë kohë më parë dhe nuk ka lidhje me zgjedhjet e ardhshme. Gegët dhe toskët e Shqipërisë nuk kanë asnjë problem me Greqinë dhe kufirin që na ndan, çamët kanë një problem sepse pengohen në kufi dhe kjo është diçka e pakuptueshme.

Ne e kemi në Kushtetutë që shteti amë kujdeset për shqiptarët dhe problemet e tyre jashtë kufijve…
S’është çështje jashtë kufijve kjo. Është çështje brenda kufijve. Është çështje shqiptare, shqiptarësh. Ajo zonja që më takoi mua 80 e kusur vjeç e që qante se ëndërronte që të shkonte edhe njëherë në fshatin nga ku është shkulur me dhunë dhe ku ka lënë kockat e të gjithë familjarëve të vet, është shqiptare, është një zonjë e vjetër që mund të ndahet nga jeta me këtë peng të madh.  

Ajo që më bën përshtypje mua është se si ju, ashtu edhe paraardhësi juaj, kur uleni në atë karrige bëheni më patriot nga ç’keni qenë më përpara. Më kujtohet fjalimi i ish-Kryeministri Berisha në konferencën e sigurisë në Mynih ku foli për boshtin antishqiptar dhe ju tingëlloni thuajse njëlloj.
Unë nuk kam folur ndonjëherë për influenca antishqiptare.

Pse ne rusët aty i radhisim?
Rusët nuk janë antishqiptarë. S’kanë asnjë lidhje me ndonjë vokacion antishqiptar. Unë kam mbajtur pozicione koherente. Nëse gjeni në historinë e jetës time politike deklarata nacionaliste, zjarrvënëse apo zjarrnxitëse, atëherë flasim. Krahasimi që më bëhet me Saliun është shumë simplist pasi nuk ka asnjë lidhje.

Berisha la të kuptohej në Parlament se ka qenë një forcë e tretë ajo që shtyu opozitën e dikurshme që të çonte çështjen e kufirit detar në Gjykatën Kushtetuese, deri diku u mbështet edhe nga Kotzias pak ditë më parë.
Për një njeri, për një individ që mund të flasë publikisht dhe nuk ka qenë President apo Kryeministër i këtij vendi ky mund të quhej gomarllëk me brirë, ndërsa një person që ka qenë President dhe Kryeministër i këtij vendi, kjo është më shumë se kaq. Ju them thelbësisht shpifje sepse ne nuk jemi nxitur nga asnjë forcë e tretë dhe nga askush përveç vetëdijes tonë kombëtare dhe interesit tonë kombëtar kur kemi ngritur çështjen kombëtare. PS ka bërë shumë gabime në të shkuarën, mund të ketë momente jo fort për t’u krenuar kur ka qeverisur, por ka meritën e padiskutueshme që në asnjë qëndrim të sajën PS nuk e ka cënuar interesin kombëtar dhe më lejoni të kujtoj se nuk ka qenë PS dhe as kryetari paraardhës dhe as kryeministrat e PS që kanë thyer embargon ndërkombëtare për të furnizuar me naftë makinerinë e luftës së Sllobodan Millosheviçit. Nuk ka qenë PS që i kanë rënë ndesh procesit që hapi rrugën e çlirimit të Kosovës dhe nuk ka qenë PS që kanë mallkuar publikisht UÇK dhe nuk kanë lënë fjalë pa thënë për ta diskredituar atë që në fillimin e saj.

I keni dhënë çelësin e Tiranës një muzikanti të njohur, i njohur edhe për bindjen e tij çetnike…
I kam dhënë çelësin e Tiranës një artisti të madh si artist dhe vizitor në shtëpinë tonë. Çelësi ka qenë shprehje e të qënit ne të ndryshëm nga ata në atë kohë. 

Kam patur këtu ministrin e Jashtëm të Kosovës, zotin Enver Hoxhaj që tha se deklarata e tij, pikënisje e një vorbulle të madhe përplasjesh lidhur me rolin tuaj personal si Kryeministër i Shqipërisë në këtë trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Beograd. Prishtina duket sikur nuk është aq entuziaste për rolin tuaj.
Replikat e ashpra i kanë bërë ata që nuk kanë asgjë në dorë. Nuk ka patur asnjë replikë mes atyre që kanë gjerat në dorë. 

Hoxhaj e ka thënë tekstualisht që sa i përket Beogradit, Tirana duhet të trokasë fillimisht në derën e Prishtinës.
E ka thënë, por ne po flasim për replika dhe replika nuk ka asnjë mes meje dhe kryeministrit të Kosovës, mes ministrave të Jashtëm dhe aq më pak mes meje dhe Presidentit të Kosovës. Jemi në një vijë dhe po diskutojmë dhe konsultohemi shumë më tepër nga sa mund ta imagjinojnë ata që u hodhën me kokë me shpresën se do ndiznin një zjarr mes nesh dhe në fakt ndezën një zjarr të panevojshëm në publik për një gjë të thjeshtë. Unë jam Kryeministri i Shqipërisë, flas për Shqipërinë por kam folur dhe do të flas deri kur të kem frymë për Kosovën, shqiptarët në Luginën e Preshevës, shqiptarët në Maqedoni, për shqiptarët në Mal të Zi. 

Jo në emër të tyre ama. Ata janë shtet më vete.
Asnjëherë në emër të tyre. Gjithmonë ne emër të Shqipërisë.

Zoti Hoxhaj në këtë studio në fakt ka pretenduar të kundërtën. Hoxhaj ka thënë që për vizitën e fundit gjërat nuk kanë qenë të koordinuara si për herët e tjera.
E vërteta është që unë kam folur vazhdimisht dhe flas vazhdimisht me Presidentin e Kosovës dhe Kryeministrin e Kosovës, nuk kam linjë zyrtare me ministrin e Jashtëm të Kosovës.

Kur ju flisni në Beograd për pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve, kjo në Kosovë merr një konjotacion përtej asaj që mund të kemi ne të tjerët...
Në Kosovë ju siguroj…Kosova nuk janë portalet e Kosovës, Kosova është populli i Kosovës dhe me popullin e Kosovës marrëdhëniet e mia janë të shkëlqyera dhe mbështetja që kam marrë në dy herët që kam shkuar në Beograd nga populli i Kosovës ka qenë e jashtëzakonshme sa është një motiv më shumë që unë kudo ku të kem mundësi që kur vjen puna për Kosovën, t’i them gjërat pa arra në gojë dhe siç dëshiron çdo shqiptar i Kosovës që të thuhen. 

Keni folur me shqetësim për rritjen e influencës ruse në Ballkan përballë zbehjes që ka të BE. Mund të na thoni diçka më shumë për këtë? Pra keni sinjale nga shërbime inteligjente tonat apo të huaja?
Unë nuk flas për diversantë, por për strategji. Është e qartë që Rusia ka një strategji për të qenë më influente në rajonin tonë dhe nëse do të bëja një krahasim do të thoja që në anën e BE ka luhatje të qarta për zgjerimin, ndërsa në anën e Rusisë strategjia është e qartë e dukshme e prekshme dhe pa luhatje. Këtë kam thënë dhe ky është një fakt që nuk e kam zbuluar unë.

Diversantë në kuptimin e Enver Hoxhës nuk ka, por ka diversione të natyrave të ndryshme. Sot kemi rinumërim votash në Ëisconsin dhe argumentimi është ndërhyrja e hakerave rusë në procesin e votimit atje. Merkel e shprehu këtu shqetësim hapur kur tha që rusët mund të ndikojnë direkt në procesin e votimit në Gjermani vitin e ardhshëm. Ne i dijmë situata në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Pra nuk flasim thjesht për influencë, por për aksione konkrete.
Po flasim për një mendim që nuk e ka zbuluar unë, por e kam nënvizuar që është në sy të të gjithëve. 

Këtu më dukeni si Donald Trump, që thoshte kur fliste se në kohënqë këtej ka kaos, Putin është i qartë në qëndrimet e tij...
Unë nuk thashë që këtej ka kaos, unë thashë që strategjia e Rusisë është koherente dhe këmbëngulëse në çdo veprim dhe kjo duket qartë edhe në Ballkan. 

Ju si do ta përballonit si kryeministër i një vendi të vogël ku ndikimi rus nuk është se është larguar, përkundrazi, aktiviteti diplomatik i federatës ruse është shtuar së fundmi. Ju si do ta përballonit?
Shqipëria ka qenë një ndër vendet anëtare të NATO-s që brenda aleancës ka mbështetur qasjen e re të samitit të fundit në raport me Rusinë, që është shtrëngim dhe dialog. Ne e kemi mbështetur këtë qasje dhe ne nuk kemi armiqësi me Rusinë, përkundrazi dhe fakti që jemi tërësisht të orientuar në vijën tonë drejt Perëndimit, nuk na pengon që me Rusinë të kemi një dialog. Megjithatë, këtë nuk e vendosim ne, pasi duhen dy për të hedhur një valle.

Shqipëria ka një batalion në vendet balltike në kuadër të NATO-s.
Shqipëria është një anëtar i vogël i NATO-s dhe do të marrë pjesë në gjithë operacionet e NATO-s. 

Në kuadër të dialogut, ju do ta takonit Vladimir Putinin?
Nuk ka qenë asnjëherë në rendin e ditës një gjë e tillë, por nëse do të vendosej, nuk do të kisha asnjë ngurrim që ta takoja.

Përse ky aktivitet kaq i shtuar i juaji në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare?
Është pjesë e programit tonë qeverisës. Ne kemi ndërtuar me vizion dhe me qëllime të hapura një politikë të jashtme dinamike, jo pasive që padyshim nuk negocion dinjitetin e këtij vendi dhe që nxit procesin e rritjes së cilësisë së paqes që është arritur në Ballkan dhe e vetëdijshme kjo Qeveri që Shqipëria është e vogël, por në këtë Europë ku jetojmë dhe në këto dinamika të reja Shqipëria duhet të jetë e vëmendshme, e qëndrueshme dhe e zëshme, jo me frikën se po thamë të vëretë do na mërzitën fqinjët. 

Në programin elektoral të 2013 patët atë që quajtët zero probleme me fqinjët dhe unë po ju numëroj që sot probleme kemi me Greqinë, që faktorin shqiptar në zgjedhjet e Malit të Zi nuk arritëm t’ja shtojmë vlerat, me Kosovën dështuam në përpjekjen e përbashkët për anëtarësimin në UNESCO, ndërkohë tensionet u shtuan për shkak të vizitës tuaj në Beograd dhe kemi zgjedhjet pas pak ditësh në Maqedoni dhe faktori shqiptar vazhdon të jetë më i përçarë se kurrë dhe dora e Tiranës thuajse nuk ndihet atje.
Më numëruat gjithë këto vende me të cilat ne nuk kemi asnjë problem, përveç Greqisë me të cilën synojmë të shkojmë drejt realizimit të plotë të qëllimit të politikës tonë zero probleme me fqinjët, që do të thotë të diskutojmë problemet e trashëguara nga e shkuara. Me qeverinë greke kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë. Kemi grupe pune të përbashkëta. Kemi grupe pune në nivel teknik, grupe pune në nivel politik dhe vazhdojmë të flasim. Me Kosovën kemi bërë avancime kolosoale dhe sot numërojmë një sërë gjerash që kemi arritur falë ndërveprimit të ngushtë mes qeverive. Me Serbinë kemi një problem të madh që është Kosova, por kemi avancuar në një axhendë bashkëpunimi dhe që ndihmon konkretisht shqiptarët e Preshevës. Me Maqedoninë asnjëherë nuk kemi synuar që të fusim hundët në jetën e brendshme politike të atij vendi.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë