Nishani rikthen ligjin në Kuvend për Forcat e Armatosura

Presidenti i Republikës Bujar Nishani
TIRANE 4 Korrik/ATSH/- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nuk dekreton dhe e rikthen për rishqyrtim në Kuvend Ligjit "Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë".
Siç bëhet e ditur në një njoftim të zyrës së shtypit të kreut të shtetit, Presidenti thekson se ligji i miratuar nga Parlamenti shkel dispozitat kushtetuesa pasi i heq Komandatit të Përgjithshëm të drejtën e komandimit të Forcave të Armatosura në kohë paqeje.
Në një material të gjatë, Nishani rreshton disa argumente sipas Presidentit që e konsiderojnë ligjin "Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë" jo në përputhje me Kushtetutën, ndaj sipas Presidentit ky ligj  duhet rishqyrtuar nga Kuvendi.
Në materialin e Presidencës theksohet se "Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ushtron të funksionet e kompetencat që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura, te cilat burojnë nga Kushtetuta dhe parashikohen shprehimisht nga ligjet që nuk vijnë në kundërshtim me të. Ai është zotërues i të drejtës së komandimit dhe drejtimit të të gjithë veprimtarisë të Forcave të Armatosura në kohë paqe dhe në kohë lufte. Në kohë paqeje, Presidenti i Republikës e ushtron komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, të cilët janë përgjegjës për ushtrimin e veprimtarisë së tyre të drejtimit përpara Kuvendit dhe Presidentit të Republikës.
Në këtë këndvështrim kushtetues, çdo iniciativë ligjore që ka të bëjë me komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura, karrierën ushtarake, statusin e ushtarakut etj, duhet detyrimisht të konsultohen paraprakisht me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të marrin dakortësinë e tij. Në të kundërt, këto veprime do të rrezikonin zinxhirin e komandim/kontrollit, kaq vendimtar për drejtimin në fushën e mbrojtjes së vendit. Pra, ushtrimi i kompetencave të dhëna nga Kushtetuta në kohe paqeje Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, nuk duhet të anashkalojnë funksion e komandimit dhe drejtimit të Forcave të Armatosura nga Komandanti i Përgjithshëm", citohet deklarata e Presidentit".
Në fund të materialit drejtuar deputetëve, theksohet: "kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e ligjit 59/2014 pasi bie ndesh me nenet 168 pika 2, 169 pika 1 dhe pika 4 të Kushtetutës".
 Ndërkaq, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë mbrojtjes së draftit në Kuvend, ka deklaruar pak kohë më parë se "misioni i ligjit aktual ka qenë vendosja e sistemit të karrierës mbi kritere profesionale dhe korrigjimi i strukturës së gradave. Sipas ligjit aktual ushtarakët i nënshtrohen një rregulli të vetëm ose përparimit në gradë, ose dalja nga shërbimi aktiv e FA. Nga ana tjetër është shtuar në mënyrë të ndjeshme numri i ushtarakëvë që janë nxjerrë në lirim dhe paguhen me pension të parakoshshëm për vitet e shërbimit. Ushtarakët me gradën kapiten kanë dalë në pension në moshën 40 vjeç, majorët në moshën 45 vjeç, nënkolonelët në moshën 50 vjeç dhe kolonelët 53 vjeç."/a.gjonaj//y.pa/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Pse Gaz Bardhi i trembet primareve në PD?!