Sot nis viti i ri akademik 2021-2022. Pas më shumë se një viti mësimi online, studentët dhe pedagogët do të rikthehen në auditore, duke paraqitur certifikatën e vaksinës ose një vërtetim që kanë kryer të paktën një dozë, ose duke paraqitur një test PCR negativ.

Në universitet e vendit studentët nuk janë lejuar që të futen në auditore, nëse nuk e kanë certifikatën e vaksinimit, përveçse në Universitetet e Korçës, Durrësit dhe Elbasanit, ku rektoratet me vendimet e tyre kanë shkelur urdhrin e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Në këto universitete studentët janë futur në auditore dhe sot thjesht po këshillohen. 

Ndërkohë dhjetëra studentë në universitetin e Vlorës, ‘Isamil Qemali’, nuk janë lejuar që të futen në auditorë, kjo pasi nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës anti-COVID si dhe nuk kanë një test PCR ku vërtetojnë që nuk janë të infektuar me koronavirus.

Por përpos atyre që do të hyjnë në auditore për të ndjekur leksionet dhe seminarët, të tjerë studentë do të jenë në një marshim protestë para Kampusit Universitar. Ata kundërshtojnë detyrimin për tu vaksinuar si një kusht për tu pranuar brenda ambienteve të universitetit.

Në të gjitha fakultetet janë vendosur grupe vaksinimi, që në pjesën dërrmuese kanë në dispozicion vaksinat AstraZeneca dhe Sinovac. Një pjesë e madhe e studentëve është shprehur edhe më parë se do të ishin dakord të bënin vaksinën Pfizer. 

Ndërkohë që para Ministrisë së Arsimit janë grumbulluar disa dhjetëra studentë të cilët kanë protestuar.

Në një prononcim për mediat rektori i UT, Artan Hoxha, tha se mbi 50% e studentëve janë vaksinuar dhe se pikat e vaksinimit në fakultete do të vijojnë që të funksionojnë për të gjithë ata studentë që nuk e kanë të mundur që të vaksinohen. Rektori pohoi se studentët që vijnë për herë të parë ne Universitet janë më të vaksinuarit.

Nga ana tjetër me rastin e nisjes së vitit të ri akademik, ministrja e Arsimit Evis Kushi teksa ka uruar studentët, është shprehur se vaksinimi është i nevojshëm, pasi universitet nuk formojnë vetëm shkencëtarë, por edhe qytetarë të një shoqërie.

Urdheri i Ministrise se Shendetsise

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:20
Pas protestë para Ministrisë së Arsimit, studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës lejohen të futen pa vaksinë

1634548491_mas.jpg

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës janë lejuar të futen në auditor dhe të pavaksinuar pas protestës së që zhvilluan në Ministrinë e Arsimit.  Sot në mëngjes te Fakulteti i Shkencave të Natyrës pati tension mes studentëve dhe rojës së 'Ilirian Guard'

Edhe Rektorët e Korçës, Elbasanit dhe Durrësit kanë lejuar të futen në auditor edhe studentët e pavaksinuar.

Ora 11:19
Studentët në protestë para Ministrisë për Report Tv: Nuk jam kundër vaksinimit por kundër detyrimit! Jam këtu për motrën, unë e kam bërë vaksinën

 

Para ministrisë së Arsimit janë mbledhur disa dhjetëra studentë që po protestojnë kundër vaksinimit të detyruar.

"Të futemi në mësim si të gjithë studentët, dhe jo të bëhet kjo përccaarje kaq e madhe. Nuk jam kundër vaksinimit, jam pro, por jo kundër vaksinimit të detyrueshëm. Këtu ka edhe studentë që e kanë bërë vaksinën dhe janë këtu që pjesa që nuk do ta bëjë vaksinën të mos diskriminohet", ka thënë njëri prej tyre për gazetaren e Report Tv, Rovena Cerka.

Ndërsa një tjetër thotë se është i vaksinuar por po proteston për motrën.

"Jam student i vaksinuar, vij këtu për të protestuar për motrën e cila nuk do ta bëjë vaksinën. Ka një padrejtësi ndaj studentëve që ende nuk e kanë vendosur që duhet ta bëjnë vaksinën", thotë një tjetër. 

Ora 10:58
Në Gjirokastër s’lejohen që të futen në auditorë të pavaksinuar, rektori: 45% e studentëve janë të vaksinuar, pjesa tjetër mësim online

Më shumë se 320 studentë janë regjistruar në Universitetin ‘Eqerem Çabej’ në Gjirokastër këtë vit të ri akademik. Në çelje të tij studentët janë paraqitur me certifikatën e vaksinimit ose me test PCR. Sipas rektorit Bektesh Mema, gati 45% e studentëve janë vaksinuar, kurse vaksinimi do të jetë i hapur edhe në vijim.

Për ata të cilët nuk pranojnë që të vaksinohen ka dy skenarë, ose mësimi online ose do të marrin leksione dhe seminare në përfundim të semestrit për të plotësuar njohuritë.

Vetë studentët thonë se nuk kanë pranuar që të vaksinohen pasi nuk duhet të ishte me detyrim, por i lirë në dëshirën e tyre. Ata pranojnë se do të shkojnë në auditorë, duke bërë vazhdimisht teste pavarësisht.

Ora 10:44
Studentët në Shkodër nuk lejohen të futen pa vaksinë, Rektorja Golemi: Sot do shohim sa janë pavaksinuar dhe vendosim si do veprojmë! Nuk mund të digjet viti akademik

Edhe në Shkodër ka nisur viti akademik në Universitetin Luigj Gurakuqi, ku studentët nuk lejohen të futen nëse nuk kanë një pasaportë vaksinimi apo një test PCR. Në këtë universitet vetëm 30 % e studentëve që kanë bërë të paktën një vaksinë, ndërsa rektorja e universitetit të Shkodrës, Suzana Golemi ka bërë apel që studentët të vaksinohen.

Rektorja Golemi tha se sot studentët e pavaksinuar nuk do të lejohen të futen në auditorë, ndërsa do të behet edhe një statistikë se sa prej tyre janë pa vaksinuara. Golemi shprehet se në bazë të statistika do të merret edhe një vendim se si do të veprohet pasi nuk mund të lejojnë që studentëve t'u digjet viti akademik.

"Kemi tre javë që kemi komunikuar me email me studentë në lidhje me informimin për vaksinimi dhe kemi rreth 30 % të studentëve të vaksinuar me të paktën me një vaksinë. Në universitet janë hapur 3 qendra vaksinimi janë vaksinuar rreth 50 studentë, ndërsa në stafin akademik, 20 % janë pa vaksinuar për arsye të ndryshme. U bëj thirrje studentëve të vaksinohen se kjo është për të mirën e tyre. Për momentin ne do të marrim një statistikë se kush janë studentët dhe më pas do të shihni si do të veprojmë në vijim me qëllim që të mos u digjet viti akademik. Sot nuk do të lejohet të futen dhe po bëjmë një statistikë se sa studentë janë pavaksinuar dhe do të vendosim se si do të veprojmë", tha Golemi.

Ndërkohë jashtë dyerve të universitetit ka shumë studentë të pa vaksinuar që rrinë në pritje se çfarë do të bëhet me ta.

Ora 10:33
Edhe në Durrës shkelet urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë, studentët e pavaksinuar futen në auditorë! Java e parë do jetë javë prezantimi

Pas mungesës prej më shumë se një viti akademik, studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, i janë rikthyer auditoreve.

Këtë vit ata duhet të përballen edhe me një tjetër vendim përveç atij të përzgjedhjes së degëve, atë të vendosjes së bërjes së vaksinës me detyrim, si kusht për të ndjekur vitin e ri akademik.

Një pjesë e studentëve deklarojnë se janë vaksinuar më herët, ndërkohë ka nga ata të cilët janë detyruar të bëjnë vaksinën në ambientet e UAMD, vetëm për të ndjekur leksionet në javët në vijim.

Edhe pse UAMD regjistron mbi 20.000 studentë në të gjithë ciklet e studimeve, ditën e parë janë paraqitur rreth 10% e tyre vetëm për t’u informuar për nisjen e vitit akademik, ndërkohë në godinat përkatëse duket se studentët janë futur edhe pse kanë qenë të pavaksinuar.

 

 

Ora 10:32
"Ç'vaksinim more?! Tensione te Fakulteti i Filologjisë në Tiranë, studentët duan të futen në auditore

 

Vijojnë tensionet në disa fakultete në ditën e parë të Vitit të ri Akademik. Për shkak të kontrolleve që po iu bëhen studentëve në hyrje të çdo fakultetit për vaksinën ose testin anti-COVID, ka përplasje.

Në këtë video shikoni se si në Fakultetin e Filologjisë dhe Historisë në Tiranë studentët janë përplasur me kontrollorët në hyrje të Fakultetit të tye, pasi nuk janë lejuar të hyjnë në auditore.

 

Ora 10:19
Nis viti i ri akademik në Korçë, Zv. Rektori: Të pavaksinuarit do të hynë në auditorë, nuk mund t’i privohet mësimi, po respektojmë autonominë e Universitetit

Ndërsa viti i ri akademik ka startuar, studentët e Korçës janë rikthyer në auditorë, disa të vaksinuar plotësisht, disa me një dozë dhe të tjerë ende skeptik për marrjen e vaksinës.

Megjithëse urdhri qe studentët e pavaksinuar duhet të mos lejohen në auditorë ishte i qartë, zv rektori i Universitet Fan Noli në Korçë, Artur Adili tha se ata do të futen dhe do të udhëzohen më pas drejt vaksinimit. Ai është shprehur se studentët nuk mund të privohen nga mësimi por do të udhëzohen për të bërë vaksinën, duke theksuar se në këtë mënyrë po respektohet autonomia e Universiteteve.

“Në lidhje me studentët e pavaksinuar janë ngritur dy pika vaksinimi. Pjesa më e madhe sipas informacioneve janë të vaksinuar. Studentët e pavaksinuar do të futen në auditorë por në vazhdim do të duhet ta bëjnë. Kjo vjen për shkak të autonomisë së universitetit. Studentët e vaksinuar dhe të pavaksinuar do të futen me maska dhe doreza, nuk mund t’i privojmë nga shkolla”, tha zv rektori. 

Teksa po prisnin të hynin në Universitet, disa studentë kanë folur për Report Tv lidhur me vaksinimin.

“Jam vaksinuar me të dyja dozat, e bëra sepse mendova se ishte e nevojshme për mua dhe për familjen time. Një pjesë nuk e kanë bërë sepse e kanë frikë, dhe informacion të pamjaftueshëm.”, u shpreh një studente.

“Jo nuk e kam bërë, të shoh se çfarë do thonë sot dhe do të vendosë, nëse shumica e ka bërë edhe unë do e bëjë, nëse jo... Nuk i di efektet anësore dhe çfarë përmban vaksina, jo është edhe arsyeja kryesore që nuk e kam bërë deri më tani .”tha një tjetër.

Brenda kësaj jave në Korçë janë vaksinuar vetëm 37 studentë, ndërkohë nuk ka asnjë statistikë se sa është numri total i studentëve të vaksinuar.

Ora 10:10
Studentët në UT nuk lejohen në auditorë: Nuk kanë pse të na detyrojmë ta bëjmë vaksinën, testi PCR kushton shumë

Dhjetëra studentë në Universitetin e Tiranës nuk janë lejuar që të futen në auditorë, pasi nuk kanë kryer vaksinën anti-COVID dhe nuk po tregojnë një test PCR.

Ato deklarojnë se nuk duan që të vaksinohen pasi nuk kanë pse të jetë të detyruar, ndërkohë që shtojnë se testi PCR është i kushtueshëm për to.

‘Nuk kanë pse të na detyrojnë që të vaksinohemi, arsyeja pse nuk e kam bërët testin është sepse kushton shumë, ka një kosto të madhe. Unë jam në pritje të një tjetër vendimmarrje. Nuk do të shkoj në fakultet, sepse s’kam si veproj. Nuk dua ta bëj vaksinën. Nëse do ishte me dëshirë, mund ta bëja, por meqë na e kanë vendosur me detyrim nuk do ta bëj.’- u shpreh një student.

Ora 09:51
‘Rama po kërcënon për mos shkollim të rinisë’, PD: Rreth 20 mijë studentë më pak në universitete

Nga keqqeverisja e kryeministrit Edi Rama, studentët kanë braktisur arsimin e lartë. Kështu ka deklaruar deputetja e PD-së Ina Zhupa, e cila nënvizon se rreth 20 mijë studentë më pakë janë regjistruar në universitete.

Sipas Zhupës shumica e të rinjve zgjedhin të largohen nga mungesa e cilësisë së arsimit dhe jetës në Shqipëri. Duke u ndalur tek vaksinimi me detyrim i studentëve, Zhupa thotë se duhet të ishte kryer një fushatë ndërgjegjësimi, sensibilizmi, bisedimi dhe sqarimesh me ekspertët e shëndetësisë dhe studentëve në auditore për vaksinimin.

‘Viti akademik nis me ultimatume për mos shkollim për studentet që nuk janë vaksinuar. Me 26 gusht në një vizite në konvikte Edi Rama deklaroi se mund te vij momenti që studentët të detyrohen të vaksinohen. Që nga ai moment kjo deklaratë filloi të merrte trajta detyruese nga komiteti i ekspertëve (politik) dhe nga ministria e arsimit dhe rektorët. Njëlloj si gjatë pandemisë ku logoretë në Facebook të kryeministrit ktheheshin në detyrime për qytetarët dhe organet ligjzbatuese!

Sot nis viti akademik për gjithë studentët e Shqipërisë! Në mandatin e dytë të qeverisjes Rama nga viti 2017 deri në 2021, janë regjistruar në arsimin e lartë publik dhe privat 19516 student më pak.  17% studentë më pak nga keqqeverisja e Rames dhe braktisja që po i bëjnë të rinjtë vendit.

Shumica zgjedhin të largohen nga mungesa e cilësisë arsimit dhe jetesës në Shqipëri, por edhe nga mungesa e punësimit në profesionin që ushtrojnë.  Ka edhe nga ata që e kanë të pamundur të vazhdojnë arsimin e lartë për arsye ekonomike, tarifa të larta edhe në publik, mungesa e bursave dhe lehtësira domethënëse për ta.

Por edhe kur diplomohen në vend, zgjedhin të largohen shumë shpejt, ku Shqipëria për shkak të politikave të gabuara në vlerësimin e profesioneve, kushteve dhe pagave nuk merr dot mbrapsh investimin e bërë në arsim. Vetëm në dy vite 2018 dhe 2019 ne Gjermani kanë njësuar diplomat 2460 mjeke, infermier dhe punonjës të shëndetësisë nga Shqipëria.

Viti akademik nis me ultimatume për mos shkollim për studentet që nuk janë vaksinuar. Me 26 gusht në një vizite në konvikte Edi Rama deklaroi se mund te vij momenti që studentët të detyrohen të vaksinohen. Që nga ai moment kjo deklaratë filloi të merrte trajta detyruese nga komiteti i ekspertëve (politik) dhe nga ministria e arsimit dhe rektorët. Njëlloj si gjatë pandemisë ku logoretë në facebook të kryeministrit ktheheshin në detyrime për qytetarët dhe organet ligjzbatuese!!

Në vend të një fushate ndërgjegjesimi, sensibilizimi, bisedimi dhe sqarimesh me ekspertët e shëndetësisë dhe studentëve në auditore për vaksinimin, zgjedhin kërcenimet për mos shkollim të rinisë shqiptare.

Problematika e krijuara nga ligji i arsimit të larte ,tarifat, karta e studentit me shume propagandë së shërbime, vështirësitë me mësimin online, dështimi i kërkimit cilësor shkencor dhe kontrollit të cilësisë, statusi dhe pagesat e pedagogëve janë disa nga problemet që ky vit akademik i mbart si edhe ata paraardhës nga një keqmenaxhim dhe moskokëçarje së gjithe drejtuesve të qeverisjes Rama.

Si pedagoge por edhe si deputete, përfaqesuese në Komisionin e Edukimit, ju uroj studenteve dhe kolegeve një vit të mbarë akademik! Edhe ndaj me ju angazhimin tim për të bërë gjithcka për të kërkuar me shumë për të drejtat tuaja, për zhvillimin e arsimit dhe për një universitet autonom në shërbim të studentëve dhe me pedagoge të vlerësuar.’- tha Zhupa.

 

Ora 09:23
Fillimi i vitit të ri akademik, Nikolla uron studentë, pedagogë dhe prindër: Nuk do të jetë e lehtë, por kam besim se do të fitojmë çdo betejë

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar sot studentët, pedagogët dhe prindër, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik. Ajo u shpreh se pavarësisht sfidave dhe vështirësive, studentë dhe pedagogë do të fitojnë çdo betejë të këtij viti.

Mesazhi i plotë i Lindita Nikollës:

Të dashur studentë, pedagogë e prindër, ,e rastin e fillimit të vitit të ri akademik, ju dërgoj urimet e mia të përzemërta. Ky vit nuk do të jetë i lehtë. Krahas përpjekjeve për dijen, do na duhet të përballojmë edhe betejën për mbrojtjen e jetës. Por unë kam besim se, me ndihmën dhe përkushtimin e pedagogëve, me mbështetjen e pakursyer të prindërve dhe të gjithëve ne, ju, të dashur studentë, do t’ia dilni dhe do t’i fitoni të dyja këto beteja! Ndiqni këshillat e mjekëve dhe vaksinohuni, që ta keni më të lehtë. Jepni shembullin tuaj, si pjesa më e ndriçuar e shoqërisë! Një vit të mbarë!

