Nishani te ‘5 Pyetjet’: Nuk e 
çoj në Kushtetuese Vetingun

Nishani te ‘5 Pyetjet’: Nuk e <br />çoj në Kushtetuese Vetingun
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nuk do ta dërgojë në Kushtetuese ligjin e Vettingut. Kreu i shtetit flet për herë të parë për fatin e ligjit të miratuar në seancën e jashtëzakonshme plenare të 30 gushtit në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv.
 
Ndryshe nga çfarë PD pretendoi në fillim, Bujar Nishani nuk sheh deri më tani asnjë shkelje për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
 
Megjithatë ai ka rezerva për rolin që ligji të cilin po e konsulton me juristë, i jep institucionit që drejton lidhur me emërimet në sistemin e ri të drejtësisë, pasi sipas tij e kthen zyrën e kreut të shtetit në një zyrë protokolli.
 
Rezerva kreu i shtetit ka dhe për rolin e shërbimit të kontrollit të brendshëm dhe drejtorisë së informacionit të klasifikuar në hetimin e pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
 
Presidenti Nishani e quan të dështuar reformën në drejtësi, nëse në fund të saj nuk arrestohen politikanë dhe sekuestrohen pasuritë e tyre.
 
Gjatë intervistës me Ilir Babaramon, Nishani foli dhe për marrëdhëniet me Qeverinë.
 
Kreu i shtetit tha se Rama nuk e ka njohur asnjëherë si President pavarësisht deklaratave formale.
 
Përsa i përket incidentit me Bushatin në pritjen e ambasadorëve, e cila u anulua, Nishani deklaroi se ministri mund të krijonte një incident me diplomatët e tjerë të ftuar.

Në lidhje me instrumentet e marrëveshjes së kufirit detar me Greqinë, Nishani tha se shumë shpejt do t’i adresohem Gjykatës Kushtetuese, sepse të drejtën e plotfuqishmërisë që ka pasur dikur Presidenti, tashmë ia kanë kaluar Ministrisë së Jashtme, me idenë për të marrë thjesht autorizmin nga ana e Presidentit të Republikës, çka bie ndesh me një sërë konventash ndërkombëtare.
 
Ndërsa si shqetësimin më të madh të vendit, Presidenti Nishani shikon tendencën e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi.

Intervista 

Përshëndetje Zoti President! Kënaqësi që këtë sezon e nis me ju si kryetar i shtetit. Do të doja ta nisja bisedën nga zgjedhjet e Dibrës, si e gjykoni procesin, a është sipas standardeve Europiane?
Besoj që duhet të presim gjykimin e institucioneve të specializuara, vëzhguesve, KQZ për të paraqitur gjykimin. Unë  kam ndjekur sipas mediave. Do t’i uroja kryetarit të ri punë të mbarë dhe të fokusohet te problemet e qytetarëve. Do të nxisja qeverinë që të mbështeste me projekte bashkinë e Dibrës.

Pretendimet e ngritura nga politika duhet të trajtohen me seriozitet nga institucionet përkatëse. Ne duhet të mësohemi me kulturën që të ecim me vlerësim nga institucionet që e kanë ndjekur nga afër dhe kanë statusin e vlerësimit dhe gjykimit. E rëndësishme është që të vazhdohet t’u shërbehet qytetarëve të Dibrës me standarde të larta.
 
Për gati një vit tema qendrore ishte Reforma në Drejtësi. Reforma e miratuar a  a e zgjidh problemin e drejtësisë në Shqipëri?
Debati ka qenë i domosdoshëm, do të preferojë që të ishte edhe më i gjerë dhe të përfshinte më shumë aktorë brenda.
 
Reforma fokusohet në dy momente. E para mundësia e krijimit të mekanizmave të reja që do të bëjnë administrimin e pushtetit gjyqësor, e cila do të krijojë mekanizma për të vlerësuar integritetin e njerëzve që do të marrin vendime brenda drejtësisë.
 
Dhe momenti i dytë vendosja e një modeli të ri të sistemit të ekuilibrave për ndarjen e drejtësisë.
 
Këto kërkesa mendoni se u realizuan nga kjo reformë?
Duhet pritur të shikojë zbatimin e amendamenteve kushtetuese. Ne kemi pasur sfidë të madhe, zbatimin e ligjeve. Të gjitha ligjet që kemi kanë qenë të përafruara me legjislacionin Europian, por kemi hasur vështirësi në zbatimin e tyre.
 
Shqiptarët dhe partnerët e kanë konstatuar problemin e zbatimit të ligjeve. Duhet të shohin si do të zbatohet Kushtetuta e re dhe si do të funksionojnë institucionet e reja që do të krijohen.
 
Ajo që duan të shohin qytetarët është drejtësi në këtë vend, që të marrë fund pandëshkueshmëria që u bie në qafë jetës, të drejtave, pronës dhe zhvillimit të qytetarëve shqiptarë.
 
Nëse nuk do të shohim që mekanizmat të dërgojnë para drejtësisë gjyqtarë, prokurorë dhe politikanë nuk shkojnë para drejtësisë dhe pasuritë e tyre nuk do të sekuestrohen atëherë do të ketë një dështim edhe të këtij hapi që u ndërmor.
 
Unë shpresoj dhe besoj që këto të ndodhin, shqiptarët duan të shohin të korruptuarit para drejtësisë. Shqiptarët duan të shohin sekuestrimin e pronave të të korruptuarve. Dhunuesi i ligjit do të thotë dhunues i jetës dhe të drejtave të qytetarëve.
 
Gjatë debatit për reformën kushtetuese, një nga shqetësimet ishte pretendimi i opozitës se drejtësia do të kapet nga shumica qeverisëse, ju e shikoni këtë rrezik?
Rreziku i influencave politike mbi drejtësinë mbetet ende një potencial në Shqipëri, për shkak të një tradite, apo synimeve cinike që vijnë nga politika, apo qoftë për shkak të një balance jo të konsoliduar të kontrollit dhe ndarjes së pushteteve.
 
U pa e arsyeshme nga Kuvendi, që shumë kompetenca që deri tani ishin adresuar Presidentit t’ia kalojë qeverisë.
 
Mjaft prej pushteteve të parlamentit i kanë kaluar qeverisë. Pra është forcuar shumë prezenca në vendimmarrje e mekanizmave që rrjedhin nga ekzekutivi.
 
Ky është vendim i parlamentit ne nuk mund ta gjykojmë në kontekstin institucional. Sesa i suksesshëm do të jetë modeli i ri mbetet për t’u parë.
 
Tendenca për influenca politike mbetet e lartë në Shqipëri. Shpresoj të ketë një shkallë të lartë përgjegjshmëri, që të kapin këtë moment për të krijuar një bazë nga ajo që kemi pasur dhe për të lënë një trashëgimi pozitive. Mbetet të shikohet zbatimi i procesit vendimmarrës.
 
Çfarë do të bëni me ligjin e Vetingut, do e dekretoni apo do e çoni në Kushtetuese?
Nuk kam ndërmend t’ia çoj Kushtetueses, jam duke e studiuar me kujdes. Jam duke u konsultuar me këshilltarët dhe me juristë të tjerë.
 
Kam parë disa cështje që më kanë shqetësuar për mënyrën si trajtohet institucioni i Presidentit.
 
Çfarë nuk shkon?
Institucioni i Presidentit mbart përfaqësimin e dinjitetit të shtetit shqiptar. Mund të qëllojë që Bujar Nishani nuk i pëlqen kryeministrit ose anasjelltas, por kjo nuk ka të bëjë me respektin ndaj figurës së kreut të shtetit.
 
Në ligjin aktual Presidenti kthehet në sekretari protokollare, në një zyrë administrative të disa institucioneve që krijohen.
 
Për të emëruar sekretarët e apelimit apo mekanizmave të tjera, që janë administrative, i është lënë Presidentit të bëjë shpallen e vakancave.
 
Presidenti ia përcjell dosjen me kandidatët komisioneve të apelimit apo vlerësimit.
 
Nuk trajtohet Presidenti i shtetit si zyrë protokollare, kështu mendon shumica e shqiptarëve.
 
Presidenti mirë është para parë që të mos jetë pjesë e procesit vendimmarrës, por nuk mund ta trajtosh deri në këtë shkallë.
 
Nuk mund të bëhem pjesë e kësaj sjellje, jo pse jam unë sot President, por kam në bindjen time politike, që kreu i shtetit duhet respektuar, pasi përfaqëson shtetin shqiptar.
 
Kjo është një cështje që mua më ka shqetësuar. Është parashikuar që në procesin e kontrollit të gjyqtarëve të përfshihen dy institucione, që deri tani kanë treguar dobësi dhe kanë përgjegjshmëri për problematika serioze.
 
Anëtarët e SHÇKB që duhet të kontrollojnë policinë, janë paraparë për të kontrolluar integritetin moral të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
 
Së pari kjo nuk ka lidhje mes dy pushteteve. Së dy kemi një problem, në problemin e kultivimit të kanabisit ka mjaft punonjës policie të përfshirë në mos goditjen e tyre, uk po paragjykoj për përfshirjen në kultivim.
 
Agjencia që duhet të hetonte pse punonjësit nuk janë angazhuar për të goditur trafikant është SHÇKB, ky institucione që nuk ka kryer përgjegjësitë ligjore ne po i ngarkojmë të tjera më madhore.
 
Problem tjetër është angazhimi i zyrës së Kontrollit të Pastrimit të Parave. Ne kemi një problem me qarkullimin e parasë së pistë në Shqipëri, e kemi identifikuar na e thonë raporte të ndryshme të DASH dhe BE.
 
Nga ky institucion nuk kemi parë axhendë dinamike për goditjen dhe rezultatet. Ky institucion merr një detyrë akoma më të madhe për të kontrolluar edhe pastërtinë e gjyqtarëve dhe prokurorë. Për mua ngrenë pikëpyetje për besushmërinë e tyre.
 
Po cilët mund të jenë institucionet që mund të bëjnë Vetingun nëse kemi parasyh që opozita këmbënguli që duhet të jetë proces shqiptar, u fol për sovranitetin dhe që të huajt duhet të jenë vetëm vëzhgues dhe jo përcaktues?
Unë u them me shumë transparencë, nuk nisem as nga deklaratat e opozitës as të mazhorancës.
 
Unë flas si President dhe po e shikoj ligjin dhe do të reagoj për ligjin nga pikëpamja kushtetuese dhe do të reagoj nga pikëpamja kushtetuese dhe nëse nuk gjej një përplasje me kushtetutën do të mbaj një qëndrim timin.
 
A keni konstatuar që ka përplasje për ligjin e Vetingut?
Nuk mund të bëj një vlerësim deri tani, pasi jam në procesin e konsultimit. Për mua ka shumë rëndësi që procesi i Vetingut të fillojë sa më parë dhe të realizohet në themel dhe të mos kthehet në proces intimidimi dhe kanosje për qëllime individuale politike apo të natyrave të ndryshme.
 
Për mua ka rëndësi që të nxjerrë të korruptuarit dhe të paaftët. Por në ato cështje që und i konsideroj që nuk kanë sens dhe nuk janë në korrektesë në pikëpamjen institucionale të kreut të shtetit që nuk është pronë e Bujar Nishanit.
 
Ne kemi një shtet 104 vjet të themeluar dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të mbrojmë dinjitetin e shtetit tonë.
 
Angazhimi i juristëve të huaj është i mirëpritur sikur e ka parë kushtetuta për të monitoruar procesin.
 
Por aty ku shikoj që nuk ka korrektesë, padyshim do të mbaj një qëndrim për ta shprehur. Por nuk kam parë deri tani dhe nuk kam motiv ti drejtohej Kushtetueses.
 
Pa dashur të spekuloj, latë të kuptohet se ligjin do ta kaloni në heshtje...
Ajo mbetet për t’u vendosur, unë kam ende kohë, jam në proces diskutimi.
 
Para se të aprovohej reforma në publik ishte krijuar një perceptim, që projekti që ishte hartuar për të cilin ishin krijuar dy blloqe nga njëra anë kryeministri dhe ambasadorët dhe nga ana tjetër ju si president, drejtuesi i opozitës dhe kreu i parlamentit. Cila është e vërteta, është aluduar shumë në media..
Nuk e di kush e ka deklaruar këtë. Të jem i sinqertë nuk e kam parë këtë aludim asnjëherë.
 
Nuk gjykoj qëndrimet e kryeministrit, kreut të parlamentit apo opozitës, nuk më takon, gjykimet e tyre i bëjnë shqiptarët.
 
Dua t’u bëj në kujtesë që në tetor 2014 kur nuk kishte asnjë diskutim dhe ishte heshtje, e kam marrë unë iniciativën për Reformën në Drejtësi me delegacionin e BE në Tiranë dhe kam organizuar Konferencën Kombëtare ku kanë qenë të ftuar të gjithë aktorët.
 
Ndoshta nuk u shpreha qartë, e kisha fjalën jo për reformën por për tekstin në të cilin kishte hartuar komisioni..
 
Presidenti nuk ka qenë i përfshirë në tekst, nuk mund të mbanim qëndrime, pasi nuk kemi pasur dijeni.
 
Unë mendoj që procesi u mor në dorë nga Presidenti, pastaj palët, u krijua komisioni, shumica u vendos në lëvizje, që unë e gjykoj produktiv, nëse unë kam qenë nxitësi që ta fillojnë.
 
Si e gjykoni rolin e ambasadorëve të SHAB dhe BE në këtë proces. Ka pasur shumë zëra që i kanë sulmuar, është folur edhe për kërcënime ndaj deputetëve. Si ka qenë roli i tyre në optikën tuaj?
Në mënyrë kategorike nuk i gjykoj. I kam respektuar dhe vazhdoj ti respektoj. Ambasadorin e SHBA nuk e gjykon ambasadori i Shqipërisë, por i SHBA, po ashtu edhe atë të BE.
 
Një president mund ta gjykoj një ambasador, ka pasur raste kur janë shpallur ‘non grata’ dhe janë larguar...
Nuk është presidenti asnjëherë, ka kanale të caktuar dhe raste të tilla janë të veçanta. Unë e mbështes angazhimin e partnerëve SHBA dhe BE, pasi janë dy aleatët strategjikë.

Marrëdhëniet tuaja me qeverinë herë pas here kanë qenë të tensionuara, aktualisht ka një lloj normalizimi apo vazhdojnë të jenë të tilla?
Unë në mënyrë shumë të sinqertë dhe aspak për retorikë nuk i kam konsideruar dhe nuk i kam parë asnjëherë të tensionuara.
 
Kam ofruar dhe vazhdoj të ofroj gatishmërinë e komunikimit dhe një marrëdhënie korrekte institucionale edhe pse jo njerëzore.
 
Padyshim ka pasur herë pas here deklarata kundër presidentit të Republikës nga përfaqësues të qeverisë, në parlament në qeveri që në disa raste më është dashur të përgjigjem në respekt të opinionit publik sepse nuk mund të mbaja mbi vete pa sqaruar shpesh herë dhe akuzat.
 
Jam kritikuar politikisht dhe është konsideruar si konflikt mes presidentit dhe qeverisë fakti që unë disa nga ligjet i kam rikthyer në parlament për t’u ri parë.
 
kanë qenë ne 90% të rasteve të tyre ligje që kanë pasur kompetenca direkte më presidentin të cilat nuk janë ndryshuar për faktin se është bërë ndryshimi kushtetues, nëse do ishin ndryshuar duke ndryshuar kushtetutën nuk kishte asnjë të drejtë presidenti i republikës as të ngrite pretendime dhe as ta conte për rishqyrtim sepse sovrani i vendimmarrjes legjislative është parlamenti.
 
Nëse nuk janë votat në parlament për të ndryshuar kushtetutën në lidhje me kompetencat e presidentit të republikës dhe ti përdor një lojë antiligjore dhe antikushtetuese duke bërë një ligj që ky ligj nuk e lejon Presidentin e Republikës për të ekzekutuar kompetencën e tij pavarësisht së është kushtetuese padyshim që unë do ndërhyja dhe ta riktheja ligjin.
 
Por ka pasur edhe ligje të tjera madhorë sikur është ligji për arsimin e lartë, ligji për çështjen e pronave , ligji për çështje strategjike që janë madhore ndoshta për 20- 30 vitetet e ardhshme.
 
Presidenti nuk ka një veto, pra nëse e ndërmerr një hap të argumentuar, secili nga nenet e këtij ligji krijon probleme dhe cilat janë arsyet që krijon probleme dhe kam kërkuar rishikimin. Pa kaq kam kërkuar. Dhe kjo është një e drejtë kushtetuese e presidentit të republikës. Kam pasur në Shqipëri miq që na kanë vizituar në nivel kryetarësh shtetesh dhe përfaqësuesit më të lartë të qeverisë dhe kur i kam pyetur se cila është praktika e kthimit të ligjeve nga ana e presidentëve të tjerë në parlamentit ka qenë një përqindje shumë herë më e madhe nga ajo sa kemi kthyer ne në parlament.
 
Kjo ka qenë krejtësisht e padrejtë dhe një alibi politike dhe për fatin e keq më duhet të them që qeveria aktuale apo kryeministri nuk vonoi për presidentin e republikës në 2012 dhe nuk njohu asnjëherë pavarësisht deklaratave formale.
 
Unë nuk kam mekanizma të ndryshoj zgjedhjet e kryeministrit por nuk e konsideroj armik kryeministrin. Padyshim që do ti jap përgjigje dhe do të mbaj të njëjtën sjellje institucionale me bindje dhe jo me shtirje. 

Bashkëjetesa mes presidentit dhe kryeministrit kur vijnë nga parti të kundërta është e vështirë, një vend tipik është Franca. Kjo situatë që ju sapo përshkruat cfarë pasojash ka?
Jo absolutisht asnjëherë nuk ka pasur ngërçe në mënyrën e funksionimit të shtetit. Unë besoj se është shumë e shëndetshme nga pikëpamja politike dhe e demokracisë kur ka jo qëndrime agresive brenda njëri-tjetrit por kur ka qëndrime të argumentuara ligjërisht dhe institucionalisht.
 
E shikoj të shëndetshme, nuk është një çështje armiqësie , është një çështje e ruajtjes e dinjitetit dhe korrektesës së pushtetit që ka çdo institucion.
 
A është tejkaluar incidenti që ndodhi në këtë seli, në selinë e presidencës me ministrin e Jashtëm i cili u pengua nga garda juaj për të marrë pjesë në një takim që ju kishit thirrur me ambasadorët e Shqipërisë të akredituar kudo në botë ?
Incidenti nuk ka qenë i gardës. Në atë aktivitetet ministri nuk ka qenë i ftuar. Mënyra e funksionimit të institucioneve janë të rregulluara me ligj dhe mekanizma. Nuk besoj se sot mund ti teket dikujt për tu futur në institucionin e Presidencës me forcë pa marrë parasysh rregullat thjesht sepse ka një dëshirë të shikojë si është institucioni nga brenda.
 
Në çfarë rrethana nuk e ftuat ? pse?
Ka qenë një aktivitet tërësisht i institucionit të presidentit të Republikës. Presidenti i republikës u përjashtua për fatin e keq nga ana e ministrisë së jashtme apo e qeverisë dhe nuk e di se kush e ka marrë tamam atë vendim për të qenë ai hapsi apo adresuesi kryesor i konferencës së ambasadorëve.
 
Politika e jashtme është politikë shtetërore. Presidenti u përjashtua dhe jo për herë të parë nga ky aktivitet, mu kërkua të bëjë një pritje për ambasadorët dhe e ofrova këtë kohë dhe këtë angazhim.
 
Më pas u njoftova nga ana e kabinetet që në sallë janë futur njerëz të paftuar dhe ministri i Jashtëm mund të krijonte një incident me diplomatët e tjerë të ftuar. Unë nuk e konceptoj sesi mund të ndodhe një gjë e tillë. Mua për vete kur s’më ftojnë se di pse duhet të shkoj. Gjithsesi ishte një sjellje jo serioze. Ky institucion nuk është i Bujar Nishanit por është i shtetit.
 
Tani funksionojnë marrëdhëniet normal?
Aktivitetet e shtetit janë aktiviteti shteti dhe ato do të respektohen si institucione shteti. nuk ka asnjë dyshim.
 
Nuk i vendos raportet personale. Kam kaluar shumë detyra të rëndësishme në këtë vend.
 
Ministri i Jashtëm ju informon për takimet që zhvillon për gjithçka çfarë ndodh me hapat që hedh diplomacia shqiptare?
Gjatë 3 viteve që është qeveria aktuale mund të kem marrë 2 ose 3 informacione nga ministri i Jashtëm.
 
Kabineti im është munduar të mbajë kontakte me specialistë të caktuar me drejtori të caktuara nga ministria e jashtme.
 
Për hir të vërtetës e kam kërkuar në mënyrë të përsëritur. Nuk duhet ta kërkoj sepse duhet të vijë vetë sepse presidentit të republikës duhet ti bëhet një raport të situatës së politikës së jashtme. Mirë do ishte e përjavshme por edhe njëherë në muaj.

Deri në çfarë pike është fenomeni i përgjimeve?

Kur e deklarova e deklarova  në sensin  e një qytetari dhe institucional. Është tentuar të përgjohet jeta e presidentit dhe familjarëve  të tij. Në aspektin e përgjithshëm nuk kam asnjë lloj problemi sepse s’ka asgjë për të fshehur as në jetën private. Në jetën institucionale patjetër që ka rregulla dhe këto rregulla duhet të respektohen dhe për fatin e mirë nuk është cenuar institucioni i republikës.

Por në jetën private çdo njëri nga ne  gëzon të drejtat. Megjithatë unë nuk kam asnjë shqetësim  edhe nga këto në aspektin njerëzor  sepse nuk kam asgjë për të fshehur. Kur e deklarova atëherë nga qeveria u kthye në shaka dhe po tallej. Unë përsëri heshta.

Më pas publiku u njoh  dhe ajo që është e pakundërshtueshme  dhe e provuar publikisht  dhe besoj se edhe hetimi ligjor duhet të jetë drejt fundit  ka të bëjë me dy gjëra, është futur në mënyrë të paligjshme  një pajisje përgjimi  së dyti është përdorur  për trajnime  kjo pajisje. Këto dy gjëra janë përdorur publikisht  nga autoritet përkatëse . 

Më falni që ju ndërpres Zoti President, por qeveria thotë se futja e kësaj pajisjeje nga Interforca italiane është bërë në bazë të një marrëveshjeje që e keni firmosur ju kur ishit Ministër i Brendshëm?

 Jo, jo, nuk ka fare… Ajo është një marrëveshje kuadër, e cila parashikon përdorimin e teknikave. Teknika janë përdorur mbi bazën e asaj marrëveshjeje edhe herë të tjera. Edhe kjo teknikë është përdorur, por mënyra e futjes së tyre është e përcaktuar me ligj. Është mbi bazën e Kodit të Procedurës Penale në Shqipëri. Nuk prevalon asnjë… Këto marrëveshje kuadër apo marrëveshje të përgjithshme nuk tregojnë që ti ke të drejtë të fusësh një armë pa leje në Shqipëri. Dhe do ta fusësh këtëpajisje, pra ajo parashikon një bashkëpunim operacional – e para është një marrëveshje operacionale. Mund të përdorësh teknika dhe asistencë por mënyra se sido të respektohen ligjet e shtetit shqiptar. Dhe nuk është futur nga Interforca. Është përgjegjësi e institucioneve shqiptare. Në Shqipëri e kanë futur institucionet shqiptare, se ka kufi Republika e Shqipërisë. Është futur, është mbajtur dhe është përdorur nga zyrat e institucioneve të shtetit shqiptar.

 Të gjitha këto që i thoni janë të provuara? Që e kanë futur shtetas shqiptarë? Nuk e kanë futur shtetas italianë?

Është futur në territorin e shetit shqiptar nën kontrollin e institucioneve të shtetit shqiptar. Këtë po them. Pra është futur në doganën e shtetit shqiptar, është futur në kufirin e shtetit shqiptar, është mbajtur në zyrat e shtetit shqiptar, është përdorur nga institucionet dhe nga qytetarë shqiptarë.

 Çfarë informacioni keni ju që ka ndodhur më pas?

 Këto dy gjëra janë tashmë të provuara publikisht, besoj se edhe ligjërisht, sepse procesi është nën hetim. Se çfarë është hetuar në të, është hetuar apo jo nëse Presidenti i Republikës ajo duhej dhe do të dilte nga verifikimi teknik dhe teknologjik i pajisjes, e cila është bërë e pamundur, sepse nuk i është dorëzuar Prokurorisë. Por gjithsesi këto janë çështje që lënë gjurmë. Nuk është kollaj të fshihen. Dhe ndoshta në një të ardhme do të kenë mundësi që të hetohen. Unë besoj se do të hetohen në të ardhmen në çdo rast. Në çdo rast, sepse përdorimi i këtyre pajisjeve lë gjurmë. Është përdorur ta zëmë në Elbasan lë gjurmë aty ku është përdorur. Pra ka disa pajisje të tjera që e identifikojnë se kjo pajisje është përdorur po them, në Elbasan apo ku di unë, në Tiranë, apo në Korçë.

 Ju shpresoni se hetimet do ta nxjerrin të vërtetën?

 Duhet ta nxjerrin, patjetër. Është përgjegjësi, nuk ka… Ajo është një përgjegjësi. Ajo duhet të dalë, sepse këtu është çështje e shtetit shqiptar.Nuk është çështje individësh. Ajo duhet të dalë dhe unë do të këmbëngul me çdo forcë timen institucionale kurdo që të jetë mundësia, edhe pas dhjetë vjetësh, që e vërteta të dalë.

Ju si Kryetar i Shtetit çfarë informacioni keni që nuk është bërë publik, ose që ju e keni marrë përmes rrugëve tuaja, sepse nën varësinë tuaj janë edhe institucione të tjera siç është Shërbimi Informativ? Tek e fundit jeni Kryetar i Shtetit, dini më shumë se ne.

 Pyetja juaj dhe emisioni juaj është që të investigoni sa më shumë si gazetar, por padyshim që unë si President nuk mund tëjap përgjigje për çështje që janë brenda konfidencialitetit dhe kufizimit të informacionit. Unë tregova, përsërita dy gjëra,të cilat janë të provuara publikisht. Që s’i ka kundërshtuar askush. Edhe vetë autoritetet të cilat janë përgjegjëse, le të themi nëkëtë aferë, i kanë pranuar: futja dhe përdorimi. Të dyja këto në mënyrë të paligjshme. Se sa është marzhi i paligjshmërisë, atë çështje e vendos pastaj gjykata.

 Ndërrojmë argument Zoti President. Më ka bërë përshtypje për mirë më duhet të them, që më 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, ju pritët një përfaqësi të komunitetit çam. Çfarë mesazhi donit të jepnit atë ditë?

 Në se më lejoni, sepse ka rëndësi data, ishte data 8 maj, me rastin e Luftës Antifashiste. Në nderim të sakrificave të shqiptarëve në Luftën Antifashiste. Për mua ka rëndësi data, sepse 8 Maji është Dita Evropiane e Antifashizmit. Shumë shtete evropiane e përkujtojnë Luftën Antifashiste më datë 8 Maj. Unë besoj se edhe Shqipëria duhet t’i bashkalidhet këtij modeli evropian, përderisa po shkojmë drejt Evropës. Jemi pjesë e Evropës në kuptimin gjeografik dhe kulturalisht. Gjithsesi…

 Po përse me komunitetin çam?

 Sepse ka pasur mjaft insinuata edhe në shtyp, edhe nga kënde të ndryshme, të cilat edhe publiksht i kanë artikuluar qytetarët e komunitetit çam si bashkëpunëtorë të fashizmit e të nazizmit. Kjo nuk është e vërtetë. Natyrisht edhe në Shqipëri ka pasur bashkëpunëtorë të nazizmit e të fashizmit. Edhe në vende të tjera të Evropës ka pasur. Por për mua nuk ishte çështja se do ta pastroja unë figurën e një komuniteti, por ishte për të evidentuar dhe për nënvizuar fort që edhe qytetarët e komunitetit çam, megjithëse unë preferoj të mos i ndaj qytetarët shqiptarë në çamë, labë, në malësorë, por gjithsesi ka një organizim shoqata Çamëria dhe për hir të së vërtetës, nuk ka qenë e evidentuar në këto 70 vjetët e fundit edhe kontributi i komunitetit çam në rezistencën antifashiste dhe në luftën për çlirim të Shqipërisë që padyshim është një moment historik, pavarësisht se si është keqpërdorur më pas për interesa politike të kastës së caktuar, por mbetet një moment shumë i rëndësishëm i historisë së Shqipërisë i atyre djemve dhe vajzave, të cilët u ngritën pa dallim…

 Pra me këtë ftesë që ju i bëtë komunitetit çam…?

 Desha të vlerësoj dhe të shpreh mirënjohjen për kontributin që djem dhe vajza, burra dhe gra trima që kanë dhënë edhe jetën në luftë për çlirim kundër nazi-fashizmit…

Ishte një përgjigje edhe për Athinën zyrtare, që thonte se çështja çame është totalisht e mbyllur, sepse ata janë ndëshkuar, janë dëbuar si bashkëpunëtorë të nazistëve?

 Jo, ne nuk kemi nevojë të bëjmë kështu – po përdor një terminologji që e përdorim në nëShqipëri – t’i bëjmë “karshillëk” të pikëpamjes “show”. Absolutisht! Për çështjen çame me shtetin grek unë besoj se diskutojmë dhe do të diskutojmë në mënyrë shumë serioze dhe shumë korrekte sipas standardeve evropiane. Është një çështje që është në tryezën e bisedimeve midis dy vendeve dhe shteteve tona.

Ajo ishte një ditë në të cilën unë desha të nënvizoj fort kontributin e qenësishëm real dhe sakrificat që kanë ardhur nga komuniteti çam. Janë një numër shqiptarësh çam, të cilët kanë vuajtur në kampet e nazizmit. Janë sakrifikuar në kampet e nazizmit për shkak të rezistencës së tyre antifashiste dhe antinaziste. Kështu që unë besoj se ishte një moment i duhur në Ditën Evropiane të Antifashizmit që ta nënvizoja.

 A mendoni se do të normalizohen marrëdhëniet me fqinjin jugor? Kam parasysh se prej vitesh ka disa çështje të hapura, njëra prej të cilave është edhe çështja çame. Athina ka kërkesat e veta gjithashtu. Ka filluar një dialog drejt zgjidhjes apo të dyja palët qëndrojnë në pozicionet e tyre rixhide?

 Unë them që marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë krejt normale pavarësisht problemeve që janë në tryezën e diskutimit. Kemi probleme dhe do t’i diskutojmë dhe duhet të shkojnë drejt zgjidhjes, por në tërësinë e tyre marrëdhëniet janë normale. Unë duhet ta nis me një çështje shumë të rëndësishme dhe mendoj se ne duhet ta prezantojmë atë në shenjën e një lloj mirënjohjeje. Në fillim të viteve ’90-të kur Shqipëria u hap dhe qytetarët shqiptarë ishin në një lloj situate dëshpërimi për shkak të mungesës së zhvillimit dhe varfërisë ekstreme, të zhvillimit kulturor, etj., etj., ishte një kalvar i gjatë izolimi dhe prapambetjeje, një pjesë e madhe e tyre, me qindra mijëra, emigruan në Greqi. Dhe ne jemi dëshmitarë që populli grek, qytetarët grekë u hapën dyert e shtëpive, u ofruan ushqim dhe strehim, por edhe shteti grek u tregua dashamirës, sepse një qytetar nuk mund të ofrojë atë gatishmëri dhe atë pritje nëse shteti nuk do, nëse institucionet e shtetit nuk duan…

Sigurisht, por a mendoni se…?

 Jo, jo, mos harroni…!

Që politika greke këtë situatë e përdori për t’iu imponuar partnerëve shqiptarë, zyrtarëve shqiptarë një kompleks inferioriteti?

 Nëse ne kompleksohemi është përgjegjësia jonë pastaj. Pra unë po ndalem te një moment i rëndësishëm historik. Ne nuk mund të kompleksohemi, absolutisht jo! Por ne duhet të jemi mirënjohës që një numër kaq i madh shqiptarësh gjetën një dritë shprese, gjetën një moment inspirimi. Janë integruar në shoqërinë greke mjaft prej tyre. Ndihmuan edhe familjet e tyre në Shqipëri, ashtu siç ishin në Itali apo jo? Siç shkuan në Amerikë me mijëra gjithashtu.Por në shtetin grek shkuan 600-700 mijë shqiptarë. Ndërsa përsa u takon çëshjteve dhe problemeve që kemi ne me shtetin grek ne absolutisht nuk mund të ndihemi të kompleksuar. Kjo do të ishte një paaftësi, mediokritet nëqoftë se ne do të ndiheshim të kompleksuar për të diskutuar…

 Qartë. Gjërat kanë filluar të lëvizin drejt zgjidhjes apo janë pezull sërish?

 Unë kam informacione shumë të kufizuara për fat të keq edhe në këtë rast nga ana e Ministrisë së Jashtme për dialogun që po bëhet me shtetin grek në lidhje me çështjen e …

Ata duhet t’ju kërkojnë ju instrumentet e marrëveshjes së kufirit detar?

 Nuk i kanë kërkuar deri tani. Madje edhe te ligji që ka të bëjë me plotfuqishmërinë kanë bërë disa ndryshime, të cilat për mua… Shumë shpejt do t’i adresohem Gjykatës Kushtetuese, sepse të drejtën e plotfuqishmërisë që ka pasur dikur Presidenti, tashmë ia kanë kaluar Ministrisë së Jashtme, me idenë për të marrë thjesht autorizmin nga ana e Presidentit të Republikës, çka bie ndesh me një sërë konventash ndërkombëtare, por kjo është…

 Cili duhet të jetë Zoti President, reagimi i shtetit shqiptar ndaj kërkesës së qeverisë së Ankarasë për të sekuestruar gjithë aktivitetin e Fetullah Gylenit në Shqipëri si të një organizate terroriste?

Turqi është një vend mik. Populli turk është një popull mik. Qeveria turke për ne është një qeveri mike. Kemi marrëdhënie shumë të mira, të cilat duhet t’i forcojmë e t’i zhvillojmë. Përsa u takon pretendimeve që mund të ketë qeveria turke në lidhje me individë apo grupe të caktuara individësh që rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë, janë që të gjitha të mirëpritura që t’iu adresohen institucioneve të shtetit shqiptar. Unë mund t’ju them e t’ju garantoj se nga territori i Shqipërisë, popullit mik turk, shteti mik turk, qeverisë mike turke nuk do t’i vijë kurrë asnjë e keqe dhe nuk mund t’i vijë dot asnjë kërcënim dhe asnjë rrezik. Përsa u takon çështjeve të caktuara dhe individëve të caktuar, këtë janë çështje që zgjidhen në mënyrë ligjore ndërmjet agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve, dhe unë i nxis dhe i përkrah çdo veprimtari dhe bashkëpunim në këtë fushë.

 Pas dy muajsh zhvillohen zgjedhjet më të rëndësishme në glob: ato në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri shqiptar kur ishte në Shtëpinë e Bardhë, edhe në një intervistë për CNN, e konsideroi kandidatin republikan Donald Trump si një të keqe për njerëzimin. Ju si Kryetar i Shtetit shqiptar, në këtë kontekst, çfarë do t’u sugjeronit, çfarë do t’i këshillonit shqiptaro-amerikanëve, për kë të votonin?

 Edhe nëse do ta bëja, shqiptaro-amerikanët do të qeshnin me mua, kështu që unë nuk mund të lë që të bëhem i tillë në sytë e qytetarëve shqiptaro-amerikanë. Nuk mundet kurrsesi që unë të ndërhyj në zgjedhjen e tyre, madje as në zgjedhjet në Shqipëri nuk mund të ndërhyj, jo më në zgjedhjet nëAmerikë apo diku tjetër. Në përgjithësi për ne shqiptarët nuk ndonjë ndarje me thikë le të themi, midis republikanëve dhe demokratëve, sepse populli amerikan shumë i afërt, shumë mik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend shumë mik. Kushdo që do të jetë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë një politikë shumë miqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është një miqësi tashmë e bazuar mbi histori, por edhe mbi bazën e dokumentve historike shumë të rëndësishme – ne kemi firmosur para pak kohësh, qeveria aktuale Dokumentin e Partneritetit Strategjik me Shtetet e Bashkuaratë Amerikës. Është një investim i madh nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për garantimin e sigurisë…

 Po e shikoni si rrezik…që e gjitha kjo situatë të rishikohet, të revizionohet në qoftë se zgjidhet Trump-i?

Absolutisht në asnjë mënyrë! Padyshim që familja Klinton për shqiptarët, Presidenti Klinton, kandidatja Hilari Klinton kanë një ndjesi shumë të veçantë, specifike, për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Është krejt e natyrshme. Por kushdo që do të jetë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë një mik shumë i veçantë dhe shumë i afërt i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Jam i sigurt për këtë.

 Në ditët në vijim pritet të mbahet në Nish një takim i Kryeministrit tonë me homologun e tij serb, Vuçiç. Mediat e Beogradit janë munduar ta paraqesin atë si një takim mes shqiptarëve në tërësi dhe serbëve nga ana tjetër me një tendencë për t’u pajtuar e për të lënë pas të kaluarën tragjike. Ju e shikoni kështu këtë takim?

 Angazhimet për të përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë unë i shikoj shumë pozitivisht. Kam pasur edhe unë një takim shumë pozitiv me Kryeministrin Vuçiç kur ai vizitoi Tiranën para disa kohësh. Shqipëria është e interesuar t’i përmirësojë marrëdhëniet e bashkëpunimit me Serbinë në aspektin politik, ekonomik dhe në atë kulturor. Jemi vende dhe popuj që ndajmë të njëjtin rajon. Kemi një të ardhme të përbashkët në të njëjtin rajon. Procesi i integrimit evropian e ka ndihmuar shumë edhe procesin e afrimit midis popujve dhe vendeve të rajonit tonë. Është në interesin tonë strategjik, e kam theksuar zyrtarisht shpesh herë, në interesin më të mirë strategjik të Shqipërisë është stabiliteti, paqja, dhe pajtimi në rajon, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit. Por edhe me vendet e tjera të rajonit siç është Serbia, pavarësisht se nuk është një fqinjë i yni, por është shumë afër në rajon. Takimet ndërmjet kryeministrave janë pozitive dhe unë i mbështes. Por natyrisht që nuk mund të përfaqësosh botënshqiptare. Shqipëria përfaqëson Republikën e Shqipërisë. Qeveria shqiptare përfaqëson shqiptarët që jetojnë nëShqipëri. Ne e kemi këtë fat të keq. Kjo ka qenë historia, por ne nuk e zhbëjmë dot tani historinë, që në Republikën e Shqipërisë jetojnë vetëm 40% e atyre që i përkasin kombësisë shqiptare. Kemi në Kosovë, në Maqedoni, kemi komunitet në Serbi, jetojnë shumë në diasporë. Qeveria shqiptare duhet të marrë përsipër dhe përfaqëson qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Shqipëria nuk ka ndërhyrë dhe nuk mund të ndërhyjë në procesin e, do ta nxisë patjetër dhe do të ndihmojë sa të jetë e mundur, por nuk mund të hyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e bashkëbisedimit dhe të negociatave dhe çështjeve që duhet të zgjidhë Serbia me Kosovën. Kosova ka autoritete e saj, ka institucionet e saj të zgjedhura, ka Parlamentin, ka Presidentin, ka qeverinë, ka një sërë institucionesh të tjera. Bashkëpunimi dhe interesi ynë ndaj Kosovës me të drejtë është më i madh ngaçdo vend tjetër, sepse jetohet nga shqiptarë, por si qëllim është i barabartë me të gjithë të tjerët, sepse duam stabilitet në rajon. Dhe pavarësia dhe zhvillimi i Kosovës e rrit garancinë e stabilitetit. Këtë e ka treguar koha, nuk është se po e themi ne. Pra në këtë sens, unë besoj se bashkëpunimi midis dy vendeve, midis dy shteteve, edhe Shqipërisë dhe Serbisë është një bashkëpunim që duhet përshëndetur, i cili duhet mbështetur, që duhet forcuar në respekt të interesave reciproke. Unë vazhdoj dhe ngul këmbë dhe i kërkoj qeverisë shqiptare që të bëjë të mundur e të jetësojë premtimin e përsëritur dhe ripërsëritur të qeverisë së Serbisë për garantimin e njohjes së dokumenteve të arsimit për shqiptarët në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanovc. Ende nuk ka një akt final për njohjen e tyre. Dhe ata të kenë mundësi që të bëhen pjesë e institucioneve atje për shkak të dokumenteve që tregojnë arsimimin e tyre, shkallën e profesionalizmit të tyre dhe ky duhet të jetë një kusht që ne duhet t’ia vëmë qeverisë së Serbisë. Nuk ka asnjë arsye pse ta refuzojë, ta pengojë dhe të mos e zbatojë. Është një çështje shumë e rëndësishme. Ashtu siç jemi shumë të angazhuar dhe shohim me shqetësim që situata ekonomike, infrastrukturore dhe zhvillimore në tërësi në pjesën ku jeton minoriteti shqiptar nëSerbi nuk është e njëjtë me atë në pjesën tjetër të Serbisë. Këto janë angazhime që duhet t’i marrë përsipër për t’i diskutuar, për t’i negociuar e për t’i adresuar drejt zgjidhjes edhe qeveria shqiptare.

 Në çfarë rrethanash u dhatë gjithë drejtuesve të Vetëvendosjes shtetësinë shqiptare?

 Po pse është një shqetësim? Kam parë një shqetësim nga disa individë pse u mor shtetësia nga disa drejtues politikë të Vetëvendosjes. Nuk e kuptoj pse është shqetësim? Jo nga ju. Nuk e kam për ju, e kam për disa kënde që ka ardhur. Nuk ka pse tëketë shqetësim.Të gjitha vendet e rajonit si Kroacia, Serbia, aplikojën dyshtetësinë për qytetarët që kanë kombësinë e tyre, pavarësisht se ku jetojnë. Edhe në ligjin tonë…

 Në dijeninë time as Isa Mustafa, as Kadri Veseli nuk e kanë përshembull?

 Nuk e kanë kërkuar. Ata që e kanë kërkuar janë disa politikanë të disa partive të ndryshme, kryesisht të angazhuar në institucione. Edhe në rastin e Vetëvendosjes, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës është i ftuar të marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare dhe për shkak se Kosova nuk njihet nga disa vende, nuk merr dot pjesë dhe kjo i kufizon mundësinë e pjesëmarrjes. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Kosovës Albin Kurti duhet të marrë pjesë në evente ndërkombëtare ku është i ftuar nëpozicionin që ka. Nuk merr dot vizën apo nuk i njihet pasaporta. Në përmbushje të detyrave që ata kanë për institucionet dhe qytetarët që përfaqësojnë kërkuan që të pajisen në rrugë krejt normale, zyrtare, krejt ligjore me shtetësinë shqiptare për të ndihmuar edhe në përmbushjen e misioneve dhe detyrave të tyre që ata kanë në raport me qytetarët që përfaqësojnë atje.

 Nëse do të spekuloja, do të thoja që këta janë shtetas shqiptarë, kanë të drejtë që të krijojnëVetëvendosjen në Shqipëri dhe të dalin si subjekte elektorale edhe në Shqipëri apo jo?

Vetëvendosja mund të krijohet në Shqipëri edhe pas pasur shtetësinë Visari, Albini apo dikush tjetër. Ato janë çështje politike dhe nuk krijohet kjo dilemë apo pikëpyetje. Pastaj Vetëvendosja është një parti politike legjitime që përfaqëson një numër shumë të madh qytetarësh në Kosovë. Është opozita. Edhe njëherë po e ripërsëris: Ka qenë një vendim në bazë të ligjit që parashikon për interesa të caktuara kombëtare, dhe interesi kombëtar në këtë rast ka qenë që përfaqësuesit e një pjese të mirë të qytetarëve shqiptarë në Kosovë të përmbushin detyrën e tyre institucionale në raport me interesat e qytetarëve që ata përfaqësojnë që janë shqiptarët atje. Dhe kjo është shumë e qartë si drita e diellit dhe askush nuk ka pse të shqetësohet që shqiptarët në Kosovë, një pjesë e tyre me aktivitet politik në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve kërkuan dhe u pajisën me pasaporta shqiptare.

 Shumë debate po bëhen së fundmi lidhur me Kombëtaren e Futbollit. Ju si mendoni: duhet të kishte vetëm një Kombëtare apo kjo e Kosovës mundet të përfaqësojë Kosovën? Ose për të qenë më i drejtëpërdrejtë: ka edhe shumë vetë në Prishtinë që thonë se me krijimin e shtetit të Kosovës po krijohet edhe kombi kosovar. Dhe duke qenë komb, ka të drejtën, domethënë një nga shenjat është edhe një kombëtare futbolli. Ju si e shikoni gjithë këtë debat që është zhvilluar gjaë dy-trijavëve të fundit?

 Mirë, ka emocione, ka tifozllëk në këtë mes, katendenca për protagonizëm, të gjitha bashkë nga pak, të ndryshme nga këndi…

 Ka edhe politikë… Flasim për aspektin politik.

Ka edhe politikë. Jo, unë nuk e shoh këtë si një çështje që duhet të politizohet. Ne jemi dy shtete dhe e kemi njohur Republikën e Kosovës si shtet. Kombin nuk e ndryshon dot askush. Dhe Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të Kosovës përfshi shqiptarët 95%, dhe pakicat e tjera që janë pakicë serbe e kështu me radhë. Ndaj shteti i Kosovës ka dhe duhet të ketë institucionet e veta politike, gjyqësore, administrative, kulturore, sportive. Shqipëria një kombëtare ka. Nuk duhet ta paragjykojmë. Përkundrazi, ne kemi qenë gjithmonë mbështetës, ndër të parët që kemi nxitur dhe kemi punuar që Kosova të jetë pjesë, të jetë e përfshirënë arenën, në aktivitetet dhe organizatat ndërkombëtare. Unë besoj se shqiptarët kanë aq shumë energji dhe resurse në raport me sa janë kështu që ata gjithmonë do t’i furnizojnë me talente edhe Kombëtaren e Shqipërisë edhe përfaqësuesen e Kosovës. Është një çështje futbolli, e sportit. Unë do të preferoja që kur të luante Shqipëria me Kosovën në futboll, të ndaheshim në barazim, por me gola, jo pa gola.

Ju si Kryetar Shteti, për ta përmbledhur intervistën, cilin shikoni si shqetësimin më të madh në vend?

 Tendencën për t’u larguar.

 Për t’u larguar nga…? Nga Shqipëria?

Tendenca për t’u larguar nga Shqipëria. Kryesisht e brezit të ri. Është e dhimbshme dhe është një shqetësim, që duhet të na preukopojë të gjithëve. Shumë sinqerisht dhe shumë njerëzisht nuk do ta adresoja politikisht këtë çështje. Do të bënim gabim nëse…

 Se një shkak e ka…?

 Padyshim. Shkaku kryesor është situata ekonomike. Por ne jemi një vend që zotëron dhe disponon pasuri të jashtëzakonshme krahasim me vendet e tjera. Po ta krahasojmë Shqipërinë me vendet e rajonit: nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja Hercegovina e kështu me radhë. Shqipëria është i vetmi vend që ka resurse dhe potenciale të mira të naftës. Asnjë nga vendet e tjera përreth nesh nuk i ka asnjë. Është vendi më i pasur në rajon dhe njëri nga më të pasurit në Evropë përsa i përket burimeve ujore. Na derdhet i gjithë në det, për fatin e keq, por i kemi. Dhe sot burimet ujore përbëjnë një nga pasuritë më të rëndësishme të planetit. Jemi një vend që kemi pasuri nëntokësore minerare të jashtëzakonshme duke nisur nga kromi që është një nga më të kuotuarit në bursën botërore e kështu me radhë. Kemi klimën më të mirë të rajonit. Të harmonizuar, edhe më të mirë se sa fqinjët tanë veriorë, edhe më të mirë se sa fqinjët tanë jugorë, që do të thotë një aset i mirë për të konkuruar me produkte bujqësore me shpejtësinë e daljes në treg. E gjithë pjesa perëndimore e Shqipërisë,nga veriperëndimi deri në jugperëndim është bregdet. Pozicioni strategjik i Shqipërisë në kontekstin e rrugë-kalimit është më i favorshmi edhe se sa Greqia që kemi në jug, edhe se sa Serbia që kemi lart në veri. Mallrat nga Evropa mbërrijnë përmes Italisë për tetë orë në territorin shqiptar dhe përmes rrugë-kalimeve dhe autostradave mbërrijnë menjëherë në Shkup, në Beograd, në Stamboll, në Prishtinë, në Sofje, pra janë të gjithë këto potenciale dhe në raport me potencialet që kemi, po të shikosh të ardhurat dhe standardin nuk e justifikojmë. Është më i ulët se sa vendet e tjera të rajonit që do të thotë se kemi një problem patjetër mekorrupsion. Por për mua problemi më i madh është me paaftësinë menaxhuese. Apo për të identifikuar dhe gjetur aftësitë menaxhuese le të themi. Dhe njerëzit ikin.Tani është shumë e lehtë që t’u themi qytetarëve shqiptarë: Mos ikni ju në Amerikë! Mos ikni ju në Gjermani apo diku jetër! Dhe ata janë plotësisht të gatshëm, por duan të punojnë, të kenë një shtëpi, sepse do të krijojnë një familje, do të lindin fëmijë, do t’i rrisin ata, do t’i arsimojnë fëmijët, duan të ushqehen, të vishen, të pushojnë, të dëfrejnë. Pra ky është një problem i madh kombëtar dhe unë mendoj se ka ardhur koha që kërkohet një strategji kombëtare. Dhë nismëtare për këtë strategji kombëtare duhet të jetë qeveria. Cilado qeveri që është. Kjo që është aktualja, për momentin. Është një problem: nëqoftëse ne do të vazhdojmë me këtë tendencë, me këtë trend, pas njëzet vjetësh këtu do të mbetemi vetëm qeveritarët dhe politikanët dhe nuk do të ketë popull. Kjo nuk është disfatiste. Ky është një shqetësim që unë e kam si qytetar. Dhe jua them me shumë shpirt se është një shqetësim, sepse çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit nga Shqipëria po largohen njerëz, po kërkojnë të largohen njerëz. Mua nuk më pëlqen fakti që edhe vendet e tjera të zhvilluara na marrin shqiptarë, por ata kanë punën e tyre, kanë politikat e tyre, thithin trurin. Duhet të mendojmë! Ka shembuj në botë, ka vende që nuk kanë qenë kombe dhe vende të mëdhenj, por kanë ditur të ruajnë ekzistencën. Natyrisht që ne nuk mund të bëhemi dot menjëherë as si Italia, as si Gjermania, as si Franca, as si Amerika në standarde dhe nivel jetese, por ne duhet të shikojmë se si duhet ta ngjallim shpresën që qytetarët, që brezi i ri sot të thotë: Po, unë do të jetoj, do të përpiqem, që pas një viti, pas pesë apo dhjetë vjetësh do të jem në një, dy, tre faza. Ky është një problem i madh, duhet të na shqetësojë. Unë mendoj se duhet të na shqetësojë.

Së dyti do të ngrija problemin për aktivitetin që ka krimi i organizuar. Të mos e neglizhojmë krimin e organizuar, sepse duket sikur në një moment themi: “Hajde se aty i kemi! I kontrollojmë, i kapim në çdo moment!” Nëse dalin jashtë kontrollit përfundimisht, do të jenë super të rrezikshëm për cilindo. Dhe krimi i organizuar është duke u fuqizuar në Shqipëri. Ky është një shqetësim që unë ua adresoj në radhë të parë agjencive ligjzbatuese, ua adresoj padyshim edhe qytetarëve shqiptarë, por ua adresoj të gjithë aktorëve të përgjegjshëm, përfshirë median, e cila ka një fuqi shumë të madhe në një shoqëri të hapur siç është shoqëria shqiptare. Dhe në fund të fundit këto janë çështje të përgjegjësisë. Ne jemi të gjithë kalimtarë në këtë botë. Por përderisa kemi zgjedhur këto pozicione për të qenë aktorë dhe kontribuues në jetën publike, duhet që ta ushtrojmë këtë forcë dhe këtë përgjegjësi që kemi marrë, këtë dëshirë që kemi.

Pra unë këto dy mund t’i rendis si probleme të mëdha. Çështjet e tjera mbeten sfida që gjithmonë do t’i ketë një shoqëri.

Redaksia Online
d.b/m.ç/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Përse Berisha iu gjunjëzua Damianit?

Mero Baze: Përse Berisha iu gjunjëzua Damianit?