Nga Kryeministria, aty ku u rikthye pasditen e sotme sërish për të protestuar pasi doli nga spitali, sepse u godit në kokë nga një ngrohëse që funksiononte me gaz gjatë përplasjes së dhunshme mes policisë dhe aktivistëve të lëvizjes së tij, kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatiak Lapaj ka thënë se do të vijoi protestën.

Në një lidhje skype për emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ai tha se pavarësisht ndërhyrjes së policisë, e cila sipas tij hoqi me dhunë çadrat ku ata qëndronin gjatë natës dhe ngrohëset, do të vijoi të protestojë para Kryeministrisë edhe në këto kushte.

Sipas tij, protesta është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe se çadrat nuk janë vendosur në Bulevard për të bllokuar qarkullimin.

‘Sigurisht që do të vijoi protestën. Ata na kanë vjedhur të gjithë bazat materiale, batanijet, ngrohëset dhe çadrat dhe sapo kam ardhur nga spitali dhe do të vazhdojë protestën. Ky është një shtet banditësh, një shtet që pasi vjedh paratë e buxhetit, vjedh edhe sendet personale me të cilat po protestojmë. Nuk e di, pse ndodhi kjo me policinë duhet të pyesni ata.

Ajo që dimë është se kemi mbajtur një protestë sipas ligjit, kemi mbajtur një protestë model. Ne çadrat nuk i kemi vendosëm në Bulevard për të bllokuar trafikun, i kemi vendosur në trotuar, dhe jo në të gjithë trotuarin, por në gjysmë të trotuarit, që të kalojnë edhe të tjerët. Erdhën i hoqën dhunshëm. Ajo që kemi bërë ne është zbatimi i ligjit’, tha ai.

Lapaj tha se nuk i trembet kryeministrit Edi Rama dhe do të vijoi të qëndrojë para Kryeministrisë.

‘Besoj se logjika normale e një personi e kupton se kur është minus 7 gradë, minus 3 gradë, nuk mund të rrishë jashtë. Unë nuk do të zihem me shtetin, ai ka 10 mijë policë, po ne po vazhdojmë protestën. Rama është një frikacak që fshihet pas shtetit, por unë se kam frikë.

Sot kam çuar një njoftim tjetër për të vazhduar protestën dhe nga policia është mohuar, kur nuk duhet që të merret leje për protestë, mjafton që të lajmërosh dhe duhet që policia të marrë masa për atë protestë. E vetmja fjala e vetme që kam për Edi Ramën është se nuk kam frikë prej tij. Edi Rama është drejtues i një organizate që vjedh para publike dhe këtë e thotë Prokuroria. Unë, si Adriatik, nuk kam frikë prej tij’, tha ai.