Një reformë për reformën zgjedhore

Një reformë për reformën zgjedhore
Më shumë se një vit pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të majit, një gjykatë në Lezhë ka dënuar me 4-8 muaj burg 8 komisionarë. Akuza ndaj tyre: kanë kryer 109 falsifikime në qendrën e tyre të votimit, duke votuar për persona që në fakt kanë rezultuar jashtë vendit në ditën e zgjedhjeve. Një vit pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit gjykata e Fierit dënoi me burg dhe gjobë edhe 9 komisionarë të fshatit Ruzhdije. Akuza thuajse e njëjtë: kishin rritur fiktivisht votat, ose braktisur detyrën. Në një tjetër rast në Shkodër gjykata dënoi me gjobë disa komisionarë për shkak se protesta e tyre për gjetjen e 27 fletëvotimeve tepër përfundoi me braktisjen e detyrës. Episode të tilla të “krimeve zgjedhore” janë të shumta në Shqipëri. Vetëm gjatë viteve 2001-2011 kemi pasur të paktën 32 raste të vendimeve gjyqësore penalizuese për komisionarë, të gjitha në votime të periferisë, në fshatra të largët dhe gati të harruar. Kur lexon lajme të tilla, me gjithë shqetësimin për problemet zgjedhore, nga jashtë krijohet përshtypja e drejtësisë, shtetit ligjor dhe modelit perëndimor të sjelljes ndaj atyre që dhunojnë as më pak se as më shumë se sovranitetin qytetar. Nga brenda kemi të bëjmë me një situatë paradoksale: për të njëjtën vepër penale në periferi dënohen komisionerë, në qytetet kryesore, përfshirë kryeqytetin ata shpërblehen. P.sh, në zgjedhjet e fundit të majit 3 komisionerë u akuzuan në Tiranë për shpërdorim detyrë dhe falsifikim, por asnjëri nuk u dënua: një vijon të jetë funksionar i lartë në tatime, dy të tjerët funksionarë në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë.
Prej vitesh në qytetet – metropole shërbimet ndaj partisë (edhe kur janë në kundërshtim me ligjin, sidomos ato), vijnë të shpërblehen në poste, privilegje, ngritje në karrierë deri edhe në dhurata financiare e shpërblime në procesin e privatizimit. P.sh, drejtuesit e qendrave të votimit të vitit 2009 në Tiranë ku u “shënua” boom votash për një parti të tretë politike, sot janë drejtues në prefekturë, në ministri, në qark dhe në institucionet kryesore. Më 2009 një kandidat për deputet, më vonë ministër, deklaroi publikisht se votat e tij po vidheshin, por sapo bëri një telefonatë tek një kryetar partie, u ndërpre vjedhja, madje atij iu dhanë votat e nevojshme për t’u bërë deputet, me kushtin që të ndryshonte kah politik sapo të shkelte në parlament. Dhe ai ashtu bëri. Kurse politikani që me telefon komandoi ndalimin e vjedhjes së votave në një krah dhe lejimin e vjedhjes në krahun tjetër, është as më shumë e as më pak sesa një prej tre drejtuesve kryesorë në piramidën shtetërore. Në këto raste nuk pati gjyqe as dënime si në Lezhë, Juban të Shkodres apo si në Ruzhdije të Fierit. Asgjë. Përkundrazi, pati shampanjë, lëvdata dhe shpërblime pafund në poste, privilegje dhe para.
