Kryetarja e LSI-se Monika Kryemadhi një ditë para protestës në pikat kryesore të akseve rrugore që lidhin Veriun dhe Jugun me Tiranën ka zhvilluar një takim me kryetarët e degëve të LSI-së në rrethe.

"LSI është e angazhuar në aksionin opozitar. LSI sa më pranë qytetarëve. Opozita e bashkuar kundër keqqeverisjes, varfërisë dhe largimit të të rinjve nga vendi. Lufta kundër varfërisë është prioriteti kryesor. Të gjithë në terren në komunikim të drejtpërdrejt me qytetarët" tha ajo.

Pas nëntë protestave përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, opozita do të bllokojë nesër akset kryesore që lidhin Jugun dhe Veriun me kryeqytetin për të paralizuar qarkullimin. Ky është një skenar i përsëritur nga opozita, pasi edhe më parë ka bllokuar rrugët, ndërsa në 11 maj do të jetë protesta kombëtare para Kryeministrisë.