Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës shtetërore në Malin e Zi, u prit sot nga Presidenti, Filip Vujanovi?, me të cilin shkëmbeu mendime për një sërë çështjesh me karakter dypalësh, rajonal e evropian, ben te ditur Zyra e Shtypit e Presidences.

Presidenti i Republikës, Nishani, vlerësoi marrëdhëniet e Shqipërisë me Malin e Zi, duke theksuar se për shqiptarët Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj, por edhe një vend mik me të cilin ndajmë vlera e sfida të përbashkëta.

Kreu i Shtetit u shpreh se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi përbëjnë një model fqinjësie shumë të mirë dhe orientimi i qartë i tyre euro-atlantik e bën edhe më të fortë këtë marrëdhënie.

Nga ana tjetër, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen në emër të qytetarëve shqiptarë për ndihmën e dhënë nga Mali i Zi për kapërcimin e situatës së emergjencës nga përmbytjet e fundit në jugun e Shqipërisë.

"Duhet një koordinim më i mirë mes institucioneve të të dy vendeve për të evidentuar, vlerësuar dhe shfrytëzuar sa më mire potencialet dhe burimet tona natyrore dhe njerëzore", u shpreh Nishani.

Ndërkaq, për Nishanin niveli i bashkëpunimit ekonomik dypalësh ka një impakt pozitiv edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe kthimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në një treg me interes për vendet e Bashkimit Evropian dhe investitorët e tjerë strategjikë.
"Jemi shumë të interesuar për promovimin e kohezionit rajonal duke synuar zhvillimin ekonomik, ekologjik, kulturor e social të rajonit tonë", u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria i kushton një vëmendje shumë të veçantë marrëdhënieve me vendet e rajonit dhe do të vijojë të ndjekë me konsekuencë politikën e fqinjësisë së mirë.

"Rajoni duhet të funksionojë përmes përfshirjes së të gjitha vendeve të tij, përfshirë edhe Kosovën, pavarësia e të cilës ka ndikuar pozitivisht për paqen dhe stabilitetin në rajon", u shpreh Kreu i Shtetit.

Gjatë bisedës, një vëmëndje e veçantë iu kushtua edhe çështjeve të pakicave kombëtare. Presidenti theksoi se dialogu për këtë aspekt nuk ka munguar, pasi pakicat kombëtare meritojnë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garanton Kushtetuta dhe kuadri ligjor i të dy vendeve, por edhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Konventa Kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare.

Gjithashtu, Nishani vuri në dukje rëndësinë e respektimit të së drejtës së pronës private dhe e administrimit të saj, si dhe që shqiptarët e Malit të Zi të gëzojnë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore në shkollimin në gjuhën shqipe si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare. "Zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën", u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu përpjekjet dhe progresin e Malit të Zi për t'u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) dhe theksoi se Shqipëria është një nga vendet e Aleancës që ka mbështetur dhe do të mbështesë në vijimësi anëtarësimin e Malit të Zi dhe të gjitha vendeve të rajonit që kanë interes për këtë organizatë.
Në fund të takimit, Presidentët e të dy vendeve dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. /ATSH/