Përveç pedagogëve dhe studentëve, autoritetet shëndetësore në vend po shqyrtojnë mundësinë për vaksinim të detyrueshëm edhe për disa profesione të tjera, ku shihet si domosdoshmëri për të mos pasur probleme në fuksionimin e tyre për shkak të COVID. Kështu ka deklaruar në një intervistë për Report Tv zv.Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Dritan Ulqinaku.

"Vaksinimi për kategori të tjera është një pyetje që po vihet në diskutim nga qarqet mjekësore. Absolutisht do kishte qenë mirë që vaksinimi të mos ishte i detyrueshëm, por ka disa poste që e kanë të pamundur të krijojnë hapësirën për të mos infektuar të tjerët sic mund ta kenë pedagogët, infermierët, kirurgët. E kanë të pamundur të rrinë 2 metra larg pacientit kirurgët. Vaksinimi shihet si i domosdoshëm që të mos infetkohet stafi ndihmës, kolegët, pacientët. Në këtë pikëpamje janë disa kategori që po shqyrtohen për të parë domosdoshmërinë e vaksinimit për të mos pasur problematikë në funksionimin e këtyre institucioneve", tha ai.

I pyetur për humbjet e jetëve te moshat e reja si pasojë e COVID, Ulqinaku tha se në dijeninë e tij nuk ka asnjë të vaksinuar me 2 doza që ka ndërruar jetë.

"Skam informacion për rastin konkret dhe mora vesh në linja të tjera humbjen e patriotit tim nga Shkodra. Se di kush ka qenë statusi i tij i vaksinimit. Në dijeninë time nuk ka persona të vaksinuar me 2 doza që të ketë humbur jetën në 2 muajt e fundit".

Sa i përket afganëve që do të strehohen në vendin tonë, numri dy të institutit të Shëndetit Publik tha se pasi t'u bëhet kontrolli mjekësor do t'u aplikohet edhe vaksina anti-COVID.

" Nuk besoj se ka ndonjë problem, janë marrë masat për afganët. Të gjithë personat mbi 18 vjeç do u ofrohet vaksinimi. Se shikoj problematike. Vaksinimi i tyre do jetë i nevojshëm. Pas kontrolleve do u ofrohet dhe vaksina", tha Ulqinaku.

Nga fillimi i tetorit Ulqinaku tha se pritet një normalizim i situatës së pandemisë në vend, pasi parashikohet të mos ketë rritje rastesh si në muajin gusht. Numri i të infektuarve sipas tij do të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë edhe me vaksinimin.

"Para shikimet tona janë se nuk duhet të vazhdojë me rritjen që ka pasur në muajin gusht. Nga fillimi i tetorit shpresojmë të kemi një normalizim në shifra të menaxhueshme.  Ka një lidhje të drejtpërdrejt përmes personave të vaksinuar dhe të infektuarve", tha Ulqinaku.

Nëse do të ketë rritje të rasteve me COVID, nëndrejtori i ISHP tha se mund të shtrëngohen masat anti COVID.  Nëse ka rritje infektimesh në rradhët e studentëve dhe pedagogëve, shihet si mundësi është mbyllja e shkollave. Sipas tij mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura duhet të jetë e detyrueshme. 

"Padiskutim që të gjitha variantet e masave janë të hapura. Mbajtja e maskave duhet të kthehet shumë shpejt e detyruar në ambiente të brendshme. Mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura duhet e detyrueshme. Për sa i përket masave do të shohim kategorikë specifike. Në rastin konkret janë niveli i sëmundshmërisë te nxënësit dhe te arsimtarët. Nëse kemi rritje rastesh në këtë kategori mund të propozohet në diçka e tillë. Nga klasa e parë deri në vitin e 5 në fakultet".

Apeli kryesor i mjekut epidemiolog Dritan Ulqinaku është vaksinimi, i cili sipas tij shmang vdekshmërinë dhe shtrimet në spital. 

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë u regjistruan 844 raste të reja, e ndërsa numri i të vaksinuarve ka shkuar mbi 1 mln. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,386,713 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 594,050 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës, megjithatë ekzistojnë edhe një numër i madh i qytetarëve që janë ende skeptik. Vaksinimi me detyrim ishte përjashtuar më herët si mundësi nga qeveria shqiptare, por nisur nga fakti që varianti "Delta" ka ndikuar në një rritje në shifra të frikshme të rasteve të reja ka bërë që shumë shtetet si Greqia, Italia, Britania e Madhe, mes tyre edhe Shqipëria të mendojnë hedhjen e këtij hapi.