Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit organizoi forumin “Investing for Impact Forum 2026”, i cili shërbeu si një platformë strategjike për të avancuar një vizion të përbashkët për rritje ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të orientuar nga ndikimi në Shqipëri, duke theksuar se si kapitali global, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërsektorial mund të përkthehen në ndikim të matshëm lokal.

Ky forum trajtoi axhendën Cashless Albania 2026-2028, duke theksuar inovacionin fintech, reformën rregullatore dhe ekosistemet financiare të drejtuara nga të dhënat.

Enkelejd Musabelliu, zv/ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, duke theksuar angazhimin e qeveris në këtë fushë, tha se Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues në transformimin e saj ekonomik.

“Përmes reformave të vazhdueshme strukturore, përshpejtimit të dixhitalizimit dhe forcimit të partneriteteve publik-privat, ne po formësojmë një ekosistem ku inovacioni mund të lulëzojë, bizneset mund të rriten dhe qytetarët mund të marrin pjesë plotësisht në një ekonomi më gjithëpërfshirëse dhe konkurruese. Ambicia jonë nuk është vetëm të ecim në hap me zhvillimet globale, por të krijojmë një mjedis dinamik ku sipërmarrja dhe inovacioni bëhen shtytës kryesorë të rritjes së qëndrueshme", tha Musabelliu.

Ai theksoi një axhendë të gjerë reformash të fokusuar në:

  • Përmirësimin e klimës së biznesit, duke reduktuar barrierat administrative, rritur transparencën dhe përafruar kuadrin rregullator me standardet evropiane;
  • Përshpejtimin e transformimit dixhital, duke zgjeruar shërbimet publike dixhitale, nxitur ndërveprueshmërinë dhe mbështetur adoptimin e teknologjive dixhitale në industri;
  • Fuqizimin e SME-ve, përmes rritjes së aksesit në financë, iniciativave për ndërtimin e kapaciteteve dhe politikave që mbështesin inovacionin, konkurrueshmërinë dhe ndërkombëtarizimin.

Ledia Bregu, Drejtoreshë e Sistemeve të Pagesave dhe Kontabilitetit në Bankën e Shqipërisë, e vuri theksin se avancimi i pagesave dixhitale dhe forcimi i edukimit financiar janë kyçe për integrimin e më shumë qytetarëve dhe bizneseve në ekonominë formale.

Forumi përforcoi një ambicie të qartë: të nxisë partneritete që e transformojnë investimin në mirëqenie të përbashkët, qëndrueshmëri dhe konkurrueshmëri afatgjatë.