Një gjykatë shqiptare ka pezulluar nga puna drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ka urdhëruar vendosjen e saj në arrest shtëpie, nën dyshimin se ka nxjerrë informacione të klasifikuara, në kuadër të një hetimi më të gjerë për korrupsion, bëri të ditur të martën një zyrë e posaçme e prokurorisë.

Vlora Hyseni, e cila është me origjinë nga Kosova, ka shërbyer si drejtuese e shërbimit të inteligjencës SHISH që nga viti 2023. Më parë, ajo shërbeu si zëvendësshefe e inteligjencës në Kosovë.

Prokurorët thanë se Hyseni dyshohej për zbulimin e informacionit të klasifikuar personave të paautorizuar në lidhje me një rast korrupsioni në Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI), e cila menaxhon shërbimet publike dixhitale dhe infrastrukturën e IT-së në Shqipëri. Zyra e prokurorisë speciale, e njohur si SPAK, e ka ndjekur prej kohësh çështjen.

Shumë zyrtarë shtetërorë dhe biznesmenë janë arrestuar ose po hetohen për keqpërdorim të parave publike në AKSHI.

SPAK, i cili synon korrupsionin dhe krimin e organizuar, tha se masat kundër Hysenit u miratuan nga një gjykatë antikorrupsion për të lejuar hetime të mëtejshme.

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se e kishte shkarkuar tashmë Hysenin nga detyrat e saj dhe, në konsultim me presidentin, do të emëronte një drejtuese të re të agjencisë së inteligjencës.

“Të gjithë janë të pafajshëm derisa të jepet një vendim i formës së prerë i gjykatës, por askush nuk është mbi ligjin”, shkroi Rama në X.

Ky veprim është një tjetër pengesë për qeverinë e Ramës. Në shkurt, Rama shkarkoi zëvendëskryeministren e tij Belinda Balluku pasi u ngritën akuza për korrupsion kundër saj. Parlamenti më vonë refuzoi t'i hiqte imunitetin për të lejuar arrestimin e saj. Balluku i mohoi akuzat.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian i kanë thënë Reuters se po e shqyrtojnë nga afër mënyrën se si Rama i ka trajtuar rastet e korrupsionit dhe se lufta e Shqipërisë kundër krimit dhe korrupsionit ishte kritike për përpjekjen e vendit ballkanik për t'u bashkuar me bllokun deri në vitin 2030./ Reuters