Meqë kryetari Njazi me elegancën dhe tolerancën që e karakterizon si militant partiak nuk u dha fjalën këshilltarëve të majtë në mbledhjen e fundit të Këshillit bashkiak të Tiranës, teksa diskutohej buxheti, le të përfitoj nga rasti t’ju dërgoj juve, si kryetar Bashkie, këtë urim të sinqertë: buxheti i miratuar vetëm me votat e këshilltarëve tuaj u realizoftë, ashtu si ua ka ënda jo vetëm ju, por edhe ne, qytetarëve të zakontë, që rojmë me shpresë dhe sytë drejtuar nga përkushtimi juaj!

Shpresoj që qytetarët e Tiranës, vitin që vjen, prej këtij buxheti të kastruar tejembanë, të prekin dhe të gëzojnë atë begati që keni premtuar, me një fjalë të kapintë tjera maja e “vende të para” në garën që tanimë u ka shpallur Shqipëria politike vendeve të BE-së, përfshi dhe Gjermaninë… Nuk ka gëzim e lumturi më të madhe se lajmi që morrëm vesh nga goja e kryeministrit, këto ditë: që ne zënkemi vendin e katërt në botë për mirëqënie!

Ja përse me gjithë zemër uroj që data 24 dhjetor, vigjilja e Krishtlindjeve, kur ju miratuat planin rregullues të Tiranës dhe veçanërisht planin tuaj rregullues pranë Berishës e Topallit, t'ju sjellë fat pa afat…Uroj gjithashtu që buzëqeshja juaj e pashterrur të mos ju ngrijë e ju të lartësoheni në karrierë, pa u detyruar t'i thoni derrit dajë!...E di që nuk ka shqiptar me mend në kokë që të mos e ketë kuptuar se ju nuk jeni as i pari e as i fundit që e bëni këtë sakrificë, së cilës shumëkush ia ka parë hajrin nëpër të gjitha partitë tona, brenda dhe jashtë kufijve! Se, po të vësh re si ligjërojnë shumica e këshilltarëve dhe deputetëve e kupton që ata flasin, zihen, revoltohen, shajnë, vetëleqendisen e më në fund edhe votojnë jo që t'u pëlqejnë/shërbejnë qytetarëve që i kanë votuar/zgjedhur, por "listës" së kryetarëve përkatës! Kush nuk e di që as z.Topalli dhe as z.Kosavrasti nuk do të silleshin aq harbutërisht e alabakërisht me opozitën nëse nuk do t'i ndiqte live shefi i plotfuqishëm, Berisha,nëpërmjet ekraneve, gabon rrëndë….

Urimet e mësipërme nuk po i bëj meqë kjo datë përkon me pragun e Krishtlindjeve pasi ju, me sa di, më së tepri festoni kurban Bajramin. Na keni bindur për këtë afiliacion të palëkundur fetar kur flijuat një dash të pafajtë në ditën që shkelët për herë të parë në Bashki, por edhe kur tentuat që me këtë rit të shenjtë të kremtonit, ashtu si i ka hije një evropiani, edhe 100 vjetorin e pavarësisë. Nuk u kuptua fillimisht përse miratimi i buxhetit të kryeqytetit bashkë me planin rregullues u kryen më 24 dhjetor, pikërisht po atë ditë që ju, bashkë me kryeministrin Berisha, zonjën Jozefinë dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë, latë mbledhjen e Këshillit dhe shkuat të përuronit shtatoren e naltmadhnisë, Zogut të parë! Askujt nuk i shkonte ndër mend të zbulonte se ç'lidhje kishte buxheti i Bashkisë dhe plani rregullues me datën 24 dhjetor.

Zërat e dalë nga Bashkia kishin hapur fjalë nëpër Tiranë sikur përurimi nuk do të kryhej më 28 nëntor me që koka e Zogut, gjatë derdhjes në bronx, kishte dalë e vogël e nuk përputhej me trupin. Por kjo nuk paskësh qënë e vërtetë. Duhej që Zogu të hynte triumfalisht në Tiranë më 24 dhjetor! Vonë u kuptua se ju paskëshit planifikuar datën 24 dhjetor për t'i dhënë kuptim edhe më simbolik rikthimit të mbretit pas 88 vjetësh. Edhe pse jemi Reublikë parlamentare, kryeministri në atë ceremoni "historike" ja dha fjalën "princit Leka", pavarësisht se ç'jemi dhe si quhemi me Kushtetutë…Tanimë, besoj, u bë e qartë edhe përse ju, z.Basha, dëshironit të hiqnit edhe emrin e Avni Rustemit nga Pazari i Ri! Kush kujton se ka rastësi në politikë nuk gjykon dot realisht…

Në këto 500 ditë që po qeverisni me sukses Tiranën jam i bindur që ju do të mbaheni mend për: 1. Ngritjen e shtatores së burrit të parë të shtetit, demokratit të parë, monarkut të parë, Ahmet Zogut I në ditën që ky shëmbi diktatorin e mallkuar Fan Nol me mercenarë sërbo-rusë. 2. Që përuruat kullën e verdhë te Parku "Rinia" pikërisht aty ku mbolli pemën e miqësisë Hrushovi. 3. Që i dhuruat popullit tortën më të madhe në botë për 100 vjetor; 4. Që ndërruat emrin e rrugës "4 Shkurti" për të vënë emrin e nipit të Xhaferr Devës; 5. Që ndërtuat sheshin "Skëndërbej" për disa ditë duke na dhënë një vepër të paparë urbanistike, as shesh dhe as park, as kryqëzim dhe as rrethrrotullim, ku jo makinat, por as qeni nuk e gjen dot të zonë…Ç'arritje tjetër t'ju përmend? Sigurisht, keni edhe merita të tjera, po unë nuk po e zgjat më, pasi qytetarët e Tiranës i prekin përditë me dorë e sidomos me këmbë.

Besoj se nuk është e vështirë të kuptohet përse u zgjodh pikërisht data 24 dhjetor. Nuk mund të ndodhte ky ceremonial i nivelit të lartë në prag të Krishtlindjeve, nëse nuk do të përkonte me 88 vjetorin e rrëzimit nga pushteti të antikombëtarit, diktatorit, katilit e rezilit, antidemokratit, antishqiptarit, autokratit, atij që shiti trojet e atdheut, atij që i binte flautës në vend që të hidhte pushkë kundër mercenarëve serbë e bjellogardistë që mësynë Tiranën, atij që shkroi në toskërisht, duke i paraprirë gjuhës standarde, atij që shiti Shqipërinë dhe bëri autoqefalinë e kishës, atij që iku duke vjedhur buxhetin e shtetit për t'u arratisur jashtë mëmëdheut, në vend që të mbathte opingat e të dilte malit! E kam fjalën për sllavoortodoksin Fan Nol, për "aventurjerin", për "dhespotin e kuq" që shkroi elegji për antikombëtarët e tjerë, si Avni Rustemi, Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi, të cilët, pasi i shfrytëzoi për të bërë revolucionin antidemokratik të qershorit, i bindi edhe të vriteshin, dmth të binin në pusi, për t'u bërë, me gjasë, martirë të kombit! Prandaj kujt prej historjanëve të qeverisë i ka vajtur mendja që shtatorja e Zogut të përurohet në këtë ditë meriton respekt, pasi çeli një traditë të re: të nderohen ata shtetburra jo në ditën kur janë rrëzuar nga pushteti me revolta popullore, por në ditën që janë rikthyer, qoftë edhe me ndihmën e serbëve apo të grekëve. (Analogjia është e qartë: edhe Berisha e pati këtë fat: të kthehej përsëdyti, pasi ishte përmbysur!)

