Mes baletit dhe letërsisë, por edhe si bashkëshort e baba i dy fëmijëve, mjeshtri i baletit Llaqi Nako ndau në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, copëza nga jeta e tij, duke dhuruar emocione të forta. Tetëdhjetë vite jetë, plot sfida, arritje, pengje dhe krenari. E kur kthen kokën pas, ndjen respektin dhe vlerësimin e një publiku që e ka duartrokitur gjithmonë.
"Kam bërë detyrën time, por ka disa gjëra që më bëjnë të ndihem mire, produkti i punës sime sot, ka emra që dominojnë skenën shqiptare dhe atë ndërkombëtare. Më gëzon një telefonatë apo një mesazh nga ish-nxënësit që më kujtojnë. Dua të tregoj një rast që më ka prekur shumë. Një ish-nxënësi im, i cili prej vitesh ka ndërtuar karrierën në Amerikë, erdhi në Shqipëri dhe realizoi një koncert në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. U ndjeva i nderuar për vlerësimin që më dha, duke më cilësuar si një nga njerëzit më të rëndësishëm të jetës së tij artistike. Ma bëri zemrën mal", u shpreh i emocionuar Nako.
Mjeshtri i baletit zbuloi se dashuria e tij e parë ka qenë libri. Ai rrëfeu se letërsia e ka shoqëruar që në fëmijëri dhe ka ndikuar fuqishëm në formimin e tij.
"Kam botuar tre romane dhe një libër me poezi. Libri është dashuria ime e parë dhe e vërtetë. Më ka shoqëruar që në hapat e parë të jetës. Brezi të cilit i përkas nuk kishte shumë alternativa argëtimi, përveç librit, por fatmirësisht kishte një larmi të madhe botimesh. Fillimisht imitoja autorët që lexoja dhe, hap pas hapi, arrita te veprat e Shekspirit, të shqipëruara nga Fan Noli. Më pas nisa të shkruaja edhe vetë poezi. Kjo më zhvilloi ndjeshmërinë ndaj figurave letrare dhe më shtyu të provoja vazhdimisht të shkruaja", tha ai.
Gjatë bisedës, Nako u ndal edhe te romani "Ersi", një histori dashurie e goditur nga paragjykimet.
"'Ersi' u ndërtua mbi një marrëdhënie shoqërore, e cila në kohën kur zhvillohet romani paragjykohej. Në mënyrë krejt spontane, Niku i thotë Ersit se duhet të fejoheshin dhe ajo pranon menjëherë. Romani nis në ditën e dasmës dhe më pas rrëfimi kthehet pas në kohë. Ajo që Niku priste në natën e parë të martesës e zhgënjeu. Ai e mori 'turpin' mbi vete, ndërsa Ersi, një vajzë me karakter të fortë, vendosi të ruante dinjitetin e saj", u shpreh autori.
Për Nakon, dashuria është një energji shpirtërore, shumë më tepër sesa një ndjenjë fizike.
"Dashuria ka të bëjë me shpirtin, është shumë më e thellë. Ne themi 'ra në dashuri', por dashuria nuk të rrëzon, përkundrazi, të ngre. Të duash do të thotë të depërtosh në shpirtin e tjetrit. Sot, për fat të keq, shpirti është tharë. Termi 'dashuri' shpesh lidhet me interesin apo intimitetin sipërfaqësor", u shpreh ai.
Në fund të intervistës, Llaqi Nako ndau edhe një nga momentet më emocionuese të jetës së tij. Ai tregoi historinë e autoportretit të së bijës, Alba, e cila nuk pranoi ta shiste veprën e saj edhe pse kaloi periudha të vështira ekonomike si shumë shqiptarë të tjerë që emigruan pas viteve 90’.
"Autoportreti që ime bijë realizoi në Bolonja ndodhet sot në shtëpinë time. Ai përfaqëson një periudhë shumë të vështirë të jetës së saj. Në fillim të viteve '90, si shumë shqiptarë të tjerë, ajo emigroi dhe jetoi në kushte të vështira ekonomike. Aty krijoi nje autoportret, dhe dikush i ofroi 10 mijë lireta për ta blerë autoportretin e saj, por ajo nuk pranoi. Nuk donte të shiste identitetin e saj", rrëfeu i emocionuar Llaqi Nako.
Emocionet e tij u shtuan edhe më shumë nga videomesazhi i së bijës, Alba, e cila prej 30 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara me familjen e saj.
"Ke qenë jo vetëm babai im, por edhe mentori dhe miku i zemrës sime. Të jam mirënjohëse për shembullin që ke qenë dhe vazhdon të jesh. Mos resht kurrë së frymëzuari dhe së krijuari", u shpreh Alba në videomesazhin që përloti të atin, mjeshtrin e baletit Llaqi Nako.
Komente










