Dita e nesërme është shpallur zi kombëtare pas vdekjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano. Më datë 2 nëntor, në Pallatin e Kongreseve do të mbahen homazhet në nderim të figurës së tij.

Nga ora 11:15 personalitete të botës politike dhe jo vetëm do të marrin pjesë në cermoni. Një pjesëtar i familjes së Nanos do të mbajë një fjalim, gjithashtu dhe kryeministri i Republikës, Edi Rama, i cili është dhe pasuesi i Fatos Nanos në këtë parti. Gjithashtu për të marrë pjesë në ceremoni janë ftuar dhe personalitete politike nga Kosova.

Në fund, me nderime, trupi i Nanos do të niset në orën 12:05 nga Pallati i Kongreseve për në banesën e fundit, që do të jetë në Sharrë. Familja ka kërkuar të kryejë në privatësi, në shtëpi edhe shërbesën e ritualit ortodoks për Fatos Nanon, i cili ishte i pagëzuar dhe i martuar me Xhoanën në Kishën Ortodokse Shqiptare.

Homazhet do të fillojnë që prej orës 08:30 me pritjen e qytetarëve për t’i dhënë Fatos Nanos lamtumirën e fundit. Në respekt të tij. Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore do të ulen në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të ndalojë çdo aktivitet për të mbajtur një minutë heshtje.

Fatos Nano ndërroi jetë ditën e djeshme në mesditë në një prej spitaleve private në kryeqytet ku po qëndronte prej 24 ditësh. Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm pas problemeve kronike kronike respiratorë. Së fundmi ai pësoi arrest kardiak e më pas vdekje klinike të trurit.

4 herë kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një lider historik i të majtës, vizionar për Shqipërinë dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës gjatë periudhës së tranzicionit.

Programi i ceremonisë në Pallatin e Kongreseve Tiranë:
08:30 – Fillimi i homazheve publike;
11:00 – Përfundimi i homazheve publike
11:15 – Homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të Trupit Diplomatik;
12:00 – Ceremonia funebre e Lamtumirës, në prani të autoriteteve të larta shtetërore dhe përfaqësuesve të Trupit Diplomatik.