TIRANE - Ngjarjet e fundit kriminale, si ekzekutimi i biznesmenit Arjan Ferracaku në Shkodër si dhe atentati me armë zjarri ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, ka bërë që ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj të mbledhë me urgjencë drejtuesit e policisë dhe të bëjë një paralajmërim të fortë për drejtuesit e policisë në qarqe.

Burime për Report Tv saktësuan se Xhafaj ka zhvilluar paraditen e kësaj të diele një takim në Ministrinë e Brendshme me disa nga drejtuesit e lartë të policisë në vend me në krye Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Me tone të ashpra, Xhafaj ka paralajmëruar se nëse nuk ka zbardhje të ngjarjeve të fundit kriminale, atëherë ata do largohen nga detyra. Ministri i Brendshëm ka lënë një ultimatum dy mujor për drejtuesit që të hedhin dritë mbi atë çka ka ndodhur muajt e fundit në vend. 

Shqetësimi i Xhafajt ka qenë për situatën kriminale në Shkodër, ku muajt e fundit kanë ndodhur pesë ngjarje të rënda kriminale dhe të pazbardhura, por nuk mbeten pas as Vlora me Lezhën, si zonat më të frekuentuara nga krimi. 

Ndryshoni situatën për ngjarjet kriminale në Shkodër dhe qytetet e tjerë. Nëse nuk ka rezulate largoheni në muajin tetor. 

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm

Kështu, drejtori i Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati, drejtori i Policisë së Vlorës dhe ai i Lezhës, rrezikojnë shkarkimin nga detyra nëse puna e tyre nuk jep rezultate brenda muajit tetor. Xhafaj kërkoi nga Drejtori i Përgjithshem Ardi Veliu, largimin nga Drejtorite Vendore apo Policia Kriminale te efektivëve te paafte dhe për te cilët ka indicie për implikim. Ministri inkurajoi për veprime hetimore policore të thelluara dhe bashkepunim intensiv me Prokurorinë, si edhe denoncim te rasteve nese do te rezultojë qe prokurore të caktuar zvarrisin e pengojnë ecurinë e hetimeve, apo hezitojne të lëshojne urdhra-ndalimi për persona te implikuar

Në 2 muajt e fundit në Shkodër kanë ndodhur një seri ngjarjesh kriminale, ende të pazbardhura. Më 15 korrik në Shkodër u gjetën të ekzekutuar në makinën e tyre, ish-polici Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij, Silvi Ndoci. Më 10 gusht, në Shkodër u gjet i vrarë me 15 plumba Fatbardh Lici. Ndërsa, sherri mes fqinjëve i mori jetën 55-vjeçarit, Prendush Fushaj më 27 gusht. Pak ditë më pare, po në Shkodër, janë denoncuar si të zhdukur, daja dhe nipi, Agron Mullaj dhe Gëzim Hysa, fati i të cilëve ende nuk dihet. 

Gjithashtu, edhe Vlora me Lezhën nuk mbeten pas. Në qytetin bregdetar kanë ndodhur disa atentate me armë zjarri dhe tritol të cilat vijojnë të mbeten pa autor. Gjithashtu, krimi ngriti dorë tre ditë më parë edhe ndaj një njeriu të medias. Banesa e prindërve të gazetares Klodiana Lala, në perfiferi të Tiranës, u bë objekt i një atentati me armë zjarri, ku u qëllua me breshëri kallashnikovi, por fatmirërisht pa të lënduar. Edhe për këtë ngjarje nuk ka asnjë të ndaluar nga policia, ndërsa pista e hetimeve është përqendruar te ajo për shkak të detyrës.