Nën një klimë te tensionuar, pritet të votohen seancën e së enjtes 2 raportet e maxhorancës dhe opozitës mbi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku, duke vulosur fatin e kësaj kërkese që qëndron në Kuvend prej datës 16 dhjetor të vitit të shkuar. PS dhe PD shkojnë të ndara në qëndrime. 

Socialistët, këmbëngulin se tashmë pa një funksion ekzekutiv, e shkarkuar edhe si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe nga numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku nuk mund të prishë provat apo të arratiset, nuk mund të përsërisë veprën penale, dhe rruga e SPAK për ta hetuar për pabarazi në tenderë është e hapur, pa nevojën e masës arrest me burg. Për ta rrëzuar këtë kërkesë, Partisë Socialiste do i mjaftojnë 71 vota.

Ndërsa demokratët që dorëzuan të parët raportin e tyre insistojnë se heqja e imunitetit deputetes Balluku për t’i dhënë dritën jeshile arrestimit, është domosdoshmëri, pasi pavarësisht se është zhveshur nga postet ministrore, rrezikon të intimidojë dëshmitarët e të prishë provat.

Përballë Ulsi Manjës, në mungesë të kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhit të përjashtuar nga Etika, raporti i opozitës do të lexohet nga Oerd Bylykbashi, anëtari tjetër i PD në Këshillin e Mandateve.

Nuk dihet nëse vetë Balluku do të shfrytëzojë të drejtën për të mbajtur një fjalë në Kuvend, apo nëse do të jetë e pranishme në seancë paraditen e së enjtes.

Paralel me aksionin brenda parlamentit, demokratët do të rrethojnë kuvendin në një protestë që do të nisë në të njëjtën kohë me seancën plenare dhe do të mbyllet me përfundimin e saj, pa skenarë ngujimi, siç burime nga selia blu thonë për Report Tv.

SPAK kërkoi në dhjetor dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, pasi më herët e kishte pezulluar nga 2 funksionet në qeveri dhe vijon ende me masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Balluku është e pandehur për dosjen e tunelit të Llogarasë, si dhe në hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe, e dyshuar për tenderin e rrugës Thumanë Kashar si dhe 2 procedura të tjera tenderimi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:27
Ambasada Amerikane bën paralajmërimin për protestën e PD-së: Mund të përshkallëzojë në dhunë

Ambasada Amerikane ka shpërndarë paralajmërimin për protestën që do të mbahet nesër nga PD para parlamentit kur në seancë do votohet për heqjen ose jo të imunitetit dhe për lejen që SPAK kërkon për arrestin e Belinda Ballukut

NJOFTIMI

Subjekti:  Alarm Demonstrimi

Vendndodhja:  Në të gjithë Tiranën; Rruga George W. Bush, përballë Parlamentit

Data/Ora:  E enjte, 12 mars, ora 10:00

Ngjarja:   Një demonstratë është planifikuar të zhvillohet të enjten, më 12 mars 2026, në orën 10:00 të mëngjesit. Protestuesit planifikojnë të mblidhen në ndërtesën e Parlamentit në Rrugën George W. Bush. Protesta mund të zgjerohet në zonat përreth dhe ndërtesat qeveritare. Pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut në orët para dhe gjatë protestave. Personelit të Ambasadës Amerikane i është këshilluar të shmangë demonstratën. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.

Ndërkohë që protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:

Veprimet që duhen ndërmarrë:

Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin këtë ngjarje

Ji i vetëdijshëm për mjedisin përreth

Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik

Monitoroni mediat lokale

Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje

Mbani një profil të ulët

Ora 15:49
Policia merr përsipër zhvillimin e protestës së PD para Parlamentit! Aksi rrugor që do të bllokohet nesër

Policia e Tiranës, ndryshe nga dy protestat e fundit të Sali Berishës, ka marrë përsipër garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së paralajmëruar nga PD në 12 mars para Parlamentit.

Kjo iu bë e ditur edhe Partisë Demokratike, në kthimin e përgjigjes nga ana e Policisë së Shtetit, përmes një letre, të cilën e mori në dorëzim Klevis Balliu.

PD ka njoftuar se do të protestojë nesër jashtë Parlamentit, por edhe brenda tij përmes deputetëve, në mënyrë që të ushtrojnë presion ndaj mazhorancës për të pranuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, i cili do të votohet nesër në Kuvend dhe për t'i hapur rrugë kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.

Ndërkohë përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës, duke shtuar se nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, do të kufizohet lëvizja në rrugën “George W. Bush”. Po ashtu sipas Policisë, në varësi të zhvillimit të tubimit, edhe rrugë të tjera mund të bllokohen. Por Policia thekson se qytetarët dhe mjetet mund të qarkullojnë në rrugë alternative.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit.

