Nëntë piktorë nga Ulqini prezantojnë veprat në Muzeun Kombëtar

Nëntë piktorë nga Ulqini prezantojnë veprat në Muzeun Kombëtar

E kush nuk do të që të shkoj në Ulqin për një vizitë turistike apo për një çmallje mes vëllezërve të gjakut shqiptar. Por ja, këtë të shtunë e të diel, Ulqinin mundemi ta shijojmë në Tiranë e ta vëzhgojmë duke vibruar ndjesi përmes ngjyrave të fiksuara nga piktorët e tij. Ulqini, qyteti bregdetar me një histori të lashtë do të jetë i pranishëm për publikun e Tiranës deri më 31 mars në ekspozitën e sapoçelur që mban emrin “Piktorët Ulqinakë në Tiranë”.

Kjo ekspozitë vjen me vepra të zgjedhura të autorëve të njohur në Muzeun Historik Kombëtar, ku prezantohen punimet e piktorëve Bilal Nikeziq, Edin Kapllani, Jozo Koçoviq, Mersiha Resulbegoviq Mavriq, Naser Hasa dhe Vahida Hasanaga Nimanbegu, si dhe pikturat e piktorëve të ndjerë Gjergj Noc Martini dhe Rudi Goga.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë, përveç dhjetëra artdashësve: drejtoresha e Shtëpisë Botuese “Toena”, Irena Toçi, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, artisti dhe kritiku i artit, Abaz Hado, krtiku i artit Josif Papagjoni, kritik arti, Nënkryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu dhe Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, u shpreh se “Është një kënaqësi e madhe t'ju kemi sot këtu në këtë ekspozitë, ku më kanë befasuar pikturat me përshkrimin, ndërtimin dhe ndërthurjen e ngjyrave, të cilat shprehin dhe na paraqesin artin ulqinak dhe qytetin e Ulqinit me karakteristikat e tij”.

Ndërsa më pas Abaz Hado foli për dinamizmin e fortë në artin e pikturës të Ulqinit. Hado tha se “Arti i piktorëve nga Ulqini është një moment i bukur i shkëmbimit të vlerave tona mbarëkombëtare. Piktorët e Ulqinit nuk sjellin vetëm dritën e qytetit, por dhe një atmosfere moderne piktorike që kërkon subjektet në formë të ritmit dhe dinamikës së objekteve që organizohen në çdo element”.

Kritiku i artit, Josif Papagjoni, u shpreh se: “Ajo çfarë mund të fiksojë një piktor nga Ulqini janë: qyteti bregdetar me një histori të lashtë, kështjella, tërbimi dhe puthja e valëve mbi shkëmbinj, blerimi i butë dhe lulnajën këndellëse sipër tij, traditat e rrepta shqiptare, baladat dhe gjithë antropologjinë e tij të përvijuar nëpër shtresime kulturore shekullore. Këto piktura janë të punuara mirë dhe detaje".

Ekspozita vjen për publikun si nismë e Muzeut Historik Kombëtar, si dhe Institutit të  Librit dhe Promocionit dhe Organizata Turistike Ulqin. Në këtë ekspozitë prezantohen dhjetëra vepra në pikturë, që janë krijime të autorëve që kanë studiuar në shkollën e Beogradit, Prishtinës dhe më tej. Drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi, njëkohësisht dhe organizatore e ekspozitës shprehet se bashkëpunimi me autorët nga Ulqini është prej disa vitesh.

Drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi ka folur rreth nismës së marrë nga ky institucion për të prezantuar vlerat e artit Shqiptar jashtë kufijve.

“Disa prej tyre janë pjesë e kolonive të piktorëve qene kemi realizuar që prejvitit2014 dhe deri sot. Jo vetëm kur kemi qenë në Ulqin por kanë ardhur dhe në Shqipëri dhe kanë punuar bashkë me piktorë të tjerë shqiptarë. Kanë qenë pjesë e këtyre ekspozitave lokale që ne kemi bërë. Ne kemi njohje me ta, sepse puna jonë si institut është e tillë që realizohet në gjithë rajonin ku jetojnë shqiptarët, dhe mundohemi të bëjmë promovimin e kulturës dhe gjithçka të mirë që ne kemi në gjithë hapësirën, ku jetojnë shqiptarët. Me Ulqinin ne kemi një bashkëpunim prej 20 vitesh intensivisht dhe jo vetëm në fushën e artit figurativ. Kemi një marrëdhënie të ngushtë me institucionet që drejtojnë Ulqinin dhe organizatat që operojnë aty. Ndaj dhe ekspozita vjen si bashkëpunim me institutin tonë dhe Organizatën Turistike të Ulqinit”, tha Irena Toçi duke shtuar se falë këtij bashkëpunimi “kjo ekspozitë që u çel për publikun e Tiranës në Muzeun Kombëtar do të jetë me të njëjtën përbërje autorësh edhe në qytetin e Prishtinës”. Piktorët që kanë sjellë veprat në ekspozitën e Tiranës  janë të shkollave të ndryshme të artit. Disa prej tyre kanë mbaruar Akademinë e Arteve në Beograd, disa të tjerë në Prishtinë, dhe më tej. “Ka një ndërthurje prurjesh dhe teknikash. Ka vaj në pëlhurë, ka teknika të tjera të punëve të tyre, ka të ndikuar nga surrealizmi, ka të tjerë që janë më impresionistë”, shpjegon mes të tjerave për ekspozitën Irena Toçi. Ekspozita “Piktorët Ulqinakë në Tiranë” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 Mars 2019, në sallën e madhe të ekspozitave pranë Muzeut Historik Kombëtar.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë