Ngjarja tragjike e 2 tetorit ’86, në Vermosh/ Dëshmia tronditëse e ish-ushtarit: Pse e qëllova me breshëri automatiku dhe e vrava shkelësin e kufirit, Sokol Vreshtin

Ngjarja tragjike e 2 tetorit ’86, në Vermosh/ Dëshmia tronditëse e ish-ushtarit: Pse e qëllova me breshëri automatiku dhe e vrava shkelësin e kufirit, Sokol Vreshtin

Forcat e kufirit

Nga Dashnor Kaloçi

Pjesa e dytë

-Relacioni sekret me deponimi i kufitarit D. M.: “Kur e pashë se largohej, unë kam drejtuar armën dhe kam qëlluar disa herë, me breshëri. Në këtë moment, kam dëgjuar përballë meje, një “oh”!

Memorie.al /Ndërsa akrepat e orës shënonin 01.30 minuta, të datës 2 tetor të vitit 1986, qetësinë e asaj nate të ftohtë vjeshte në skajin më verior të Shqipërisë, në zonën e Vermoshit, e prishën disa krisma arme automatike, të cilat u pasuan nga një pistoletë shënjëhedhëse, që ndriçoi të gjithë vendin në atë shpat të Malit të Bojës dhe më pas, të lehurat e një qeni e thirrje e brimat njerëzish…! Ishin ushtarët e postës kufitare Bashkim së bashku me forcat vullnetare të asaj zone, (apo siç njiheshin ndryshe “pushkatarët”),  si dhe forca të tjera të reparteve të Ushtrisë, Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës dhe Batalionit të Kufirit, që mbulonte atë zone, të cilat që prej afro dhjetë ditësh, kur ishte dhënë një situatë alarmi, ndodheshin në pozicionet e tyre, duke bllokuar vijën e kufirit që ndodhej vetëm 400-500 metra larg nga aty, në pritje për të kapur të gjallë apo asgjësuar, dy shkelës kufiri, që thuhej se vinin nga thellësia, me qëllim për t’u arratisur dhe për të kaluar në Guci të Malit të Zi. Ushtari i njësitit kufitar që hapi zjarr, së bashku me një pjesëtar të forcave vullnetare u afruan në drejtim të siluetës së një njeriu, të cilin e gjetën duke rënkuar dhe të larë në gjak, nga plumbat që e kishin përshkruar trupin e tij.

Pak minuta më pas, ushtarët e atij njësiti kufitar dhe forcat e tjera vullnetare që u afruan me të shpejtë në vendin e ngjarjes, dëgjuan të lehurat e qenit të kufirit që shoqëruesi i tij e kishte vënë në gjurmë, për të bërë të mundur kapjen e shkelësit tjetër. Nuk vonoi shumë, kur qeni i kufirit, u hodh mbi një shkurre, ku qëndronte i strukur përmbys një person tjetër, të cilit ia nguli dhëmbët në kurriz, duke i grisur e shqyer xhaketën ushtarake që ai mbante veshur. Pas thirrjes; “duart lart, mos lëviz se do të qëllojmë”, njësiti kufitar, iu afrua duke e lidhur me duar prapa dhe menjëherë u afruan te grupi tjetër me ushtarë e oficerë, të cilët qëndronin në këmbë rreth shkelësit tjetër të kufirit, që dergjej i shtrirë në tokë, pa  shenja jete, pasi kishte mundur të shqiptonte vetëm dy tre fjalë, duke u thënë se; quhej Sokol Vreshti dhe ishte nga fshati Bajzë. Gjë të cilën e konfirmoi edhe shoku i tij, që u kap i gjallë pak metra më larg, i cili u tha se; quhej Gjelosh Gega, nga fshati Bogë i Malësisë së Shkodrës dhe bashkë me Sokolin, ishin ushtarë në një repart në Vërmik të Vlorës.

Pas kësaj, sipas urdhrave të shefave e kuadrove kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, që prej një jave, drejtonin atë operacion kërkimi nga reparti i Batalionit të Kufirit, Gjelosh Gegën, e lidhën me pranga me shokun e tij, Sokol Vreshtin (tashmë të vdekur), dhe pasi i hipën në karrocerinë e një automjeti “ZUK” të Degës së Brendshme, i nisën për në Shkodër, të shoqëruar nga shumë forca të kufirit. Për këtë ngjarje të pazakontë, të ndodhur gati 37 vjet më parë, përveç disa mbledhjeve të reparteve të Batalionit të Kufirit që mbulonte atë zonë dhe atyre të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, ku kufitarët që kishin asgjësuar dhe kapur të gjallë dy shkelësit e kufirit, u përgëzuan, shpërblyen (me leje të jashtëzakonshme) dhe u dekoruan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Një version të saktë mbi vrasjen e Sokolit, nuk mund të japë as shoku i tij, Gjelosh Gega, (tashmë 58 vjeç) që u kap i gjallë nga forcat e kufirit dhe ato vullnetare, (i cili u dënua me 16 vjet burg, “për tradhti të lartë ndaj atdheut”), pasi ajo ngjarje, ndodhi në ora 01 e 30 të natës dhe në mes të pyllit, ku ai s’ka pasur mundësi të shihte asgjë! As familja Vreshti dhe as Gjeloshi, nuk mund ta japin një version të saktë, nëse; Sokol Vreshti, u qëllua pa paralajmërim nga njësiti kufitar, apo atë e qëlluan dhe e vranë, pasi iu kërkua të ngrinte duart lart, por ai ngaqë ishte i plagosur në njërën dorë, ngriti vetëm dorën tjetër dhe në atë moment, ushtarët e kufirit e qëlluan. Po kështu ata, ende nuk kanë një informacion të saktë dhe nuk e dinë rrjedhën e ngjarjes, pra; si dhe kur, Sokoli me Gjeloshin, bënë plane dhe vendosën që të arratisen nga Shqipëria, si e kaluan ata periudha afro dhjetë ditore, duke u endur maleve në zonën e Vermoshit, në tentativë për të kaluar kufirin për në Guci, kush ishin dy njerëzit që ata takuan rastësisht në pyll (në Vukël e Lëpushë) dhe që lajmëruan menjëherë organet e kufirit, për t’u vënë në ndjekje të tyre, kush ishin personat që udhëhoqën atë operacion kërkimi për kapjen e tyre dhe mbi të gjitha, cili ishte njeriu që qëlloi mbi Sokol Vreshtin, duke e lënë të vdekur?!

Lidhur me këto dhe të tjera, bëhen të ditura nga një dosje nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (dosja formulare, hetimore dhe gjyqësore), ku është e sqaruar me detaje, gjithçka nga ajo ngjarje tragjike e ndodhur afro 37 vite më pare, në zonën e Vermoshit.

DOKUMENTI SEKRET ME PROCES-VERBALET E MARRJES NË PYETJE TË PANDEHURIT GJELOSH GEGA, NGA HETUESI I RRETHIT SHKODËR, SOKOL PUTO

Proces-verbal i marrjes në pyetje të pandehurit Gjelosh Gega, më datën 5.10.1986, unë Sokol Puto, hetues i Hetuesisë së rrethit Shkodër, në bazë të nenit 78 të Kodit Procedurës Penale, pyeta të pandehurin Gjelosh Gega i biri i Franit dhe Terezinës, datëlindja 1965, vendlindja, Bogë Koplik, me kombësi shqiptare, gjendja shoqërore kooperativist, arsimi 8 klasë, anëtar i Bashkimit të Rinisë, është duke kryer shërbimin ushtarak në Repartin Ushtarak 3502 në Vlorë. Nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar. Qëndrimi politik i familjes gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare ka qenë indiferent. Vendbanimi i përhershëm Bogë-Koplik. Nuk është zgjedhur asnjëherë në organet e Pushtetit.

Pyetje: Ju i pandehur, akuzoheni se në bashkëpunim me Sokol Vreshtin, keni tentuar të arratiseni jashtë shtetit, në Jugosllavi, vepër kjo e parashikuar nga neni 47 gj+13+11 të Kodit Penal, çfarë keni për të thënë?

Përgjigje: Lidhur me akuzën që më bëhet, unë atë e kuptoj dhe kam për të thënë se atë e pranoj plotësisht dhe kam për të dhënë këto shpjegime. Unë jam nga fshati Bogë i Koplikut të rrethit Shkodër. Në familje, unë kam babën tim Franin, që punon në kooperativë, nënën time, Terezën, që është shtëpiake, katër vëllezër, Palin që është bari, Sokolin që është në shkollë në klasën e shtatë, Aleksin që është në klasën e pestë. Unë jam djali i madh. Gjithashtu kam edhe katër motra, që janë të martuara të gjitha dhe janë më të mëdhaja se unë në moshë. Nga farefisi im, unë kam axhën, Nik Gega, që është arratisur jashtë shtetit në vitin 1965, së bashku dhe me disa të tjerë dhe sot jeton në Amerikë.

Para dy vjetësh, ai na ka dërguar neve një letër dhe babai im i ka kthyer përgjigje. Tjetër gjë më gjatë për të, nuk di. Unë vetë jam mobilizuar ushtar në vitin 1985 dhe kam qenë efektiv në Repartin Ushtarak 3205 në Vlorë. Ky është repart punimesh dhe unë kam punuar në vende të ndryshme dhe tani së fundmi, në Vërmik të Vlorës. Në repartin që isha unë, në Vërmik dhe që kishte numrin 8799/5, kemi qenë rreth 17 ushtarë nga Shkodra. Nga të gjithë këta persona, unë jam shoqëruar më shumë me Sokol Vreshtin. Nga muaji maj i këtij viti, një ditë kur po rrija në repart me Sokolin, ai më thotë se kishte një vëlla të arratisur jashtë shtetit dhe që banonte në Amerikë, dhe se kishte edhe ai ndërmend që të arratisej dhe që të shkonte te i vëllai në Amerikë.

Kur më ka bërë këtë bisedë ai, më ka propozuar edhe mua, që të arratisesha me të. Unë fillimisht nuk kam pranuar, duke thënë se kisha shtëpi dhe njerëz të familjes. Pas kësaj, rreth një muaj më vonë, Sokoli ma ka bërë përsëri këtë propozim dhe unë fillova të lëkundesha në mendimin që kisha dhënë herën e parë. Para një muaji, në një bisedë që kam bërë me të, më në fund unë i kam pranuar atij që të arratiseshim bashkë. Për kohën se kur do të arratiseshim, ai më tha se kur të ishte gati, do më njoftonte dhe mua. Pas kësaj, në muajin shtator, Sokoli martonte motrën e tij në Bajzë dhe komanda i ka dhënë leje, por se sa ditë, nuk e di. Një apo dy ditë pasi Sokoli kishte ikur me leje, më ka takuar komisari i Batalionit, Sotir Dema dhe më tha se; do të më niste disa ditë me leje, pasi kishte ardhur një telegram, që kisha vëllanë të sëmurë.

Që atë ditë, ai ka plotësuar lejen time dhe unë kam ikur në shtëpi. Kur kam shkuar në shtëpi, kam parë se të gjithë njerëzit e shtëpisë ishin mirë dhe se nuk kisha njeri të sëmurë. Atëhere mua më shkoi mëndja se, telegramin ma kishte nisur Sokol Vreshti. Kjo për faktin, se një javë para se të ikte me leje Sokoli, më kishte thënë se, do shkonte në shtëpi se martonte motrën dhe se po të gjente mundësi, do më njoftonte që të shkoja edhe unë në shtëpi, me qëllim që të arratiseshim bashkë. Për këtë, ditën e djelë më datën 21.10.1986, unë kam shkuar nga Boga në Bajzë, ku kishte shtëpinë Sokoli dhe e kam takuar atë. Aty ai më tha se kishte vendosur që të ikte, për t’u arratisur të nesërmen, pra ditën e hënë. Unë e kam kundërshtuar, duke i thënë se nuk na duhej gjë ajo punë, se do të na kapnin. Sokoli më tha se, kishte shpresa se do kalonte kufirin.

Pas kësaj ai më ka pyetur se; kur do të nisesha për në repart dhe unë i kam thënë se do të nisesha për ditën e mërkurë. Pas kësaj, unë kam shkuar përsëri në shtëpi. Ditën e mërkurë, rreth orës 10.00, unë kam zbritur në Koplik, me qëllim që të shkoja për në repart. Aty tek restoranti, unë kam takuar edhe Sokolin, i cili më ka takuar dhe përsëri dhe më ka thënë se; ishte i vendosur për t’u arratisur dhe kërkonte që të shkoja edhe unë me të. Unë kam pranuar dhe që të dy bashkë, atë natë jemi kthyer përsëri në drejtim të Bogës, ku atë natë kemi fjetur jashtë në mal. Me vete kemi pasur një bukë, të cilën e kemi blerë në restorant në Koplik. Neve kemi shkuar në atë drejtim, duke menduar të kalonim nëpër bjeshkë me dalë në Kelmend, pasi kemi fjetur atë nat në mal, sipër Bogës.

Aty Sokoli, më tha mua që të shkonim nga Thethi, por unë i thashë se; nuk e dija rrugën dhe ai më tha se do të shkonim nga Kelmendi, se e dinte ai rrugën. Ditën e dytë, kemi ecur tërë ditën dhe natën kemi fjetur përsëri jashtë në mal. Këtë ditë, pra ditën e enjte, duke ecur nëpër mal, kemi takuar një burrë rrugës dhe Sokoli e ka pyetur atë se nga ishte rruga për në Qafën e Bordolecit. Ai na ka treguar me dorë, për në drejtim të një qafë mali. Gjatë bisedës me të, morëm vesh se ai burri ishte nga Vukli, por emrin nuk ja mësova. Ai na ka pyetur se ku donim të shkonim dhe Sokoli i ka thënë; tek një mik në Lëpushë. Sokoli i ka treguar atij burrit, edhe emrin e mikut, por unë tani se kujtoj se kush është. Gjithashtu ai burri, na ka pyetur se nga ishim dhe neve i kemi thënë; nga Bajza dhe nga Boga.

Pas kësaj, ai burri na ka thënë që të prisnim dhjetë minuta, sa të merrte një sëpatë dhe do të na shoqëronte, por ne nuk e kemi pritur dhe jemi larguar. Neve kemi vazhduar rrugën dhe pas një ore apo më tepër, kemi ndjerë nga prapa një krismë pushke dhe kur jemi kthyer, unë kam parë poshtë në brinjë, disa pushkatarë, të cilët na thirrën për të ndaluar. Në këto momente, Sokoli ka nisur të vrapojë dhe unë kam vazhduar, duke vrapuar pas tij. Duke vrapuar, jemi futur në një pyll, duke u fshehur dhe aty kemi kaluar natën. Gjatë natës, kemi dëgjuar zhurmë njerëzish, që na kërkonin. Gjatë kësaj kohe, me njëri tjetrin, kemi bërë biseda të ndryshme, se mos na kapnin, na vrisnin, etj. Të nesërmen, kemi ecur përsëri gjatë maleve dhe nuk kemi takuar njeri gjatë rrugës. Edhe këtë natë, kemi fjetur jashtë. Të shtunën, duke ecur përsëri nëpër male, kemi hasur në një grua me dele dhe ajo na ka pyetur se, ku donim të shkonim dhe ne i thamë; në Qafë të Bordolecit.

Ajo, na ka pyetur për leje, por ne i kemi thënë se, nuk kishim. Pas kësaj, ajo gruaja na ka shoqëruar deri afër repartit dhe u ka thirrur ushtarëve poshtë. Në këtë moment, Sokoli ka ikur përsëri me vrap dhe pas tij kam ikur dhe unë. Unë pashë se pas nesh, janë vënë disa ushtar me vrap, por ne jemi fshehur në pyll dhe ata, megjithëse na kanë kërkuar, nuk na kanë gjetur. Atë natë, kemi fjetur jashtë dhe ditën e djelë dhe të hënë kemi ecur përsëri në mal, por pa takuar njeri. Të hënën, kemi dalë në mal, sipër një fushe dhe Sokoli tha se, ishin shtëpitë e Vermoshit. Aty afër kemi hipur në një pemë, ku kemi ngrënë kumbulla dhe pasi kemi kaluar një përrua, jemi ngjitur përsëri lart në mal. Të martën, duke u ngjitur lart në mal, kemi hasur në disa roje, ku ishte dhe një ndërtesë. Ata na kanë parë dhe na kanë thirrur prej larg, por neve kemi ikur përsëri me vrap. Atëhere, ata kanë qëlluar disa herë me pushkë.

 

Pas rreth një ore, duke ecur nëpër mal, kemi parë shumë drita larg, poshtë malit dhe Sokoli më tha se, ishte Gucia e Jugosllavisë dhe kemi vazhduar rrugën në drejtim të dritave. Duke zbritur poshtë, kemi dëgjuar një zë që na ka bërtitur: “ndal”! Në këtë kohë, Sokoli ka qenë duke ecur para meje 15 metra, megjithëse nuk e shikoja, se ishte errësirë e plotë. Pas pak filluan krismat e automatikut dhe unë pashë flakën e tij. Unë, menjëherë jam shtrirë në tokë përmbys dhe nuk ka lëvizur fare. Pas 10 minutash, unë kam dëgjuar dikë duke folur: “Ja ku është njëri, këtu”. Gjatë kësaj kohe, unë kam lëvizur pak nga vendi, por pa u larguar, se hidheshin raketa që bënin dritë. Pas pak, mua më është afruar një qen kufiri dhe bashkë me të, ishte dhe një oficer. Pas pak, kanë ardhur dhe njerëz të tjerë dhe mua më kanë dërguar në postën e kufirit. Tjetër gjë, nuk kam për të thënë. Procesin e lexoj dhe e firmos.

           I PANDEHURI                                                                   HETUESI

            (Gjelosh Gega)                                                              (Sokol Puto)

PROCES-VERBAL I PYETJES SË TË PANDEHURIT

Në Shkodër, sot me datën 9.10.1986, unë hetuesi i Hetuesisë së rrethit Shkodër, Sokol Puto, rimarr në pyetje, të pandehurin Gjelosh Gega:

Pyetje: I pyetur në hetuesi, dëshmitari Nik Gj., ka deklaruar se është takuar me ju, afër fshatit Vukël, ditën e premte, kurse ju i pandehur, keni thënë se e keni takuar me të, ditën e enjte, si është e vërteta.

Përgjigje: E vërteta është se me këtë person, ne jemi takuar ditën e premte në mëngjes, pra ashtu siç thotë ai vetë. Natën e parë kemi fjetur mbi Bogë, kurse natën e dytë, të enjten në darkë, kemi fjetur jashtë në mal, kurse të premten në mëngjes, kemi takuar atë fshatarin nga Vukli.

Pyetje: Lidhur me qëllimin tuaj për t’u arratisur jashtë shtetit, a keni biseduar me njeri tjetër?

Përgjigje: Unë kam për të thënë se, muhabetet që kemi bërë me Sokol Vreshtin, nuk i kemi biseduar me asnjë njeri tjetër, por vetëm me njëri-tjetrin, neve të dy.

Pyetje: Cili ishte shkaku, që ju të dy donit të arratiseshit jashtë shtetit?

Përgjigje: Unë nuk kam pasur asnjë shkak, që tentova të arratisem. Gjatë kësaj kohe që mendova me Sokol Vreshtin për t’u arratisur, kam menduar të shkoja tek axha im, që banon në Amerikë. Kurse Sokoli, më thoshte se edhe ai donte të shkonte tek i vëllai i tij, që e kish të arratisur dhe që jetonte edhe ai në Amerikë.

Pyetje: A biseduat me njeri tjetër ju i pandehur, se si do të shkonit deri në Amerikë?

Përgjigje: Neve me njëri tjetrin, kemi biseduar vetëm për t’u arratisur, por nuk kemi menduar fare, se si do shkonim deri në Amerikë. Pra, neve kishim si qëllim, të shkonim deri në Amerikë, por se si do të shkonim deri atje, nuk e kishim menduar fare këtë punë.

Tjetër gjë, nuk kam për të thënë. Procesin pasi e lexoj, e firmos.

    I PANDEHURI                                                                  HETUESI

  (Gjelosh Gega)                                                              (Sokol Puto)

PROCES-VERBAL I PYETJES SË TË PANDEHURIT

Në Shkodër, sot me datë 10.10.1986, unë hetuesi i Hetuesisë së Shkodrës, Sokol Puto, rimarr në pyetje të pandehurin Gjelosh Gega.

Pyetje: Ju i pandehur, akuzoheni edhe për veprën penale të shmangies përgjithmonë nga shërbimi ushtarak, të kryer në bashkëpunim, vepër kjo e parashikuar nga neni 139 + 11 i Kodit Penal. Çfarë keni për të thënë?

Përgjigje: Unë këtë akuzë që më bëhet e dëgjova, e kuptoj dhe kam për të thënë se e pranoj. Unë me veprimin tim, jo vetëm që kam dashur të arratisem, por i jam shmangur përgjithmonë shërbimit të detyrueshëm ushtarak, që isha duke kryer. Tjetër gjë, nuk kam për të thënë. Procesin pasi e lexoj, e firmos.

