“Vendosëm kështu, pasi shumë fëmijë të tjerë mund të shpëtohen, ishte e drejtë të bëhej kështu”­ thotë xhaxhai i Dejvisit i cili bashkë me nënën e tij, Blerinën vdiqën në aksident.

Familjarët kanë vendosur që të dhurojnë organet Dejvisit  për të shpëtuar jetë të tjera. Mediat italiane kanë shkruar për këtë rast duke e cilësuar si një veprim human të familjes shqiptare, e cila edhe pse është e shkatërruar nga dhimbja dhe humbja e madhe që po përjetojnë, mendojnë për jetët e tjera që mund të shpëtohen dhe kryejnë këtë gjest human.

Arian Alla, thotë se vendimi është marrë nga gjithë familja, sigurisht nga Hyseni, babai i djalit dhe bashkëshorti i Blerinës, po ashtu edhe nga të tjerët. “Vendosën të gjithë së bashku, gjithë familja Alla, pasi mësuan se për djalin nuk mund të bëhej më gjë, nuk kthehej më në jetë”­ thotë ai. Pas kësaj, u vunë në punë mekanizmat, lëvizi qendra e Transplanteve në Bolonja që solli ekipin e specializuar.

Katër kirurgë bënë nxjerrjen e organeve të rëndësishme nga trupi i të voglit, i cili ishte ndërkohë në vdekje cerebrale. “Menduam për fëmijët e tjerë, për atë që falë Dejvisit mund të kthehen në jetë”­ shton xhaxhai.

Kryefamiljari është shprehur: “Tani duam që funerali të bëhet sa më shpejt. Lajmi për humbjen e bashkëshortes dhe djalit tim është marrë vesh menjëherë, edhe në Shqipëri. Dëshiroj që të bëj dy funerale, një këtu dhe një në vendlindje”.

“Funeralin këtu e ka kërkuar shkolla ku Dejvis shkonte, një mënyrë për t’i dhënë lamtumirën shokut të klasës. E të gjithë së bashku, miqtë me familjarët e tyre, tashmë në shkollë po përgatiten që të nisin një iniciativë për ndihmë. Duan të na ndihmojnë ekonomikisht, pasi është edhe transporti për në Shqipëri. Për këtë falënderojmë të gjithë”, ka shtuar xhaxhai Arian, i cili në emër të vëllait të tij ka telefonuar shkollën për ta falënderuar.

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)