Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia, i ftuar në ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ka analizuar zhvillimet e fundit politike, si dhe ka komentuar për zgjedhjet e pjesshme apo dhe për ambiciet e tij personale në politikë.

Për legjislaturën e 11-të, Qefali nuk arriti të futej në Kuvend. Ish-deputeti thotë se tashmë që nuk është pjesë, nuk është ndonjë ndjesi e veçantë, pasi funksionimi i parlamentit nuk ka ndryshuar, pavarësisht qasjeve të reja. Ndër të tjera, ai thotë se opozita vijon të vërë në praktitë të njëjtën strategji, për të mos lejuar seancat të zhvillohen në kushte normale apo deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre.

“Nuk është se po shoh ndonjë ndjesi të veçantë. Është e njëjta gjë që ka ndodhur dhe vitet e shkuara. Mendova meqë ka pasur rrotacion, mendova që do të ishte një parlament ku palët do të kryejnë rolin e kuvendarit, por në fakt është po e njëjta situatë që krijohet nga opozita duke bërë që shumë seanca të zhbëhen. Qenia e deputetëve të rinj krijon përshtypje sikur gjithçka do të fillojë e re, por skenat që përsëriten nga opozita për të mos lejuar deputetët për të kryer misionin e tyre është një gjë që përsëritet, një kasetë e vjetër që ka ndodhur ndër vite. Është e pafalshme që të shkohet në Kuvend, dhe të mos arrihet që kryeministri të mos shpalosë programin e tij qeverisës, të ketë po të njëjtën regjizurë, të krijojnë fyerje e sharje, qytetarët janë neveritur nga skena të tilla”, tha Qefalia.

Faktin që mes mazhorancës dhe opozitës, u arrit një konsensus për barazinë mes palëve në Komisonin për Reformën Zgjedhore, Qefalia e sheh si një hap optimist, por që nuk dihet nëse do të hasë apo jo pengesa rrugës.

“Kur dëgjon si lajm të parë duhet mirë, sikur ka dakordësi. Kjo dakordësi kështu fillon në çdo sezon parlamentar, por shpresoj të mos ketë pengesa gjatë rrugës”, tha ai.

I pyetur për zhvillimin e fushatës në Tiranë, edhe pse momentalisht nuk ka një datë se kur do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme për këtë bashki, Qefalia tregon se të gjithë përfaqësuesit e PS-së, janë gjithë kohën të angazhuar në terren dhe në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët.

“Në filozofinë e PS asnjëherë nuk pushohet fushata elektorale. Mbahen kontaktet të vazhdueshme me qytetarët. PS është në kushte normale në Tiranë, po vazhdon kontaktet, ka një avantazh politik që drejtuesja politike është caktuar nga kryesia të jetë kandidate, kjo ja lehtëson mundësinë sepse ka qenë mjaft aktive dhe në fushatën e 11 majit. Ogerta ka treguar me performancë e saj që di ti vlerësojë punët. Ogerta është në takime të vazhdueshme në terren, ;o ndjek nga afër shumë problematika”, u shpreh Qefalia.

Xhemal Qefalia refuzoi të komentojë kandidatët e tjerë për bashkinë e Tiranës, por tha se nga opozita duhet të ishte shpallur një kandidat, i cili i përket fushës politike. Për pjesën që PD mbështet një kandidat të pavarur, Qefalia e sheh si një tjetër justifikim të gatshëm për të argumentuar humbjen që do të pësojnë në zgjedhje.

“Nuk dua të merrem drejtpërdrejt me kandidatin. Mirë do të ishte që kandidati të ishte figurë politike, por kjo është një lojë që po bëhet nga opozita për të justifikuar humbjen pas zgjedhjeve. Mendoja që subjektet politike do të paraqisnin kandidatin e tyre. Do të jetë një humbje shumë e madhe për opozitën, jo se dua t’i fyej, por nuk ka një impenjim në terren me qytetarët”, tha ai.

Ish-deputeti i PS gjithashtu refuzoi dhe të komentojë shkarkimin e Erion Veliajt apo kundërshtimin e tij për këtë veprim. Ndër të tjera, ai tha se gjithashtu gara duket mjaft optimiste dhe në 5 bashkitë e tjera që do të shkojnë në zgjedhje më datë 9 nëntor.

Xhemal Qefalia dëshiron të jetë përsëri pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, kjo është një nga objektivat e tij. Ish-deputeti është drejtues politik në një zonë të kryeqytetit ndërsa shton se rezultatet e marra nga banorët e asaj njësie, kanë qenë gjithmonë të kënaqshme. Ai tregon se rezultatet e arrita të përfituara herë pas here, tregojnë dhe një vlerësim për punën që ai ka bërë për ato banorë.

“Objektivat personale, unë jam përfaqësues i PS, shpresoj të jem përsëri në sallën e Kuvendit. Kam një zonë në juridiksionin tim politik për ta ndjekur. Një zonë që rezultatet e PS kanë qenë gjithmonë impresionuese. Nga kontaktet e vazhdueshme me këto banorë, rezultati do të jetë përsëri spektakolar. Kjo është dhe një rezultat në punë e promovim, në zgjidhje të halleve dhe problemeve”, tha Qefalia.

I pyetur për ish-liderin historik të Partisë Socialiste, Fatos Nanon, i cili prej 14 ditësh ndodhesh në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, Qefalia i uron shërim të shpejtë ndërsa e cilëson atë si një shembull për të gjithë politikanët.

“Nano ka reformua PS dhe jo vetëm që e ka drejtuar këtë subjekt fitues, por nga ajo që ka mbetur në mendjen time, di të them që liberalizmi i tij, apo mënyra sesi diti të pranojë humbjen e zgjedhjeve në 2005, është një barometër sesi duhet të jetë një politikan”, tha ai.

Qefalia e përmbylli intervistën e tij duke shprehur besimin e plotë për Partinë Socialiste lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.