Nis muaji i Ramazanit, i dyti vit në pandemi, uron politika! Rama nga Xhamia e Et'hem Beut: Muaji i afrimit me dritën në fundin e tunelit rraskapitës të pandemisë

Besimtarët myslimanë kanë nisur sot agjërimin në Muajin e Ramazanit, për të dytin vit radhazi nën izolim dhe masa të tjera kufizuese që janë vendosur me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Ndërkohë, politika i ka reaguar për nisjen e këtij muaji të shenjtë, duke i uruar besimtarëve agjërim të mbarë.

"Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët myslimanë në muajin e bekuar të Ramazanit", shkruan kryeministri Edi Rama në Facebook.

Presidenti Ilir Meta i uroi besimtarëve që Zoti t'i shpërblejë sakrificën dhe t'i lehtësojë dhembjen çdokujt, veçanërisht në këtë periudhë sprovash. Një urim ka patur edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili tha se ky muaj shton besimin, dashurinë dhe shpresën.

 

Urimi i Ramës në Facebook

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu i uroi dje të gjithë besimtarëve agjërim të lehtë, ndërsa bëri apel që ky të jetë muaji i faljes, mëshirës dhe mirëkuptimit.

Vlera e muajit të Ramazanit është e madhe për myslimanët, sepse pikërisht në këtë muaj ka filluar zbritja e Kur’anit. Sipas fesë islame, çdo besimtar mysliman, është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit, si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët.

Besimtarët nuk hanë ushqim dhe nuk pinë ujë deri në perëndimin e diellit, duke iu përkushtuar vetes edhe më shumë se zakonisht adhurimit të Zotit dhe frenimit të egos.

Agjërimi nis me lindjen e diellit dhe përfundon me perëndimin e tij.

Shqiptarja.com i uron të gjithë besimtarëve agjërim të lehtë!

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:08
Rikonstruksioni i Xhamisë së Et’hem Beut, Rama: I kthehet shkëlqimi! Ramazani, muaji i afrimit vendimtar me dritën në fundin e tunelit rraskapitës të pandemisë (VIDEO)

Edhe në kuadër të nisjes sot të muajit të Ramazanit, Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, inspektuan sot punimet që janë kryer për restaurimin e xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë.

Në bashkëbisedimin me kreun e Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, tha se “ky xhevahir i Trashëgimisë sonë Kulturore është kthyer në krejt shkëlqimin e vet, pas një pune të gjatë milimetrike, që ka nxjerrë gjithçka fshihej nën shtresat e kohërave.

"Sot është vendi ideal, për të uruar Muajin e Madh të Ramazanit me besimin e madh se ky do të jetë edhe një muaj i afrimit vendimtar me dritën në fundin e tunelit rraskapitës të pandemisë. Deri para 1 muaji ishte thuajse e paimagjinueshme që do hynit në muajin tuaj më të rëndësishëm të vitit të lehtësuar jo pak nga shtrëngesa e pandemisë. Me zgjatjen e orarit do të keni mundësi të bëni gjithë ritualet dhe ndërkohë shumë besim që ky muaj do jetë energjizues”, tha Rama.

Kryeministri shprehu besimin se me daljen nga tuneli i pandemisë, me hapjen e sezonit turistik, me hapjen e të gjitha punëve për njerëzit, do të kemi një perspektivë krejt tjetër”.

Ndërkohë që nga ana e saj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi se punimet në këtë xhami janë në fazën përfundimtare.

"Është pothuajse e gjitha e kompletuar. Ka mbaruar e gjithë pjesa e restaurimit të afreskeve. Kjo ka qenë një nga punët më të mëdha dhe më të gjata në këtë kantier. Edhe në pjesën e themeleve është kryer gjithë hidroizolimi. Kjo besoj është një nga punët më ekselente që janë kryer në Shqipëri në restaurime të tilla xhamish”, tha ajo, ndërsa shtoi se ka përfunduar edhe pjesa e ndriçimit të jashtëm të xhamisë.

Ora 09:32
Soreca uron besimtarët myslimanë: Le të sjellë ky muaj i shenjtë shëndet, guxim dhe forcë që do t'ju ndihmojë të kapërceni çdo sfidë të jetës

Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka uruar besimtarët myslimanë për nisjen e muajit të Ramazanit.

Përmes rrjetit të tij social Twitter, uron që ky muaj i shenjtë të sjellë shëndet, guxim dhe forcë për të kapërcyer çdo sfidë të jetës.

 

Ora 09:12
Xhaçka uron besimtarët myslimanë brenda dhe jashtë vendit për nisjen e Ramazanit: Agjërim të lehtë në muajin e sakrificës dhe të triumfit

Ministrja e jashtme, Olta Xhaçka ka uruar besimtarët myslimanë brenda dhe jashtë vendit për nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Përmes një postimi në rrjetin e saj social Xhaçka shkruan se ky është muaji i sakrificës dhe i triumfit në emër të idealeve të larta njerëzore.

“Zoti na pranoftë”, shkruan ministrja në fund të postimit.

Ora 09:08
Ruçi uron besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit: Na shtoftë besimin, dashurinë, shpresën

Kryetari i Kuvendit, Gramoz  Ruçi, ka uruar sot besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.Ruçi uron agjërim të lehtë dhe lumturi në familje duke thënë se ky muaj shton besimin, dashurinë, shpresën.

“Sot besimtarët myslimanë nisin kremtimin e muajit të bukur e të bekuar të Ramazanit. U uroj të gjithëve agjërim të lehtë dhe lumturi në familje. Edhe pse me vështirësitë dhe kufizimet që na ka imponuar pandemia, ky muaj na shtoftë besimin, dashurinë dhe shpresën se festimet për gëzimet e jetës do të kthehen shumë shpejt!”, shkruan në urimin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz  Ruçi

Ora 09:05
Veliaj uron muajin e Ramazanit me fotot e Xhamisë së restauruar të Et’hem Beut: Agjërim të lehtë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uron besimtarët për muajin e Ramazanit me pamjen e  veçantë të Xhamisë së restauruar të Et’hem Beut. Veliaj me anë të një mesazhi në rrjetet sociale u ka drejtuar një urim të gjithë besimtarëve për muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Me këto pamje të veçanta të Xhamisë së restauruar të Et’hem Beut, ju uroj gëzuar muajin e shenjtë të Ramazanit dhe agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve myslimanë”, shkruan Veliaj.

Ora 08:36
Muaji i Ramazanit, Meta uron besimtarët mysliman: Zoti i lehtësoftë dhimbjen çdokujt, veçanërisht në këtë periudhë sprovash të mëdha

Presidenti Ilir Meta i ka uruar agjërim të lehtë besimtarëve mysliman, që nisën sot muajin e Ramazanit. Me një postim në Facebook, Meta uron që Zoti t'i shpërblejë sakrificën besimtarëve dhe t'i lehtësojë dhembjen çdokujt, veçanërisht në këtë periudhë sprovash.

"Të dashur motra dhe vëllezër të besimit Islam, Gëzuar Muajin e bekuar të Ramazanit! I bashkohem urimit për agjërim të lehtë e të pranuar dhe lutjeve të çdo besimtari, që Zoti t'i falë mëshirën e Tij, t'ia shpërblejë sakrificën e shumëfishtë dhe të lehtësojë dhembjen e çdokujt, veçanërisht në këtë periudhë sprovash të mëdha, me të cilat përballen të gjithë shqiptarët.

Me lutjet dhe përkushtimet tona, me shpirt dhe zemër, duke u shërbyer me përulësi, të jemi më pranë të sëmurëve, të pamundurve, të moshuarve dhe çdo shqiptari në nevojë për të rizgjuar shpresën për ditët më të mira, që po afrojnë dhe që patjetër do të vijnë për Shqipërinë!

NGA MOT GËZUAR MUAJIN E MADHËRISHËM TË RAMAZANIT!", shkruan Meta.

Ora 08:16
Kryemadhi uron besimtarët mysliman: Muaji i Ramazanit rrit forcën e çdonjërit për përballimin me sukses të sfidave

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar besimtarët mysliman që nisën sot muajin e Ramzanit. Me një shënim në Facebook, Kryemadhi i uron besimtarëve agjërim të lehtë, ndërsa shkruan se muaji i Ramazanit  rrit forcën e çdonjërit për përballimin me sukses të sfidave.

"Agjërim të lehtë e të pranuar për të gjithë ju, të dashur motra e vëllezër besimtarë myslimanë.

Muaji i Shenjtë i Ramazanit që nisi sot, është muaj i faljes dhe mirëkuptimit, i cili afron njerëzit më shumë me krijuesin, lartëson vlerat më të mira dhe rrit forcën e çdonjërit për përballimin me sukses të sfidave që përballemi në familje, në shoqëri dhe në Shqipëri. Paqja dhe mirësia qoftë në zemrat dhe shtëpitë e çdo shqiptari!", shkruan Kryemadhi.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 14/04/2021 01:04

    Une dhe familja ime jemi te krishtere,por te xhamia e Et'hem Beut kemi vajtur disa here.Me pelqen cilesia e restaurimit,por mbi te gjitha me pelqen qe ia kane hequr ata xhamat e erret e te shemtuar qe ia vune gjate 90' ne pjesen e jashtme.Ata ndoshta u vune me kerkese te besimtareve,per t'u mbrojtur nga elementet natyrore,ndoshta u vune per te mbrojtur afresket e hollit ,nga efektet e motit e tymit te makinave,por nje gje ishte e qarte:shemtuan ndertesen historike,sepse ishin nje elememt arkitekturor modern,qe as nuk e kishin vendin aty dhe as qe duheshin vene fare aty,por si cdo gje ne ato vite te erreta,ver te veme,nderto te ndertojme,pa respekt ,as per natyren,as per historine,as per qytetin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare