New York Times: Vuçiç 'sakrifikoi' kryeministrin që të fitojë kohë

New York Times: Vuçiç 'sakrifikoi' kryeministrin që të fitojë kohë

Aleksander Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, “sakrifikoi” kryeministrin e tij në përpjekje për të qetësuar protestat që kanë përfshirë qytete të shumta në Serbi, duke përbërë një sfidë të madhe për pushtetin e tij dhjetëvjeçar, shkruan New York Times.

Kryeministri Millosh Vuçeviç, një aleat i ngushtë i Vuçiçit dhe lideri de jure i Partisë Progresive Serbe, njoftoi dorëheqjen e tij me arsyetimin se nuk dëshironte të “rriste më tej tensionet në shoqëri” vetëm disa orë pasi Vuçiç kërkoi një “rikompozim të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës të qeverisë”.

Vuçiç, i njohur për aftësinë e tij për të manovruar në një skenë politike thellësisht e polarizuar dhe si balancues midis Rusisë dhe Perëndimit, ka një histori të gjatë të eleminimit të aleatëve të tij  dhe të nxjerrjes jashtë loje të partive opozitare. Kundërshtarët e tij kanë pasur vështirësi ta sfidojnë në zgjedhje, por janë bashkuar me protestat e drejtuara nga studentët, shkruan New York Times.

Nuk është ende e qartë nëse dorëheqja e kryeministrit do t’i shuajë protestat apo do t’i intensifikojë ato më tej. Këto protesta u nxitën nga zemërimi publik pas vdekjes së 15 personave në një aksident në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor.

Studentët, të cilët prej javësh po bllokojnë fakultetet, u mblodhën përpara selisë së partisë në pushtet në Novi Sad. Muri i ndërtesës së partisë u mbulua me grafite me mbishkrime si “Vrasës” dhe “Hajdutë”. Protestat vazhduan edhe në qytetin e Nishit.

Vuçiç premtoi të përmbushë një nga kërkesat kryesore të studentëve publikimin e kontratave dhe dokumenteve të tjera të lidhura me rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, një projekt i kryer nga një kompani kineze dhe nënkontraktorët e saj.

Shumica e kërkesave fillestare të studentëve janë përmbushur, përfshirë ndjekjen penale të përgjegjësve për katastrofën dhe shkarkimin e ministrave që mbikëqyrën projektin, përfshirë ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës si dhe ministrin e Tregtisë, shkruan New York Times.

“Vuçiç po përpiqet të fitojë kohë, duke pritur që protestat të shuhen”, tha analisti politik Dragomir Andelković, i cili mbështet studentët.  Ai shtoi se protestat do të vazhdojnë, pasi dorëheqja e kryeministrit është vetëm një “përpjekje për mashtrim të ri”, thuhet në shkrim.

Kriza politike në Serbi, ku dhëndri i ish-presidentit Donald Trump, Jared Kushner, ka punuar për një marrëveshje për ndërtimin e një hoteli luksoz të Trump-it në qendër të Beogradit, po krijon një dilemë për administratën e re amerikane.

Nën presidencën e Joe Biden, SHBA ka tentuar ta tërheqë Vuçiçin nga partneriteti tradicionalisht i ngushtë i Serbisë me Rusinë. Megjithatë, opozita serbe e ka kritikuar administratën amerikane për një qëndrim tepër të butë ndaj Vuçiçit.

Politika e Biden ka sjellë disa rezultate, përfshirë një marrëveshje të fshehtë për shitjen e gati 1 miliard dollarëve municione dhe armë serbe për Ukrainën, si dhe mbështetjen e Serbisë për rezolutat e OKB-së që dënojnë pushtimin rus, shkruan New York Times.

S.B/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë