Nis Vetingu, 800 gjyqtarë
dhe prokurorë nën hetim

Nis Vetingu, 800 gjyqtarë<br />dhe prokurorë nën hetim
TIRANE-Fundi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar është më afër se kurrë më parë.

Pas tre vitesh betejë epike me segmente të politikë dhe gjyqësorit, falë këmbënguljes dhe investimit historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, reforma në drejtësi po merr trajtë përfundimtare.

Nën presionin e fortë të Perëndimit, organet e Kuvendit janë vënë në lëvizje për të ngritur dy shtyllat e reformës në drejtësi: Organet e Vetingut dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, i cili do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Parlamenti Shqiptar do të mblidhet sot për të miratuar anëtarët e Kolegjit të Apelimit, i cili njihet ndryshe si gjykata e shkallës së dytë e Vetingut, që do të vendosë për fatin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Votimi i sotëm pritet t’i hapë zyrtarisht rrugë zbatimit të Vetingut, pra skanimit të trefishtë të gjyqtarëve dhe prokurorëve për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale. Votimi i sotëm i hap rrugë edhe ngritjes së institucioneve të reja anti-korrupsion: Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme  dhe Gjykatës Speciale. 

800 gjyqtarë dhe prokurorë nën hetim 
Ngritja e organeve të Vetingut vendos automatikisht nën hetim të trefishtë njerëzit e drejtësisë aktuale. Me zbatimin e Vetingut 800 gjyqtarë dhe prokurorë de fakto janë të shkarkuar, ndërsa për t’u bërë pjesë e drejtësisë së re, duhet të kalojnë kontrollin për pasuritë, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale. Testi më i rëndësishëm, i cili pritet të përjashtojë nga sistemi shumë gjyqtarë dhe prokurorë, është verifikimi i ligjshmërisë së pasurive të deklaruara si dhe identifikimi i pasurive të fshehura. Tre do të jenë faktorët të cilët do të hetojnë pasurinë. Hetimi fillestar dhe kryesor bëhet nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Duke iu referuar edhe afateve të parashikuara në ligjin e Vetingut, ILDKP mësohet se i ka përgatitur dosjet e para të pasurive, shoqëruar edhe me rekomandimin përkatës. Dosjet do t’i kalojnë Komisionit të Vlerësimit të Vetingut. Ky i fundit, i asistuar nga Njësia e Shërbimit Ligjor, e përbërë nga këshilltarë ligjorë dhe ekonomikë, do të verifikojë dosjet e referuara nga ILDKP. Gjatë hetimit administrativ, anëtarët e Komisionit mund të kërkojnë informacione shtesë nga çdo institucion publik brenda vendit, por edhe nga shtetet e tjera.

Roli i ekspertëve të SHBA-BE   
Gjatë procesit të rivlerësimit, sidomos verifikimit të ligjshmërisë së pasurisë, një rol të rëndësishëm do të kenë ekspertët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët do të emërohen nga ONM në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve të huaj, do të hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Gjithashtu, sipas nenit 45 pika 2 të ligjit të Vetingut, gjatë hetimit, vëzhguesi ndërkombëtar mund të kërkojnë informacion nga çdo subjekt i së drejtës publike. Ata kanë të drejtë të administrojnë dokumentet që vërtetojnë veprime, fakte, cilësi ose një situatë subjektive të nevojshme për realizimin e hetimit. Ligji për Vetingun, në pikën 3 të nenit 33, parashikon gjithashtu që ILDKPKI-ja mundëson akses të plotë për vëzhguesit ndërkombëtarë, që të kërkojnë informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura të prokurorëve dhe gjyqtarëve ose personat e lidhur me të, si dhe çdo dokumentet shoqërues. Vëzhguesi ndërkombëtarë kanë po ashtu të drejtë të kërkojë që Komisioni ose Kolegji i Apelimit të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë, pro ose kundra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë të drejtën të marrin të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për persona dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha nivelet dhe fazat. Ndërkaq, refuzimi i gjetjes së përfaqësuesve të SHBA-BE bëhet vetëm me vendim të arsyetuar të Komisionit ose të Kolegjit të Apelimit.

Dokumentet e tjera 
Ekspertët do të kenë gjithashtu akses në llogaritë bankare të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në të dhënat tatimore, në bazat e të dhënave mbi automjetet, në të dhënat për hyrje-daljet në kufi etj. Do të kenë akses në të dhënat mbi të drejta ose interesa pasurorë të çdo lloji mbi një aset, në instrumente të tilla si kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat, të gjitha llojet e titujve, mandatpagesat dhe letrat e kreditit, si dhe çdo interes, dividend, e ardhur ose vlerë tjetër që buron prej tyre. Ekspertët do të marrin në dorë të dhënat mbi marrëdhënie të mundshme biznesi të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të dhënat që provojnë ekzistencën e parave fizike ose mjeteve ose instrumenteve të tjera, ku përfshihen, çeqet, dëftesat, certifikatat e depozitave, kartat e debitit ose të kreditit, kartat elektronike të pagesave, titujt, si dhe çdo dokument tjetër.
 
Seanca
Parlamenti Shqiptar do të mblidhet sot për të miratuar anëtarët e Kolegjit të Apelimit, i cili njihet ndryshe si gjykata e shkallës së dytë e Vetingut, që do të vendosë për fatin e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
 
Ekspertët e huaj
Gjatë procesit të rivlerësimit, sidomos verifikimit të ligjshmërisë së pasurisë, një rol të rëndësishëm do të kenë ekspertët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
 
Aksesi i vëzhguesve ndërkombëtar
 
Në të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme të subjektit të rivlerësimit.
 
Në llogaritë bankare, të dhënat tatimore, bazat e të dhënave mbi automjetet, të dhënat për hyrje-daljet në kufi.
 
Në të dhënat mbi të drejta ose interesa pasurorë të çdo lloji mbi një aset, qoftë ky i luajtshëm ose i paluajtshëm.
 
Në të dhënat që provojnë ekzistencën e parave fizike ose mjeteve ose instrumenteve të tjera të tregut të parasë.
 
Në të dhënat mbi kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat, të gjitha llojet e titujve, mandatpagesat dhe letrat e kreditit etj.
 
Në dokumentet për gjendjen gjyqësore të subjekteve të rivlerësimit.
 
Në dosjet personale të subjekteve të rivlerësimit, të dhënat statistikore, dokumentet Ligjore etj.
 
Të dhënat që provojnë ekzistencën e trusteve ose marrëveshjeve të tjera të ngjashme.
 
Në sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave të administruara nga organet shtetërore.
 
Në raportimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave.
 
Në denoncimet e punonjësve të Policisë së Shtetit.
 
Në dosjet dhe kërkesat e shteteve të tjerë për të bërë hetime të posaçme për çështje Penale.

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar