'Real Estate në Tiranë, Histori dhe studim tregu – që nga viti 1993' Një libër befasuses i Inxhinier Lefter Silës, përcjellës njohje e kulture

'Real Estate në Tiranë, Histori dhe studim tregu – që nga viti 1993' Një libër befasuses i Inxhinier Lefter Silës, përcjellës njohje e kulture

Para pak ditësh më ra në dorë libri “Real Estate në Tiranë. Histori dhe studim tregu – që nga viti 1993” me autor Inxh. Lefter Sila. Me autorin jemi miq prej vitesh dhe rëndom ndodh që mes miqsh dhurohen libra, por jo kaq rëndom ndodh të lexuarit e librit, pasi për mirësjellje mund të lexohet ndonjë pjesë, kur libri nuk prek interesat apo shijet estetike të një personi.

Por ky libër ishte njëmend befasues pasi ka kapërcyer kufirin “teknik” dhe është futur në hapësirën kulturore të shkrimeve mjaft të arrira dhe më rrembeu krejt vemendjen derisa e lexova të tërin. Fillimisht mendova se do ishte një libër i fushës për teknikët e inxhinierisë apo për agjentët e agjensive të pronave, por ajo që më habiti ishte prania e ngjarjeve mbresëlënëse e aq të thella njerëzore saqë mund ta quaj pa frikë një doracak antropologjie të tranzicionit.

Duke lundruar me kënaqësi leximi nëpër faqet e librit gjeja, krejt si në përseritjen e një filmi, ngjarjet që të gjithë ne që jemi përplasur me tranzicionin i kemi kaluar: një ndjesi përzierje ndjesish si gëzim, çudi dhe përhumbje nga rënia e regjimit, pasiguria e një pune, pasiguria e jetës, humbja e shumë pikave të referimit qoftë në planin profesional, qoftë në atë shoqëror apo moral. Të gjitha këto, në formën e një aventure rrëmbyese shfaqen në librin e Lefter Silës në një harmoni midis informacionit dhe artistikes.

Pasi i përcjell lexuesit njohuri të mbi agjensitë e pronave, autori futet menjëherë në dëshmitë e jetës dhe ngjarjeve të përjetuara pranë agjensisë së themeluar prej tij: “Inf. 93 Real Estate” që është agjensia e parë e këtij lloj biznesi në Shqipëri pas rënies së komunizmit.    

Si shumë intelektualë që ia kishin dedikuar jetën profesionale ndërmarrjeve dhe institucioneve shtetërore edhe autori bëhet “viktimë” e ligjit 24/1 të vitit 1992 dhe largohet nga puna. Largim që trondit, por që nxit edhe ndjenjën e përgjegjësisë dhe zanafillën e sipërmarrjes tek Inxh. Lefter Sila i cili me ndjesi humori falënderon ministrin e asaj kohe Ilir Manushi për largimin nga puna pasi ishte ai largim që i hapi rrugë përfshirjes në biznes dhe fillit të një aventure interesante. Sensi i kësaj aventure duket që në fillim të saj dhe në faqet e para të librit:

“Filluam pa asnjë pronë në treg. Pa internet. Pa dixhitalizim. Pa asnjë përvojë. Pa njohur dhe pa ditur asgjë rreth kësaj fushe.”

Shumë prej nesh e kanë filluar veprimtarinë asokohe në një mënyrë të ngjashme: kush në biznes, kush në punë intelektuale, sport apo fusha të tjera. Nuk kishim dijeni për asnjë mënyre se si mund të ngrihej një biznes pasi kjo fjalë ishte jo vetëm e huaj, por edhe armiqësore përgjatë regjimit. Por ajo që është  thelbësore në suksesin e një sipërmarrje është – siç shprehet autori – sidomos pasioni dhe dëshira për të mësuar. Nga kjo qasje dhe mendësi për të mësuar, fillojnë trajnimet dhe përvojat e para jashtë shtetit ku ai mësoi nocionet themelore për hapjen e një agjesie pronash.

Kur kam qenë student në Itali, përgjatë studimeve të masterit në Etikë Profesionale, pata hasur informacionin mbi një rast tejet interesant se si në ndërmarrjen Olivetti në Torino, ku qëndrimi moral korrekt dhe trajtimi i të punësuarve dhe klientëve me një ndershmëri të spikatur kishte sjellë për pasojë rritjen e rendimentit të ndërmarrjes, sepse të punësuarit e trajtonin ndërmarrjen si te veten dhe klientët drejtoheshin te kjo ndërmarrje me sigurinë e plotë se do të marrin një trajtim dinjtoz dhe korrekt.

Shembull mjaft i veçantë i kësaj mënyre komukimi me klientët është rasti që paraqet libri për vizitën e një prone tek zona “21 dhjetori”. Një blerëse ishte e interesuar për një pronë, por agjentët e Inf-93 i thanë se ajo pronë nuk është e sistemuar mirë dhe ndoshta nuk ia vlente ta merrte. Por këmbëngulja e klientes blerëse bëri që të kryhej një vizitë tek prona dhe aty ajo vuri re se informcioni kishte qenë plotësisht i saktë dhe, megjithë problemet e planimetrisë që kishte ajo pronë, klientja vendosi ta blejë. Këta janë shembuj që na bëjnë të kuptojmë se çdo biznes krijon edhe nje identitet të vetin besimi dhe ndershmërie dhe Inf-93 me grupin e tij ia kanë dalë mbanë.

Të njëjtën formë veprimi e kam hasur në libër kur L. Sila dëshmon për një udhëzim mbi korrektesinë e punës me klinetët: “Lefter, mos operoni kurrë me çmime jashtë tregut”. Për një fitim të shpejtë e të ngutshëm, shumë biznese tundohen të dalin jashtë çmimeve të tregut, por ky libër dëshmon se vetëm koha dhe durimi e bëjnë një ndërmarrje të sukseshme.

Libri, veç detajeve teknike na sjell edhe dëshmi të jashtëzakonshme jete në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale: respekt për jetën, mungesë respekti, aventurë, moskuptim të jetës. Me dhimbje, autori nxjerr në libër edhe rastin e një aventure me jetën e njeriut duke reflektuar një çmenduri të disa personave që nuk arrijnë të kuptojnë dot shenjtërinë dhe pacënueshmërinë e jetës njerëzore. Kur në vitin 1997, një grup teknikësh italianë kishin ardhur te një ndërtesë pranë Komunës së Parisit për të vënë në punë një vinç modern  tejet të lartë, e që po përdoreshin për herë të parë në Shqipëri, dy persona i qëllojnë nga larg, pa asnjë motiv, për t’i vrarë sikur po qëllonin zogj e jo njerëz. Italianët tmerrohen por për fat të mirë shpëtojnë. Libri pra, gati si me magji, ka nxjerrë në pah të bukurën, të mirën e mjaft aftësi tona për biznes e ndërtim marrëdhëniesh njerëzore, por njëherazi ka nxjerrë edhe çmendurinë e atyre kohëve.

Përulësia e Inxh. Silës ka bërë që ai të mësojë shumë e njëherazi të jetë i aftë të përcjellë dijet e tij tek të rinjtë që donin të krijonin biznese të reja në fushën e shitblerjes së pronave. Vizitat e shpeshta në Evropë e bëjnë që të mësojë shumë detaje të punës dhe njëherazi i bëjnë të kuptojë se Shqipëria është një fushë e pa zbuluar ku çdo biznes mund të lulëzojë nëse dikush ka dijet e nevojshme dhe një shpirt iniciative. Ndihmën që Inxh. Sila ua dhënë bizneseve të reja ma ka dëshmuar edhe një mike familjes sime e cila ka një ndërmarrje për shitblerje pronash, e që më ka pohuar: e kam filluar biznesin pasi kam marrë mësime e përvojë nga Inf-93!

Dëshmitë me sfond njerëzor janë emocionuese sepse na përçojnë edhe se si dëfreheshim në Shqipërinë pas komuniste e sidomos në vitet ’90, kur nuk ishte luksi i sotëm e kur lidhjet i mbante të gjalla e të forta miqësia e vërtetë dhe aftësia për tu kënaqur me atë që kishim.

Ka mjaft pasazhe që e bëjnë mësuese jete ndërmarrjen Inf-93 e që dëshmojnë se një ndërmarrje, përveçse një njësi që bën biznes, shndërrohet në shkollë jete e ku vetë jeta merr kuptim si e tillë. E jeta vlerësohet aq shumë sa kemi raste magjike ku një nga agjentët kryesorë të Inf-93, piktori Benc Sila, i shpëton jetën një qytetari italian i cili ishte në rrezik për jetën.

Suksesi i një biznesi, përveçse ekonomik, është i vërtetë kur ai biznes bëhet shkollë dhe shkollë e ka bërë inxh. Lefter Sila veprimtarinë e biznesit të shitblerjes se pronave në Shqipëri.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Përplasi policin gjatë detyrës në Tiranë, 21-vjeçari lihet në detyrim paraqitjeje: Më doli papritur para, nuk e pashë

Përplasi policin gjatë detyrës në Tiranë, 21-vjeçari lihet në detyrim paraqitjeje: Më doli papritur para, nuk e pashë