Prandaj jam i bindur që ju dhe shefi juaj, Berisha, nuk do të ngrinit as mauzole, nuk do të sillnit as eshtrat e Zogut nga Franca, nuk do të përuronit as shtatoren, nëse nuk do të admironit, dmth nëse nuk do të kishit model, idhull, shëmbull figurën më të ndritur të historisë sonë të afërt, të Ahmet Zogut, i cili, pasi ndërtoi shtetin e së drejtës, (sipas historisë tuaj të rishkruar) solli edhe demokracinë në Shqipëri, mbolli madje edhe lirinë e shtypit e të fjalës (sipas z.Jahjaga, presidente aktuale e Kosovës)..,.ndërtoi pra shtetin më modern në vendin më të prapambetur të Europës!...Ishte Ahmet Zogu ai që gjatë mbretërimit ndërtoi veprën më të madhështore të kombit e të karrjerës së tij: urën gjigande të Matit; ishte ai që me veprimet e mosveprimet e tij na shpëtoi nga asimilimi i serbëve, grekëve dhe italianëve, duke u vetëshpallur për këtë qëllim mbret, një mbret që premtoi se do të dilte me opinga maleve për të na mbrojtur…Zogu i parë ishte një udhëheqës që luftoi fashizmin dhe më pas edhe komunizmin (si antifashisti dhe antikomunisti i parë në Evropë, sipas Berishës)…Nuk kanë të sosur meritat e kësaj figure historike të cilin e nderoi dhe e respektoi bota, aleatët, Evropa e SHBA, edhe kur iku në emigracion…

Për të gjitha këto arsye jam i bindur që në vigjilje të Krishtlindjeve Tirana do të jetë ndjerë më e lartësuar e më krenare se kurrë, sepse falë jush tani ka, mu në hyrje të qytetit, pikërisht në atë drejtim verior prej nga mësynë trupat serbo-ruse 88 vjet më parë, shtatoren e Ahmet Zogut! Ka disa që duan të thonë se ju ëndërroni të trashëgoni jo vetëm famën, por edhe fatin e tij: që veprën dhe pasurinë ta bëni fët e fët këtu, ndërsa vdekjen ta keni sa më larg atdheut e shqiptarëve, në egzil, me bindjen që pasardhësit, kur të rishkruhet për të qindën herë historia, jo vetëm do t'ju sjellin eshtrat, por do t'ju ngrenë edhe shtatore lavdie në Tiranë!…Si unë edhe jo pak shqiptarë të tjerë këtë pandehmë ndjellakeqe nuk duam ta besojmë!

Përfitoj nga rasti t'ju propozoj atë që nuk e bëra dot në Këshillin bashkiak: t' ju kujtoj se në vitin 2013 është 150 vjetori i lindjes së Esad Pashë Toptanit (1863) dhe 100 vjetori i dorëzimit të Shkodrës (1913) prej tij, te ushtëria malazeze. Ndaj do të ishte një rast i mirëpritur që bashkë me kokën e Ali Pashës të ngrini në kryeqytet, aty te pedonalja ku shiten qofte dhe salçiçe, një shtatore për Esad Pashën. Mund ta vini edhe pranë Ushtarit të Panjohur, aty ku ish parardhësi juaj, zoti Brojka, ngriti brenda një nate shtatoren e një turkoshaku (e vetmja vepër që do të mbahet mend prej këtij ish kryetari Bashkie!). Nuk do të jetë keq sikur të ndërhyni edhe në qeveri, tash që kemi edhe një komision të specializuar qeveritar për kthim eshtrash të lloj-lloj shpirtrash të vdekur, që edhe këtij burri shteti të shquar t'i sillen eshtrat në atdheun e tij të dashur. E dini pse? Sepse ka shumë mënyra për t'u mbajtur mend e për të hyrë në histori…Një tregim i Çehovit ka një personazh i cili, që t'i futej emri në gazetë e të bëhej i shquar iu hodh karrocës…Kurse ju keni zgjedhur e po zbatoni, bashkë me Berishën e Jozefinën, një mënyrë më të lehtë, më të bujshme, më shtetërore, më karizmatike, më simbolike dhe, sigurisht, edhe më të suksesshme(për mendësinë tuaj!) për të lënë shenjën tuaj në histori!...

Lum kush do të rrojë që të shohë se sa bukur do të vetëleqendiset historia prej jush!

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 29 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)