    I PANDEHURI                                                                     HETUESI

  (Gjelosh Gega)                                                                   (Sokol Puto)

PROCES-VERBAL I PYETJES SË TË PANDEHURIT

Në Shkodër, sot me datë 20.10.1986, unë hetuesi i Hetuesisë së Shkodrës, Sokol Puto, rimarr në pyetje të pandehurin Gjelosh Gega.

Pyetje: Përfundimisht ju i pandehur, akuzoheni se në bashkëpunim me persona të tjerë, keni tentuar të arratiseni jashtë shtetit në Jugosllavi si dhe i jeni shmangur përgjithmonë shërbimit të detyrueshëm ushtarak në bashkëpunim, vepra këto të parashikuara nga neni 47 gj.11+13 dhe 139+13 të Kodit Penal. Çfarë keni për të thënë?

Përgjigje: Të dyja akuzat që më bëhen, unë i pranoj plotësisht dhe jam penduar për fajin që kam bërë dhe kërkojë mëshirë.Tjetër gjë, nuk kam për të thënë. Procesin pasi e lexoj, e firmos.

    I PANDEHURI                                                               HETUESI

  (Gjelosh Gega)                                                              (Sokol Puto)

DOKUMENTI ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË DËSHMITARIT RIFAT JAKUPI, KOMISAR I POSTËS SË KUFIRIT BASHKIM TË VERMOSHIT, NGA HETUESI SOKOL PUTO

Në lidhje me çështjen, shpjegoj si më poshtë: Para nja dy ditësh, postës sonë i është dhënë një situatë, se dy ushtarë të ardhur nga thellësia, janë nisur për t’u arratisur jashtë shtetit. Ne kemi marrë të gjitha masat në sektorin tonë, duke vënë në shërbim, edhe banorë të zonës. Gjatë këtyre dy ditëve, neve kemi vazhduar shërbimin pa ndërprerje. Dje pasdite, rreth orës 18.00, janë dëgjuar rreh 10-12 krisma pushke, nga mali i Bojës, në vendin e quajtur “Gropat e Ujit”. Unë kam nxjerrë disa njësite përforcuese në drejtim të vijës së kufirit, dhe kam shkuar edhe vetë pas tyre.

Rreth orës 24.00, unë isha bashkë me dy civilë të njësitit dhe kam dëgjuar krisma automatiku, dhe pashë xhaketën e hedhur. Vetë, menjëherë jam kthyer në drejtim të krismave. Më pas meje, ka ardhur edhe shoqëruesi i qenit. Unë jam afruar tek vendi ku kisha lënë njësitin dhe takoj ushtar, D.M., i cili më tha se; njërin nga shkelësit e kishte vrarë dhe tjetri kishte ikur prapë. Unë kam shkuar në drejtim të vendit, ku më tregoi ushtari dhe kam parë një ushtar të shtrirë, duke dhënë shpirt. Unë e kam pyetur; “Sa veta jeni”, dhe ai më ka thënë “dy”. Unë e kam lënë atë aty dhe jam kthyer të takoj njësitet e tjerë të bllokimit.

Kur ka ardhur shoqëruesi i qenit, bashkë me të, jemi vënë në ndjekje të shkelësit të dytë, duke vënë qenin në gjurmë. Rreth 8-9 metra, më duket, qeni është hedhur sipër një personi, që ishte strukur tek disa shkurre. Unë bashkë me njësitin, e pashë që ishte një person, ushtar i shtrirë, përmbys. Vetëm e kam kthyer dhe e kam pyetur, nëse kishte plagë dhe ai më tha se nuk kishte. Pas kësaj, e kemi nxjerrë në rrugë dhe e kemi nisur në postë, bashkë me të plagosurin, i cili kishte vdekur. Kur kam ardhur në postë, kam mësuar se ushtari quhej, Sokol Vreshti, kurse ai që ishte gjallë, Gjelosh Gega. Ky i fundit, i thotë jam nga Boga, kurse i vrari, nga Bajza.

Kur i kemi kontrolluar, u kemi gjetur dokumentet personale, një sasi lekësh, një fotografi, etj. Të vrarit, i kemi gjetur edhe një adresë personi për në Amerikë. Tjetër gjë, nuk kam për të thënë. Procesin e lexoj dhe e firmos.