Ora 09:16
Studentët e Elbasanit kthehen në banka, të pavaksinuarit ‘shpëtojnë’ me një këshillim, futen në auditorë! Studenti për Report TV: Do e bëj vetëm nëse humb vitin

Sot pas një viti larg, studentët kanë mbushur sërish auditorët, vetëm se këtë herë “pasaporta” për të hyrë në Universitet është vaksina anti-COVID.
Studentët e Elbasanit, disa prej tyre të pavaksinuar i janë drejtuar auditorëve me shpresën se do të mund të futen në mësim edhe pa plotësuar kushtin kryesor.

Sipas burimeve të Report Tv, sot do të lejohen në auditorë dhe pasi të verifikohen, do të këshillohen që të kryejnë vaksinën anti-COVID.

Sot do lejohen te futen ne auditorë do verifikohen dhe nwse nuk kane bere vaksinën do këshillohen

Një studentë i pavaksinuar, duke folur për mikrofonin e Report Tv u shoreh se do e bënte vaksinën  vetëm nëse do të rrezikonte humbjen e vitit shkollor. Ai bëri edhe një thirrje për autoritetet, duke thënë se studentët duhet të kenë liri në zgjedhje.

“Nuk e kam bërë, nuk ka dëshirë ta bëjë. Nuk kam informacione si do të futem. Nëse do të rrezikoj të humb vitin, do ta bëjë me detyrim. Thirrja ime për autoritetet është që studentët të kenë liri në zgjedhje. Ashtu siç kanë të drejtën të arsimohen dhe të gjejnë një punë të mirë, ashtu edhe vaksina duhet të bëhet e tillë. Të pavaksinuarit duhet të jenë shumica.”, u shpreh ai.

Një tjetër studente tregoi se e bëri vaksinën anti-COVID në mënyrë që t’i lejohej të futej në auditorë, ndërsa theksoi se nëse nuk do ia kërkonin me kaq ngulm nuk do e kishte e bërë.

 “E bëra tani dhe e bëra për shkollën, për të ndjekur studimet në auditor, nëse nuk do e kërkonin me kaq ngulm nuk besoj se do e bëja.”, tha ajo.

Një tjetër tha se e bëri vetëm 2 ditë më parë, për shkak të fillimit të vitit të ri akademik.

“E bëra para 2 ditësh, posaçërisht për fillimin e shkollës.”, tha ajo.

Ora 08:44
U kërkohet vaksinë anti-COVID ose test PCR, studentët në Vlorë nuk lejohen të futen në auditorë

Viti akademik ka nisur me radhë të gjata dhe kaos në universitetin ‘Ismail Qemali’ në Vlorë. Studentët pa certifikatë vaksinimi nuk janë lejuar të hyjnë në auditorë pa e shkarkuar certifikatën nga E-albania. Ata shprehen se nuk kanë qenë të njoftuar për këtë situatë, sakaq ka prej tyre që nuk pranojnë të vaksinohen e nuk dihet sesi do të procedohet në këtë rast.

Nga universiteti konfirmohet se  pranimi i studentëve do të kryhet vetëm me certifikatë të shkarkuar nga E-albania , si dhe me tampon nè rastet kur kjo certifikatë mungon apo me vërtetimin e mjekëve në rast të sëmundjeve shoqëruese. Në çdo fakultet është ngritur një grup prej tre vetash që duhet të kontrollojnë hyrjen e studentëve në auditorë.

Ora 08:39
Rama uron studentë dhe pedagogë për vitin e ri akademik: Angazhimi ynë i vazhdueshëm për rritjen e cilësisë së arsimit

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm me një urim për vitin e ri akademik për çdo student dhe pedagog.

Ai është shprehur se përkushtimi do jetë maksimal dhe angazhimi i vazhdueshëm në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, si dh me ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe pajisjen e studentëve tanë me aftësi konkurruese si të bashkëmoshatarëve të tyre në BE.

“Mirëmëngjesi dhe me urimin për çdo student e pedagog për një vit sa më të suksesshëm akademik, si dhe përsëritjen e angazhimit tonë të vazhdueshëm në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, me ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe pajisjen e studentëve tanë me aftësi konkurruese si të bashkëmoshatarëve të tyre në BE, ju uroj një javë të mbarë.”, shkruan Rama në Facebook.