Kur tri gra vendosin të zhduken nga vendi ku jetojnë!

Kur tri gra vendosin të zhduken nga vendi ku jetojnë!

Zhaneta Josifi dhe dy vajzat e saj

Eshtë e qartë që po përpiqemi të gjejmë 100 justifikime për ngjarjen tragjike të Kombinatit, ku një nënë me dy vajzat e saj u ngujuan deri në vetëflijim. Me ngulm po kërkojmë copëza nga jeta e tyre për të qetësuar ndërgjegjen tonë: ishin të çmendura, besonin në sekte, kishin dhimbje, babai ishte vetëvrarë…Po gërmojmë në jetën e tyre për të qetësuar veten, por e kotë, çfarë ka ndodhur tashmë është një dëshmi e pashlyeshme.

Jemi të sigurtë që banorët më të brishtë, më të ndjeshëm, më korrektë të shoqërisë sonë jetojnë mirë mes nesh? Jemi të sigurtë që edhe pse të arsimuara, aq normale dhe të pastra në foton ku i shohim të treja përkrah me ëmbëlsirë e neskafe me pana, mbi to nuk rëndonte prej kohësh si shkëmb i rëndë vështirësia për të “çarë përpara” në një shoqëri të tillë? Edhe nëse synonin ringjalljen, mesa duket jetonin në një ferr nga i cili kërkonin të shpëtonin prej kohësh, e kur ferri të mbërthen, duket se kanë dashur të anulohen e të ristartojnë siç bëjmë me një kompjuter.

Shqipëria duhet të ishte bërë një vend i mirë për më të brishtët e saj, por vitet kalojnë dhe ashpërsia dhe hendeku mes “të fortëve” dhe “normalëve” sa vjen e thellohet duke mbjellë viktima kudo. E qartë që në sipërfaqe shpërthejnë rastet më të bujshme: një i moshuar që djeg në radhët e një spitali të fortin që i rrëmben gjithnjë radhën e dializës, një vajzë e mitur e përdhunuar dhe e poshtëruar pa mbrojtje e respekt nga institucionet, dy vajza dhe nëna e tyre që treten e treten me dëshirën për t’u zhdukur e për t’u rikthyer ndoshta në një shoqëri tjetër. Më të mirë se kjo e tanishmja.

Keni provuar të realizoni një ide, një projekt, një dëshirë, pa njohur askënd? Pa paguar askënd? Pa u rekomanduar nga askush? Pa pasur mbrojtjen e një partie, të një medie, të një organizate, të një ambasade? Keni provuar të çani në jetë në Shqipëri me forcat tuaja? Do të duheshin forcat e një gjigandi, të një ciklopi, të një njeriu prehistorik që të mposhtte të gjitha kurthet, stërkëmbëshat, hilet, gënjeshtrat, falsifikimet që ngrihen nga të ngjashëm gjatë rrugës. Atëherë kush ja del? Të parët e më të privilegjuarit janë politikanët e ndryshëm dhe njerëzit përreth tyre, pastaj ata që punuan e u pasuruan me Padrejtësinë, pastaj trafikantët, pastaj “të fortët” e profesioneve. E këtë sukses, pasuri e lavdi e shpalosin në socialmedia, kaq e dukshme dhe e prekshme për të gjithë: Foto në superjahte, në superhotele, në super ristorante, të veshur me super firma. Po si arriti t’ja dalë pa asnjë shkollë e mundim “vajza e Tixhes”, e si jeton në mjerim e pamundësi vajzat e shkolluara e të mbara të Zhanetës? Si ka mundësi që vajza e Tixhes pëlqehet nga 100 mijë shqiptarë në Instagram, me nga 20 mijë like përditë vetëm se fotografon të pasmet e vishet me Versaqe dhe flet vetëm idiotësira, ndërsa vajzat e Zhanetës ishin mbyllur duke u tretur e anuluar përditë? Si arriti të blejë vilën në resortin më të pasur e eksluziv të kryeqytetit vajza e Tixhës, e si mezi mundën të gjejnë një hyrje në Kombinat dy vajzat e arsimuara e të mbara të Zhanetës? E kuptojmë kush jemi dhe ku duam të shkojmë?

Vetëflijimi i Zhanetës, vajzës Anisës dhe rreziku ku ndodhet Blerta duhet të jetë një kambanë e fundit alarmi për një shoqëri si e jona. Nëse nuk kuptojmë edhe këtë sinjal të rëndë, shenjat nuk janë aspak të mira për shoqërinë që kemi ndërtuar të gjithë.

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erjola Agolli: 07/07/2020 13:11

    Shume e vertete dhe e dhimbshme. Por asgje nuk do ndryshoje ate realitet qe ka vene rrenje ne vendin tone.

    Përgjigju
  • Rom6: 06/07/2020 12:28

    I the te gjitha

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT