Kemi dëgjuar çfarëdo lloj premtimesh elektorale për të fituar zemrat e masave nga ana e politikanëve në kohë të kohëve. Në Shqipërinë tonë të vogël nuk mund të ankohemi për mungesë shumëllojshmërie: Nga premtimi se “do të hamë me lugë floriri” i atij që do të zbulohej si një prej diktatorëve më të çmendur e shtypës të një populli të lashtë, te nxitja që dëgjojmë këto ditë se “nxënësit duhet të bojkotojnë shkollën, si shenjë revolte për bllokimin e Tik Tok”. Premtimet dhe sygjerimet elektorale dallohen për dy drejtime ekstreme: Kush premton qiellin dhe parajsën dhe kush, rrëmton mes llumit të instikteve për të nxjerrë më të keqen njerëzore prej aty e për të përfituar personalisht. Në një farë mënyre, në periudhat elektorale, të cilat duhet të “ndaloheshin me ligj” vetëm për sasinë dhe llojin e absurditeteve që shqiptohen, po mësohemi regjim pas regjimi, zgjedhje pas zgjedhjeje, të dëgjojmë nga më të padëgjuarat. Por disa i harrojmë lehtësisht, e të tjera mbeten të shënuara në kokë të kohëve. Le të rifreskojmë disa:
Premtimi për një epokë të artë ose për një të ardhme ku populli do të “hajë me lugë floriri” është një element i përhershëm në retorikën politike, pavarësisht nga ideologjia. Shpesh, këto deklarata shërbejnë për të entuziazmuar masat, por rrallëherë përmbushen në realitet. Më poshtë janë disa shembuj historikë të rëndësishëm:
1. Benito Musolini dhe “Roma e Tretë” (Itali, e djathta)
Musolini premtoi ta shndërronte Italinë në një fuqi perandorake, duke evokuar madhështinë e Romës së Lashtë. Në vitin 1925, ai deklaroi: “Kemi të drejtë të krijojmë Perandorinë, sepse duam që Italia të jetë e madhe, e respektuar dhe e frikshme.” Megjithatë, ekonomia italiane mbeti e dobët, dhe luftërat koloniale (Etiopi 1935-36) sollën më shumë probleme sesa përfitime. Lufta e Dytë Botërore shënoi dështimin përfundimtar të këtyre premtimeve.
2. Nikita Hrushovi dhe tejkalimi i SHBA-së (BRSS, e majta)
Në vitin 1956, lideri sovjetik Hrushovi deklaroi: “Do ta tejkalojmë Amerikën dhe do të ndërtojmë komunizmin!” dhe në vitin 1961 shtoi: “Brezi aktual do të jetojë në komunizëm.” Ideja ishte që Bashkimi Sovjetik së shpejti do të kalonte Perëndimin për nga mirëqenia ekonomike. Megjithatë, problemet strukturore të ekonomisë së planifikuar penguan realizimin e këtij objektivi, dhe që në vitet ’70 BRSS hyri në një periudhë stanjacioni.
3. Juan Domingo Perón dhe “Drejtësia sociale” (Argjentinë, e majta)
Në vitet ’40-50, Perón premtoi një Argjentinë të begatë, me sloganin “Nuk do të ketë më të varfër!” Qeveria e tij zbatoi politika të mirëqenies sociale dhe nacionalizime, por shpenzimet e tepërta publike dhe inflacioni çuan në kriza të përsëritura ekonomike. Edhe sot, Argjentina kalon faza të rritjes dhe rënies ekonomike.
4. Donald Trump I dhe “Make America Great Again” (SHBA, e djathta)
Trump premtoi ta rikthente SHBA-në në “madhështinë” e saj ekonomike dhe industriale, veçanërisht për klasën punëtore të bardhë. Disa politika, si uljet e taksave dhe deregulimi, stimuluan ekonominë, por lufta tregtare me Kinën dhe menaxhimi i pandemisë ngadalësuan përfitimet për shtresën e mesme. Në Trump II nuk mungojnë premtimet për Epokën e Artë për amerikanët. Presim dhe do të shikojmë.
5. Hugo Chávez dhe “Socializmi i shekullit XXI” (Venezuelë, e majta)
Chávez siguroi venezuelasit se të ardhurat nga nafta do të sillnin një epokë të artë për të gjithë. Në vitet 2000, Venezuela përfitoi nga rritja e çmimit të naftës, por varësia nga ky burim dhe keqmenaxhimi ekonomik çuan në kolaps financiar pas rënies së çmimeve në vitin 2014, duke shkaktuar hiperinflacion dhe krizë humanitare.
6. Luga e florinjtë e Enver Hoxhës...
Njohim mirë propagandën gjatë regjimit të Enver Hoxhës dhe premtimin e tij (1945-1985) se do të hanim me lugë të florinjtë, që në vite u shndërrua se do të ishim të gatshëm dhe “të hanim bar” por nuk do t’ja shtrinim dorën askujt.
Me hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit 2025, duket se nuancat absurde të premtimeve vetëm e vetëm për të arritur pushtetin, nuk do të jenë më pak tragjiko-komike sa lexuam më sipër nga shembujt e historisë. Gjithësesi, shqiptarët janë shquar për mprehtësinë e vëzhgimit dhe sidomos për aftësinë e dallimit të “sapunit nga djathi” e këtë të fundit, nga prodhimi me niseshte.
Premtimi për një epokë të artë është një strategji e zakonshme retorike, por realiteti është shpesh më kompleks. Faktori kyç për të vlerësuar këto premtime është qëndrueshmëria ekonomike dhe politike e masave të propozuara: kur bazohen në masa të përkohshme ose në vizione jorealiste, ato përfundojnë duke zhgënjyer popullin. Dhe populli, si zakonisht, vepron duke hedhur në kosh, ekzagjeruesit e radhës.
Komente

