Kreu i Komitetit të Arbitrave në FIFA, Pierluigi Collina ka treguar arsyen se përse në këtë Botëror janë parë shumë minuta shtesë. Italiani thotë se për shkëk të lojës së pakët efektive, vonesave dhe festës te golat, është parë e udhës që në këtë event të jepet më shumë shtesë se në çdo event tjetër. Kjo është një risi nga FIFA, me ish-arbitrin që kërkon më shumë lojë efektive.
“Minutat shtesë janë të justifikuara, pasi kishte ndeshje ku koha efektive nuk shkonte më shumë se 44-45 minuta. Pas çdo goli festohet rreth një minutë e gjysmë dhe nëse në një ndeshje shënohen 3-4 gola, atëherë humben 5-6 minuta lojë, të cilat duhen rikuperuar. Qëllimi është që të rritet loja efektive në çdo ndeshje”, deklaroi Collina.
Tifozët janë habitur kur kanë parë nga 12 ose 13 minuta shtesë në përfundim të ndeshjeve, teksa shtesat nga 6 ose 7 minuta janë kthyer në normale.