Nishani dekreton ligjin për SPAK
nuk shprehet për 4 ligjet e tjera

Nishani dekreton ligjin për SPAK<br />nuk shprehet për 4 ligjet e tjera
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka vendosur të ndjekë linjën e Partisë Demokratike sa i takon qëndrimit për katër ligjet prioritare, për zbatimin e Reformës në Drejtësi, të miratuara në seancën e 6 tetorit. Kreu i shtetit ka dekretuar dje një nga ligjet më të rëndësishme për ngritjen e institucioneve të specializuara, të cilët do të luftojë krimin dhe korrupsionin elitar në Shqipëri, por Presidenti nuk është shprehur për katër ligjet të tjera, po aq të rëndësishme, të kontestuara nga Partia Demokratike. Konkretisht, kreu i shtetit ka deklaruar shpalljen e ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, i cili u votuar nga Kuvendi, me konsensus mazhorancë-opozitë, me 122 vota, seancën e 6 tetorit. Siç duket, Presidenti Nishani e ka parë të udhës të dekretojë vetëm ligjin konsensual, atë të SPAK, ndërsa ka vendosur të mos shprehet për katër ligjet e tjera. Konkretisht, kreut i shtetit nuk është shprehur për ligjet për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për ligjin për funksionimin dhe organizimin e prokurorisë, për organizmin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese si dhe për ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që kreu i shtetit t’i kalojë në heshtje katër ligjet e tjera prioritare, sikundër operoi edhe për ligjin e Vetingut.

Prapaskena
Partia Demokratike votoi një nga ligjet që kishte kontestuar më shumë, pra ligjin për SPAK-un, dhe refuzoi për të votuar katër ligjet e tjera prioritare. Qëndrimi me dy standarde u konstatua edhe nga figura të opozitës. Por, pas vendimit paradoksal duket se fshihej një garanci dhe pakt i maskuar mes palëve. Para finalizimit me votë në Parlamentit, ligji i SPAK ka pësuar një ndryshim të rëndësishëm, siç duket me konsensusin e të dy palëve politike, që ka të bëjë me pavarësinë e prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, strukturës që do të godasë korrupsionin në nivele të larta. Konkretisht, sipas variantit të miratuar të ligjit për SPAK, politikanët, të cilët pritet të jenë edhe objekti kryesor i organeve të reja anti-korrupsion, mund të ndërhyjnë dhe ushtrojnë ndikim të papërshtatshëm mbi prokurorët specialë, duke mos u veshur me përgjegjësi penale. Por, ligji i miratuar për SPAK reflekton edhe një kompromis tjetër, të cilin Shqiptarja.com do ta zbardhë në ditët në vijim.

Byroja e Hetimit
Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e specializuar që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Byroja e Hetimit bashkëpunon me Policinë e Shtetit, Shërbimin Informativ Shtetëror, Policinë Kufitare, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse shtetërore për të realizuar në mënyrë të plotë dhe efektive ushtrimin e funksioneve të përcaktuara në këtë ligj, pra për hetimin e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta. Byroja Kombëtare e Hetimit ka akses në informacionin që përmbajnë bazat e të dhënave, ndërsa është institucioni që ekzekuton urdhrat për përgjim të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dhe të autorizuara nga gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kompetencat
Struktura e re hetimore do të ketë në kompetencë 40 vepra penale, duke nisur që nga korrupsioni i funksionarëve të lartë dhe deri tek komploti, atentatet, kryengritja, krimet e luftës, rrëmbimi i avionëve etj. Prioritet i Byrosë së Hetimit janë veprat dhe akuzat penale kundër kryeministrit dhe ish-kryeministrave, presidentit dhe ish-presidentëve, ministrave dhe ish-ministrave, deputetëve dhe ish-deputetëve, gjyqtarëve, ish-gjyqtarëve etj., të parashikuar në Kushtetutën e re si dhe më gjerësisht në ligjin për SPAK. Përpos krimeve tejet të rënda si genocidi, komplotet dhe terrorizimi, Byroja e Hetimit do të jetojë korrupsionin pasiv të funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë shtetërorë, parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet nga katër deri në dymbëdhjetë vjet burg.

Korrupsioni
Objekt i Byrosë do të jetë edhe korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë, parashikuar në nenin 244/a të Kodit Penal. Kompetencë e SPAK do të jetë gjithashtu korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, parashikuar në nenin 319 të Kodit Penal, i cili parashikon një dënim nga një vit deri në katër vjet. Në fokus të strukturës së re do të jetë edhe korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, vepër penale e cila dënohet deri në 10 vjet burg.

Funksionarët në shënjestër të SPAK
Presidenti i Republikës, ish-presidentët
Kryetari i Kuvendi, ish-kryetarët e Kuvendit
Kryeministri, ish-kryeministrat
Ministrat, ish-ministrat
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, ish-gjyqtarët e Gjykatës së Lartë
Prokurori i Përgjithshëm, ish-kryeprokurorët
Inspektorit të Lartë të Drejtësisë
Kryetarit të Bashkisë, ish-kryebashkiakët
Deputetët, ish-deputetët
Zëvendësministrat, ish-zëvendësministrat
Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë,
Drejtuesit e institucioneve qendrore, ish-drejtuesit e institucioneve qendrore
Drejtuesit e institucioneve të pavarura, ish-drejtuesit e institucioneve të pavarura
 
Veprat penale në kompetencë të SPAK
Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë.
Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë.
Korrupsioni aktiv i gjyqtarit dhe prokurorit.
Çelja e depozitave ose e llogarive bankare, anonime.
Genocidi.
Krime kundër njerëzimit, vrasjet, zhdukja me forcë.
Krimet e luftës.
Vrasja për gjakmarrje.
Vrasja e funksionarëve publikë.
Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare.
Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit.
Shtrëngimi për dhënien e pasurisë.
Trafikimi i personave të rritur.
Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera.
Trafikimi i të miturve.
Atentati.
Komploti.
Kryengritja.
Vepra me qëllime terroriste.
Financimi i terrorizmit.
Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera.
Rekrutimi i personave për vepra terroriste.
Stërvitja për qëllime terroriste.
Thirrja publike për vepra terroriste.
Prodhimi i armëve luftarake.
Organizata terroriste.
Banda e armatosur.
Nxitja e urrejtjes ose grindjeve.
Veprime luftarake në një shtet të huaj.
Trafikimi i armëve dhe i municionit.
Trafikimi i lëndëve plasëse.
Trafikimi i narkotikëve.
Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale.
Organizata kriminale.
Grupi i strukturuar kriminal.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave