Nikolla: Tërmeti 'totalitar' dhe pasgoditjet me rrena të ndonjë media!

Nikolla: Tërmeti 'totalitar' dhe pasgoditjet me rrena të ndonjë media!

Që fëmijë jam hasur me tronditjen që na përcjell tërmeti. Kam qenë duke luajtur futboll me fëmijë të lagjes kur ra tërmeti i ‘79-s! Në rastin e parë, më shumë se dramë, ne e përjetuam si lojë! Valët e tërmetit ishin aq të forta saqë po qeshnim në fushë dhe po përpiqeshim të kuptonim se në favor të cilës skuadër ishin ato lëkundje. Por loja mbaroi shpejt dhe me kthimin në shtëpi mësova se shtëpia jonë ishte ndër të dëmtuarat nga tërmeti. Aty, me sytë e një fëmije, pashë se lëkundjet nuk kishin qenë vetëm në fushën e lojës, pasi ato kishin shkuar deri te shtëpia ime dhe e shumë shokëve të mi, dhe kuptova se tërmeti mund të ishte gjithçka përveç lojës. Shumë më vonë, kur tashmë isha i rritur, e kam sjellë shpesh ndërmend atë ditë prilli të atij viti dhe tërmetit i kam vënë një epitet gati politik: me dukej si fenomen totalitar! Sikurse ishte asokohe dhuna, persekutimi, politizimi, frika, gënjeshtra e shumë veti tipike të diktaturave, edhe tërmeti në zonën ku binte ishte totalitar: nuk kursente asnjë qoshe! Pra në nënndërgjegjen time tërmeti ka mbetur si fenomen i dhunshëm dhe i paarsyeshëm.

Në kulturën e tij shqiptari nuk e ka të ngulitur fort respektin për burokracinë! Kjo gjë ka të metat e veta në pjekjen e demokracisë, por paradoksalisht, në rastin e fatkeqësive natyrore shërben në të mirë të njerëzve të prekur! Një orë pas rënies së tërmetit, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm ishin të pranishëm pranë një pallati të rrëzuar në Durrës. Prania në vetën e parë të personave me përgjegjësinë më të lartë institucionale aty ku ka ndodhur fatkeqësia na jep një ndjesi të mirë të të mos qenit të vetëm. Kjo për arsyen kulturore se shqiptari i beson vetëm “të madhit” dhe druhet se punonjësi përkatës nuk e përmbush detyrën si duhet! Në fakt, ky tërmet po dëshmon një përkushtim të thellë nga i “madhi” deri te më i “vogli”, pavarësisht nga kultura rimohuese që karakterizon disa gazetarë e analistë!

Kultura e gënjeshtrës “totalitare” (që nuk kursehet të keqinformojë çdo veprim të Qeverisë dhe të Bashkisë së Tiranës!) e cila i bashkëngjitet “pabesisë natyrore” të tërmetit, po vazhdon me pasgoditjet në media që nuk kanë të sosur. Ajo çka më së tepërmi habit në rastin e disa analistëve qëndron në faktin se nuk kanë as minimumin e respektit për të vërtetën, por e sulmojnë atë me saktësisht të kundërtën e saj, pa kurrfarë “zbukurimi” rrenacak. Fytyrat e rreshkura të disa analistëve nuk e kanë për hiçgjë të gënjejnë përballë impenjimit tej së zakonshmes të Qeverisë dhe të Bashkive të prekura, dallueshëm sidomos ajo e Tiranës!

Përvoja ime si këshilltar në Bashkinë e Tiranës më ndihmon për të dhënë disa shembuj mbi atë çka pohova më sipër: të gjithë punonjësit e Bashkisë, duke nisur nga Kryetari Veliaj e deri te punonjësi i fundit janë të angazhuar thuajse në harkun e 24 orëve të ditës dhe të gjithë e kryejnë me pasion të madh këtë detyrë që lidhet me emergjencën! Nga ana tjetër, disa media, kryesisht pranë opozitës, pohojnë: “banorët të lënë në harresë nga Bashkia Tiranë”! Ndërkohë që Këshilli Bashkiak ka miratuar ndihmën ekonomike për 100 familje të dëmtuara që t’u paguhet qiraja për një vit, tam-tamet e këtyre mediave vijojnë: “banorët që u janë dëmtuar shtëpitë nuk dinë kujt t’i drejtohen, pasi Bashkia Tiranë nuk jep asnjë përgjigje”!!!

Këshilli Bashkiak miraton shembjen e disa godinave të Qytetit Studenti, pasi përbëjnë rrezik për jetën e njerëzve dhe Bashkia siguron strehim të menjëhershëm për të gjithë banorët, por ndërkohë daullet e këtyre mediave ushtojnë: “policia bashkiake shkon e dhunon banorët në Qytetin Studenti”!!! Vetëm një gazetar i papërgjegjshëm i frymëzuar nga bëmat e policive diktatoriale mund të bëjë një pohim të tillë! Punonjësit e Bashkisë po tregojnë një heroizëm të jashtëzakonshëm dhe përbaltja e tyre është thellësisht e pamoralshme! Mjafton të kujtojmë se njëri prej punonjësve ka humbur 6 pjesëtarë të familjes së tij nga tërmeti dhe është çdo ditë në ndihmë të të prekurve! Teksa dëgjonim këtë lajm në TV, isha me një koleg italian që jeton në Tiranë prej pak kohësh, i cili më tha i çuditur: Si ka mundësi që policia dhunon viktimat e tërmetit!? Është rrenë, – i thashë! Atëherë e kam të pamundur t’ju kuptoj juve shqiptarëve, – m’u përgjigj përvuajtshëm!
Ky pohim i mikut tim nxjerr në pah dramën e një mungese kulture të debatit serioz mediatik mbi këtë problem, si nxitje e tharmimit kulturor për të qasur fatkeqësitë natyrore dhe për të ndihmuar në përballjen me dinjitet të çdo humbjeje njerëzore e dëmi material! Vetëm një debat serioz në media dhe revista të specializuara mund të nxisë edhe një projekt politik bipartizan për të përballuar me efekshmëri pasojat e tragjedive natyrore. Një projekt politik që duhet të ketë në bazë parandalimin nuk mund të jetë peshë specifike vetëm e Qeverisë aktuale, por edhe e asaj të mëparshme, si dhe e opozitave përkatëse për të nxjerrë në pah kundërshtitë e kundërthëniet rreth projekteve për të mirën e përbashkët! Mungesa e opozitës aktuale në këtë mision kaq thelbësor lë shumë për të dëshiruar! Ndërhyrjet e saj deri më sot shfaqin mendësi çapaçule!

Ky tërmet duhet të jetë një mësim i madh për të gjithë qytetarët, politikanët dhe personat përgjegjës teknikë! Por ajo çka nuk duhet harruar, besoj se ka të bëjë me faktin se fenomeni i tërmetit, ashtu si edhe shumë fatkeqësi natyrore, nuk mund të reduktohet vetëm në aspektin teknik e shkencor! Njëherazi debati duhet të jetë kulturor, politik e shoqëror, pasi edhe pasojat e dëmeve prekin të gjitha këto përmasa! Jam i bindur se përgjegjësit teknikë mund të na japin përgjigje të kënaqshme shkencore se “si” duhet t’u qasemi emergjencave, por vetëm debati politik e kulturor mund të na japë përgjigje “pse” duhet të ndërtojmë një parandalim serioz dhe afatgjatë!

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ambasadorët në turin e Ramës me diasporën! Hasani: Aktivitetet u zhvilluan në fundjavë! Opozita po ankohet për humbjen 6 muaj para

Ambasadorët në turin e Ramës me diasporën! Hasani: Aktivitetet u zhvilluan në fundjavë! Opozita po ankohet për humbjen 6 muaj para