Nikolla në 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave: Akademikët të kontribuojnë e ndikojnë më shumë në jetën politike dhe shoqërore

Nikolla në 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave: Akademikët të kontribuojnë e ndikojnë më shumë në jetën politike dhe shoqërore

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mori pjesë dhe përshëndeti në Konferencën Jubilare kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave. Nikolla shprehu nderimin e mirënjohjen për brezat e akademikëve që e themeluan, rritën e kontribuojnë që Akademia e Shkencave, si qendër e mendimit shkencor elitar, t’u përgjigjet e paraprijë nevojave të zhvillimit të Shqipërisë e të kombit shqiptar. Nikolla tha se akademikët duhet të  kontribuojnë e ndikojnë më shumë në jetën politike dhe shoqërore të vendit.

“Akademia e Shkencave ka meritën historike që i ktheu dijet në shkenca të mirëfillta e serioze, me objekt e qëllim të disiplinuar, me teza të formuluara e konfirmuara me përgjegjësi, me ndërveprim të suksesshëm e të harmonizuar të gjuhësisë, arkeologjisë, historisë, studimeve antropologjike dhe kulturologjike, studimeve për letërsinë dhe arteve.

Për herë të parë albanologjia shqiptare u bë shkollë studimesh e denjë dhe konkurroi me qendrat dhe shkollat e tjera në Perëndim e në Lindje. Rrjeti i institucioneve të ngritura pranë Akademisë së Shkencave në shërbim të ekonomisë dha prova suksesi me ndikimin e vet të shumanshëm, prej shkencave të zbatuara në bujqësi e blegtori deri tek ndërtimi i veprave hidrike, që mbajnë sot në eficiencë rrjetin energjetik të vendit.

Nismat themelore në botimet albanologjike, të koordinuara edhe me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës si Fjalori i madh i gjuhës shqipe, Enciklopedia shqiptare dhe Historia e shqiptarëve, janë tashmë një model i bashkëpunimit midis botës akademike dhe qeverisjes.

Në këtë 50-vjetor ju dhe të gjithë ne jemi kryelartë për të festuar, sepse Akademia e Shkencave ka një vizion e perspektivë të qartë zhvillimi, për sot e për ngamot. Është koha për të menduar e mirëpritur që ju, akademikët dhe elitat intelektuale e universitare shqiptare, të kontribuoni e të ndikoni më shumë në jetën politike e shoqërore të vendit”, tha Nikolla.


Lajmi kryesor:

50-vjetori i themelimit të Akademisë së Shkencave, Rama: Akademikët tanë mbrojtën interesin e gjuhës shqipe! Nëse sot përballemi me botën si shqiptarë është falë tyre


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja