TIRANË- Tre biznesmenë italianë dhe 2 shqiptarë janë dënuar gjithsej më 16 vite burg për krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH-në. Andrea Di Dio, pronar i një kompanie me emrin “Sidec Albenergy” ishte organizatori, krijuesi dhe përfituesi kryesor nga skema mashtruese, ndërsa në drejtim të tij lëshohen fatura fiktive nga 4 bizneset e tjera.

Di Dio është dënuar me 4 vite burg për fshehje të të ardhurave dhe skemë mashtruese më TVSH, ndërsa për të njëjtat akuza firma e tij Sidec është dënuar nga gjykata me 1.500 mln lekë të reja gjobë,

Katër të tjerët, dy shqiptarët Ilir Qafa dhe Elton Beqiraj, si dhe 2 italianët Salvatore Castorina dhe Salvatore Cascino dënohen me nga 3 vite burgim për krijim të skemave mashtruese për TVSH-në dhe mospagim taksash.

Sipas vendimit të Gjykatës të katërt kanë pranuar të lëshojnë në mënyrë fiktive fatura tatimore për shërbime konsulence në favor të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të shoqërisë së italianit Di Dio, duke e ditur shumë mirë se bizneset e tyre dhe ajo e të pandehurit u krijuan në funksion të ngritjes dhe vazhdimit të skemës.

"Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u shpallën fajtor shtetasit I.Q., E.B., A.D., S.C., S.C., Z.K., si dhe shoqëritë ‘Sidec Alenergy’ shpk, ‘Primis’, ‘Gainsbourg’ shpk, ‘Al Nair Trading’ shpk dhe ‘CS International Consulting’ shpk, për veprat penale ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar’ e kryer në bashkëpunim, ‘Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëe’, ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’ si dhe ‘Fshehja e të ardhurave’, parashikuar nga nenet 144/a dhe 25, 190/2, 181 dhe 180/a të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimi penal nr.252 të vitit 2021, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, provoi se shtetasit I.Q. dhe E.B, në bashkëpunim me shtetasit italianë A.D, S.C dhe S.C., kanë ngritur një skemë mashtruese për përfitimin e rimbursimit të TVSH, nëpërmjet kontratave fiktive të konsulencës juridike. Këta persona dhe shoqëritë e tyre krijuan një skemë të mirëorganizuar të qarkullimit të parave përmes shërbimeve fiktive, me synim shpërndarjen e shumave monetare dhe shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e padrejtë të TVSH-së, në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare.

Të pandehurit I. Q., E.B., S. C. dhe S.C. kanë qenë në rolin e ndihmësit të të pandehurit A.D., i cili rezulton të jetë në rolin e organizatorit, krijuesit dhe përfituesit kryesor nga kjo skemë mashtruese. Ata kanë pranuar të lëshojnë në mënyrë fiktive fatura tatimore për shërbime konsulence në favor të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të shoqërisë “Sidec” të pandehurit A. D., duke e ditur shumë mirë se shoqëritë e tyre dhe ajo e të pandehurit u krijuan në funksion të ngritjes dhe vazhdimit të skemës mashtruese. Ndërkohë i pandehuri Z. K., me detyrë kontabilist, duke qenë në dijeni të plotë të situatës financiare, ka bërë një trajtim kontabël plotësisht të gabuar", njoftoi Prokuroria e Tiranës. 

Dënime me gjobë kanë marrë edhe kompanitë e tyre, një me 1 mln lekë të reja dhe tre të tjera me nga 1.2 mln lekë. I dënuar është edhe një tjetër i pandehur, me akuzën e moskallëzimit të krimit.

Biznesmenët e dënuar
Andrea di Dio                  4 vite burg            Skemë mashtruese me TVSH dhe Fshjehje e të ardhurave
Ilir Qafa vite burg           3 vite burg            Skemë mashtruese me TVSH dhe mospagim taksash
Elton Beqiraj                  3 vite burg            Skemë mashtruese me TVSH dhe mospagim taksash
Salvatore Castorina         3 vite burg            Skemë mashtruese me TVSH dhe mospagim taksash
Salvatore Cascino           3 vite burg            Skemë mashtruese me TVSH dhe mospagim taksash
Kompanitë e dënuara
“Sidec Albenergy”          1.500.000 lekë                Skemë mashtruese me TVSH dhe Fshjehje e të ardhurave
“Primis”                         1 000 000 lekë                Skemë mashtruese me TVSH
“Gainsbourg”                  1.200.000 lekë                Skemë mashtruese me TVSH dhe mospagim taksash
“Al Nair Trading”           1.200.000 lekë                Skemë mashtruese me TVSH dhe mospagim taksash
“CS International Consulting” 1.200.000 lekë                 Skemë mashtruese me TVSH dhe mospagim taksash