Me kalimin e kohës autoritarizmi i Berishës ka ndryshuar, duke marrë format e kohës, format e pozicionit dhe statusit të tij, format e reputacionit të tij në Europë dhe SHBA. Në këtë logjikë, edhe aradhët e kontestuesive u janë larguar shablloneve, kanë ndryshuar stil. Por dikotomia apo konflikti bazë në PD ka mbetur po ai që ka qenë, pavarësisht pauzave apo periudhave të vdekura. Është konflikti për respektin e munguar, për rregullat e munguara të bashkëjetësës, për diktatin e kryetarit në çdo gjë dhe për gjithçka, për karrierën në atë parti. Në fillim fare ishin anëtarët studentë të Komisonit Nismëtar të PD-së, Shinasi Rama, Blendi Gonxhe, Tefalin Malshyti e tjerë. Ikën të gjithë, me përjashtim të Azem Hajdarit Pastaj ishte Neritan Ceka protagonisti dhe viktima politike ekselente e përplasjes me mendësinë populiste të Berishës në fund të vitit 1991; pastaj zbriti në arenën e Kuvendit Gramoz Pashko me një fjalim të paharruar në formë manifesti për meritën e nepërkëmbur dhe të fyer nga mediokriteti, pastaj në verën e vitit 1992 Arben Imami, Arben Demeti, Perikli Teta, Ridvan Pëshkëpia, Shahin Kadare, Preç Zogaj dhe me shumë se gjysma e stafit të gazetës "Rilindja demokratike" paraqiten apo përkrahën "mocionin" e famshëm, dokumentin politik me serioz që kanë prodhuar kundërshatrët e mi, siç u shpreh Berisha disa vite me vonë kur po pajtohej me mocionistët. Vala e kritikave, kontestimeve, konfrontimeve, largimeve dhe shizioneve rifilloi pas një pauze të shkurtër me të ndjerin Petrit Kalakula, vazhdoi pastaj me Dashamir Shehun dhe grupin e ministrave në vitin 1997, me Genc Pollon e Tritan Shehun dy vite me vonë, me liberalët e rinj në fund të vitit 2005 pas rikthimit të PD-së dhe Berishës në pushtet, me Spartak Ngjelën dhe Gilman Bakallin në vitin 2007, me Mero Bazen dhe Besnik Mustafajn, me mua sërish në vitin 2009, me Bamir Topin dhe disa prej mbështetësve të tij pas vitit 2009 për të mbërritur së fundi te Mark Marku dhe Selami Xhepa, që po artikulojnë kritika në një formë më të ftohtë, pa ndonjë shkak, interes apo emocion konkret personal.
Në gjithë këtë histori ka patur liberalë që kanë kërkuar zbutjen e partisë, domethënë më shumë tolerancë e moderacion. Këta janë trajtuar me ashpërsinë me të madhe. Ka patur ndërkaq sektarë që kanë kërkuar të kundërtën, domethënë ashpërsimin e partisë dhe këta zakonisht janë "lënë të shprehen", janë injoruar me dashje ose janë kundërshtuar sa për formë. Ka patur kontestatorë që kanë ngritur zërin kur partia dhe Berisha ishin në kulmin e fuqisë, sikurse ka patur të tjerë që kanë nxjerrë shpatat kur partia ishte në opozitë apo në humnerë. Të gjitha këto tregojmë larminë e dukurisë, por nuk është qëllimi ynë të merremi me to. Në fund të fundit kontestimet e çdo ngjyre kanë patur të përbashkët një shqetësim bazë, çështjen e karrierës në PD. Si maten kontributet, si çmohen vlerat, a ka një korrnizë kriteresh objektive? Apo përcaktuese për të bërë karrierë të suksesshme e të sigurt mbetet gjithnjë marrëdhwnia me kryetarin, konformimi i plotë deri në depersonalizim me të, servilizmi ndaj tij, duke përjashtuar këtu ndonjë promovim rrethanash që ka edhe ai shpjegimin e vet në raport me interesin momental te kryetarit. Nuk ka nevojë të jesh shumë i ditur për të kuptuar se shpërfillja e meritës dhe promovimi i tarafeve çon në degradim.
Pëplasjet ciklike dhe të pafrytdhme të disa kontestuesve me lidershipin e partisë i përshkon dhe i shpjegon edhe një fill tjetër. Ai apo ata që janë konfrontuar një ditë prej ditësh me lidershipin për temën e madhe të karrrierës apo për tema të tjera të lirisë i kanë injoruar betejat e atyre që janë konfrontuar më parë për të njëjtat arsye. Rëndon kontestatorëve të radhës u është dukur sikur janë ata të parët, duke lenë të kuptojnë se Berisha ka patur të drejtë dhe ka qenë i mirë kur u ka mbyllur derën apo ka përjashtuar të mëparshmit dhe qenka bërë i keq vetëm kohët e fundit. Në fakt Berisha, me ca nuanca të vogla, kështu ka qenë gjithmonë, ai ose pranohet si i tillë ose nuk i duhej hyrë fare në oborrin e tij politik. Por ai e di mirë se ka gjithnjë intelektualë të joshur nga pushteti, që me alibinë e qëllimeve të mira, janë të gatshëm të bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh për të stolisur palmaren e tij politike dhe për të mbushur për hesap të tij gropën e kontestuesve të përjashtuar apo të larguar. Në këtë kuptim, tani që Mark Marku ngriti në edicionin e radhës problemet e njohura të karrierës dhe frymës së lirisë në PD, një "Daniel" i ri, "Danieli 10 apo 20" po sheh nga Berisha, po afrohet drejt Berishës, po bën gjeste shërbëtori në drejtim të Berishës, po pret një lajm prej Berishës se do të jetë në listën e deputetëve të ardhshëm të PD-së. Ka gjasa të ketë një emër të përafërt dhe të vijë nga i njëjti areal me zotin Marku. Kështu edhe gropa që krijon largimi këtij të fundit mbushet, edhe ironia shijohet.
Mbetet të shpresojmë se PD dhe Berisha, siç po duken nga ndonjë shenjë e vogël, kanë filluar të kuptojnë se antikonformistët janë shpëtimi i saj. Në të kundërtën "Danieli 10 apo 20" do të marrë telefonatën. Ky nuk ka kujtesë, ose bën sikur nuk ka kujtesë. Nuk e di ose bën sikur nuk di se ç'po thotë zoti Marku. E tërheq pushteti pavarësisht sa i kalbur është nga brenda. Duhet të shkoj ta përmirësoj, i thotë vetes duke përkedhelur mendimin se vetëm ai është i aftë të ndreqë, ndërsa ata të tjerët që janë ngrenë më parë me Berishën kanë qenë inatçorë. Berisha nënqesh me mejtimet e "danielit" të ri. Pas disa vitesh edhe ky mund të rrebelohet, por deri atëherë Berisha do t'ja ketë marrë gjithë çfarë i është dashur t'i marrë. Kështu dhe historia rrotulohet në vendnumëro.