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e nesërme do të kufizohet lëvizja, nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, në rrugën “George W. Bush”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Ora 14:34
E enjtja mes votimit në Kuvend për Ballukun dhe protestës së opozitës, Berisha me të njëjtin ‘refren’: Udhëheqim kryengritjen paqësore

Ditën e enjte, Kuvendi do të votojë për heqjen e imunitetit të Ballukut pas prezantimit të dy raporteve përkatëse nga PS e PD, ku deri tani janë shprehur qëndrime të ndryshme. PS nuk ka pranuar ta lëshojë Ballukun, ndërsa PD mbështet kërkesën e SPAK për arrestimin e saj. Nga ana tjetër, opozita do të zhvillojë protestën e radhës.

Berisha i qëndroi besnik frazës “kryengritje paqësore”, edhe pse protestat e mëparshme kanë treguar qartazi se janë larg kësaj me përdorimin e dhunës e molotovëve. Në protestën e fundit, nuk u kursye as “Vila 31” që sot shërben si qendër kulturore e artistike dhe brenda saj ndodheshin artistë të huaj e personel, të cilët u trembën, ndërsa Berisha mohoi vazhdimisht se ishte në dijeni të këtij fakti, por kërkoi ndjesë një ditë më vonë.

“Nesër shënon një etapë të re vendimtare, në betejën tonë për përmbysjen e këtij regjimi, armiqësor në të gjithë qenien e tij ndaj Shqipërisë, shqiptarëve, kombit, të sotmes dhe të ardhmes së tyre. Me besim të madh tek qytetarët shqiptarë se do t’i dalin zot ëndrrës së tyre më të bukur, interesit të tyre kombëtar, interesit të tyre personal, familjar, të fëmijëve të tyre, opozita do të udhëheqë kryengritjen paqësore gjer në rrëzimin përfundimtar të këtij regjimi antishqiptar, armiqësor të shqiptarëve”, tha Berisha.

Ora 14:10
PS nuk dorëzon Ballukun, Berisha: Po asgjësojnë pushtetin gjyqësor, shqiptarët rrezikojnë integrimin në BE

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, Sali Berisha nuk i kurseu sulmet ndaj kryeministrit Rama, një ditë përpara votimit të raporteve të PS e PD në Kuvend për kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut dhe protestës së opozitës.

Sipas kryetarit të PD, është shkatërruar dhe asgjësuar pushteti gjyqësor.Ai thotë se po paraqitet skenari i shkëputjes së Shqipërisë nga procesi i integrimit në BE.

“Mblidhemi një ditë para se kreu i organizatës kriminale, Edi Rama të përdorë mandatet e krimit të tij si bajoneta kundër çdo shqiptari. Mblidhemi në një kohë kur për të mbrojtur lëkurën e tij, për të mbrojtur krimet që ka kryer, ai vendos t’i mbyllë dyert drejtësisë shqiptare. Vendos de facto asgjësimin e pushtetit gjyqësor. Vendos mburojën e plotë të mazhorancës së krimit apo mandateve të krimit për vjedhjet e tij dhe të qeveritarëve. Vendos në kuadrin e një skenari më të ziun, skenarit të shkëputjes së Shqipërisë nga procesi i integrimit në BE. Pas përpjekjesh të jashtëzakonshme të bëra në vite për një ëndërr të kahershme të shqiptarëve. Për një ëndërr të rilindësve tanë gjeni, që një komb që zgjohet pas 5 shekujsh lindje, e projektojnë në perëndim. E projektojnë zonjë në Europë. Tani del një Haxhi Qamil. Tani del një bandit. Del një njeri pa nder, pa flamur. Një apatrid që vetëm pak muaj më parë bërtiste për pasaportën evropiane që do u dhuronte shqiptarëve dhe tani u nxjerr pasaportën e Beogradit shqiptarëve në vend të saj. Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë, i cili shtyn masivisht shqiptarët që të heqin dorë nga ndërtimi i ëndrrës së tyre evropiane në Shqipëri dhe të marrin rrugët e dheut për ta ndërtuar atë në vende të tjera”, tha Berisha.

Ora 10:38
PS nuk lejon arrestimin e Ballukut, Klosi: Në asnjë rast nuk e pengojmë hetimin

Deputeti i PS, Blendi Klosi komentoi rastin e Belinda Ballukut dhe vendimin për të mos lejuar arrestimin e saj. Pyetjes së gazetarëve nëse kanë ndryshuar qëndrim në raport me SPAK, Klosi iu përgjigj se PS është ajo që e ideoi reformën në drejtësi dhe do vijojë ta mbështesë. Ai theksoi se në asnjë rast nuk do e bllokojnë hetimin e SPAK, ndërsa pjesa tjetër është një vendimmarrje e Kuvendit.

“Kjo parti e ka shprehur qartazi qëndrimin, në asnjë rast nuk kemi asnjë diskutim sa i përket organeve të drejtësisë së re. Kemi ardhur në pushtet në 2013 me premtimin e reformës në drejtësi, vazhdojmë të mbështesim, ta jetësojmë dhe qëndrojmë të baraslarguar nga drejtësia sa i përket vendimmarrjeve të saj. Ne i qëndrojmë 100% parimit, nuk përfshihemi në asnjë proces hetimor, të tjerat janë raporte që i takojnë Kuvendit, në asnjë rast s’do kemi pengim të hetimi, koment për hetimin”, tha Klosi.