Nesër zgjedhje në Himarë, votohet kryetari i ri i bashkisë! Shqiptarja.com dhe Report Tv në transmetim maratonë: Nga vota e parë tek rezultati

Himariotët do t’i drejtohen nesër kutive të votimit për zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë së tyre, 15 muaj pasi zgjodhën Fredi Belerin, i cili u dënua me dy vite burg për blerje votash.

Nga ora 07:00 Report Tv do të jetë në transmetim maratonë për të përcjellë të gjithë procesin zgjedhor që pritet ti japë fund sagës së një bashkie pa kryetar, pas arrestimit të Fredi Belerit, e më pas edhe të kryetarit të detyrë Jorgo Goro. Edhe shqiptarja.com do të përcjellë në kohë reale të gjithë informacionet dhe zhvillimet.

23 mijë e 74 qytetarë të Himarës do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo i socialistëve dhe Petro Gjikuria i opozitës. Në total janë 36 qendra votimi në Himarë, që hapen në orën 07:00 dhe mbyllen në 19:00 deri kur të largohet votuesi i fundit.

Materialet Zgjedhore kanë mbërritur në Himarë një ditë më parë, ndërsa KQZ pritet të bëjë shpërndarjen e tyre orët e para të mëngjesit me qëllim që qendrat e votimit të jenë gati në orën 07:00 të së dielës. Policia njoftoi se ka marrë të gjitha masat për të siguruar mbarëvajtjen e procesit dhe garanton se janë ndërmarrë të gjitha masat që e drejta kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt.

Në Himarë do të aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera ashtu si në çdo palë zgjedhje.

Socialistët garojnë në këto zgjedhje me Vangjel Tavon, ndërsa opozita, pas diskutimeve të shumta për emrin me  një shqiptaro-amerikan, minoritar grek si Petro Gjikuria. Ky i fundit, edhe pse sot është heshtje zgjedhore sipas parashikimeve të kodit zgjedhor, nuk e ka respektuar atë, duke postuar në rrjetet sociale pjesë nga programi elektoral dhe premtimet për qytetarët himariotë.

Në zgjedhjet e 14 majit 2022 ishin 7 mijë qytetarë që zgjodhën të votojnë, ndërsa mbetet për tu parë nesër sa do të jetë pjesëmarrja jo vetëm për shkak të klimës politike por dhe për shkak të sezonit veror.

Report Tv dhe shqiptarja.com do të përcjellin nesër hap pas hapi të gjithë procesin e zgjedhjeve të 4 gushtit në Himarë. Një grup xhirimi me gazetaren Daniela Maloku tashmë është stacionuar në Himarë dhe do të raportohet çdo moment në transmetimin maratonë që do të nisë në orën 07:00 dhe do të mbyllet kur të dalë rezultati.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Itali, kapen 11.5 kg kokainë në port, në pranga një shqiptar dhe një italian

Itali, kapen 11.5 kg kokainë në port, në pranga një shqiptar dhe një italian