   Dëshmitari                                                                              Hetuesi

  (Rifat Çokaj)                                                                       (Sokol Puto)

DOKUMENTI ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË USHTAR D.M., I NJËSITIT KUFITAR TË POSTËS BASHKIM, NGA HETUESI SOKOL PUTO

Proces-verbal i pyetjes së dëshmitarit

Sot me datën 2.10.1986, në Vermosh, unë Sokol Puto, i hetuesisë së rrethit Shkodër, marrë në pyetje si dëshmitar i postës kufitare Bashkim, D.M., i datëlindjes 1965, me arsim 7 klasë, me vend-banim në……., me detyrë ushtarë në postën kufitare Bashkim. Në lidhje me çështjen, shpjegoj si më poshtë: Unë jam ushtar i vitit të dytë në postën kufitare Bashkim. Para dy ditësh, na është dhënë një situatë që dy ushtarë, të ardhur nga thellësia, donin të arratiseshin. Për këtë, unë kam dalë në shërbim si gjithë shokët e tjerë, rreth orës 18.00 dhe jam kthyer nga shërbimi dje, pas 24 orësh.

Në orën 17.00, na është dhënë përsëri situatë, se dy shkelësit, po ecnin drejt vijës së kufirit. Unë kam shkuar përsëri në shërbim, kësaj radhe, së bashku me një burrë të moshuar nga fshati Vermosh, që quhet Mark. Të gjithë shokët e mi, kishin dalë nëpër vende të ndryshme bllokimi. Unë bashkë me atë burrin, kam marrë rrugën në drejtim të “Përroi të Shurdhët” dhe kishim urdhër për të zënë vend në livadhin me fier. Kur kemi shkuar atje, kemi zënë vend poshtë rrugës. Duke ndenjur në pritje, pas dy orësh, unë kam ndjerë një zhurmë, që vinte nga maja e malit, duke zbritur poshtë, në drejtim tonë. Pas nesh, rreth 500 metra, ishte vija e kufiri.

Në këtë kohë, unë i kam dhënë plakut që kisha me vete, pistoletën shenjëdhënëse dhe i thashë se; kur unë të bëja ndaljen, ai të qëllonte lart, për të ndriçuar vendin. Kam pritur se po më afrohej, unë kam folur me zë të lartë: “ndal, parullën”. Menjëherë, dëgjova hapat që po largoheshin dhe qëllova një herë në ajër. Pas kësaj, zhurma përsëri po largohej, dhe atëhere unë kam drejtuar armën nga fieri dhe kam qëlluar disa here, me breshëri. Në këtë moment, kam dëgjuar përballë meje, një “oh”. Unë kam filluar të afrohem barkas, në drejtimin nga kisha qëlluar. Në atë moment, ka ardhur aty tek ne, komisari i postës, të cilit i thashë se njërin e kisha vrarë, kurse tjetri, ka ikur. Bashkë me të jemi afruar me dritë tek personi i shtrirë dhe pashë që ishte një nga shkelësat i vrarë.

Aty, komisari i ka afruar dritën dhe pamë që ishte akoma gjallë. Komisari e pyeti; “sa veta jeni”, dhe ai me gjysëm zëri është përgjigjur për “vetë i dytë”. Neve e kemi lënë atë të shtrirë dhe jemi vënë në ndjekje të tjetrit. Në këtë kohë, ka ardhur aty edhe kujdestari me qenin e kërkimit dhe kemi vënë qenin në gjurmë. Rreth 7-8 metra më lart, kemi parë të strukur në shkurre, një person tjetër, edhe atë ushtarë. Atë e kam parë që ishte gjallë dhe e kemi çuar vetë. Pastaj kanë ardhur edhe shokë të tjerë, të cilët kanë marrë kufomën me vete dhe kanë ardhur në postë. Shtoj se, kur kanë prurë kufomën, konstatova se ajo, ishte rreth 10 metra larg vendit ku kam qëlluar unë. Shkelësin e kapur, e kemi pyetur për emrin dhe ai tha se quhej Gjelosh, dhe ishte nga Boga. Tjetër gjë nuk kam për të thënë. Procesin e lexoj dhe e firmos. Memorie.al

                              Dëshmitari                                                             Hetuesi

                               (D.M.)                                                             (Sokol Puto)

 

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja kremtohet edhe në Lezhë, qindra besimtarë i bashkohen ritualit fetar në katedralen e ‘Shën Nikollit’

Krishtlindja kremtohet edhe në Lezhë, qindra besimtarë i bashkohen ritualit fetar në katedralen e ‘Shën Nikollit’