Paradoksi i dytë lidhet me raportin midis shtetit dhe votës. Gjykata de juro mbron shtetin dhe votën, por vendimet e saj de facto nuk mbrojnë asnjërën. Sepse komisionerët nuk janë individë të rastësishëm, ata janë militantë të përzgjedhur me kujdes, të deleguar për të kryer një shërbim, pra simbolikisht “vrasës me pagesë të votës”, dhe me dënimin e tyre vetëm sa zhvendoset lista emërore, nuk preket as urdhërdhënësi, as ai që përzgjedh apo që paguan. Pra vota mund të tregtohet dhe imuniteti ndaj biznesit të votës është imuniteti më i paprekshëm në Shqipëri. A nuk u provua kjo edhe në vendosjen e shtetit në shërbim të plotë të KQZ, një organ militant dypartiak, përgjegjës për gjithçka ndodh në proceset zgjedhore? A nuk pamë sesi deputetë të zgjedhur me pazare votash në numërim (jo në votim), diku në Ndroq apo Paskuqan, në Bushat apo Kuçovë, etj, u bënë ministra, forcuan partitë e tyre dhe një ditë të bukur morën çdo të drejtë ligjore, kushtetuese e politike për të vendosur për fatet tona, fatet e shtetit dhe shoqërisë? Cili politikan i zgjedhur dha dorëheqje pasi u verifikuan raste abuzimi të votave? Cila parti kërkoi ndjesë që komisionerët e saj ndryshuan verdiktin kushtetues popullor? Çfarë bënë partitë përgjegjëse për ta ndryshuar këtë situatë? Asgjë. Thjesht ri-thirrën në skenë ata që gatuan vjedhjet e proceseve zgjedhore, dhe u kërkuan të bëjnë një retushim të ri për vjedhjen e radhës. P.sh, u kërkua dënim më i madh për komisionerë, transparencë më e madhe votimi, numërim elektronik, etj, por pa cenuar asnjë milimetër profesionin e “vrasësve me pagesë të votës”, pra pa hequr dorë nga komisionerët partiakë, nga KQZ partiake, nga kontrolli partiak i gjithë procesit.
Palët janë mbledhur përsëri. Dhe janë në krizë e nën presion për të gjetur një kompromis. Një kompromis midis dy palëve, jo midis palëve përgjegjëse dhe publikut, midis palëve përgjegjëse dhe qytetarëve. Thjesht po tentojnë mekanizmin e ri deformues të procesit, po kërkojnë formula që të devijojnë parimin proporcional të përfaqësimit parlamentar, pra, po kërkojnë skema taktike ligjore sesi të përfitojmë më shumë sesa u jep elektorati, dhe sesi ato të ruhen nga njëri tjetri, pa dhënë asnjë garanci për nevojën që vota e qytetarët të ruhen nga dy taborët militante të dy partive të mëdha.
Faktori ndërkombëtar gabimisht mendon se po u arrit kompromisi formal edhe në këto pika demokracia shqiptare do shënojë progres. Sepse ata llogarisin afatet ligjore, votat parlamentare, nevojën e përfshirjes së opozitës dhe nuk llogarisin dot mungesën tërësore të vullnetit politik për zgjedhje vërtetë të ndershme, vullnetin e plotë të palëve për të bërë gjithçka që u siguron mandat qeverisës, pavarësisht ligjit, pavarësisht angazhimeve, deklaratave, detyrimeve apo premtimeve diplomatike.
Në këto rrethana, diferenca midis asaj çfarë Shqipëria ka nevojë dhe asaj çfarë dy partitë kanë nevojë përbën edhe hendekun më të madh midis Shqipërisë demokratike dhe parademokratike. Kjo është pika që ndan realitetin shqiptar nga iluzionet e shprehura në ligje e marrëveshje protokollare. Kjo mbetet njëherësh edhe arsyeja se firmosja ose jo i akordit zgjedhor, formatizimi i njëjtë apo ndryshimi formal në KQZ, - të vetme, nuk janë dhe nuk mund të jenë garanci për procesin e ardhshëm zgjedhor. Ato, dhe ndryshime, retushime, përmirësime të tjera teknike, mund të jenë një varkë e përkohshme shpëtimi për dy partitë, por nuk janë, e nuk mund të bëhen kurrsesi një varkë shpëtimi për institucionin e zgjedhjeve dhe demokracinë në Shqipëri.
Gjatë dy dekadave 15 marrëveshje dhe reforma zgjedhore kanë krijuar një situatë paradoksale: në vend që të forcojnë institucionin e votës, e kanë kufizuar atë; qytetarët nuk kanë më pushtet zgjedhor, sovraniteti i tyre është deleguar tek partitë, të cilat, prej vitesh vijojnë të mbajnë me dhëmbë peng debatin zgjedhor, si shpresa e vetme për të mos lejuar zgjedhësit qytetarë, zgjedhësit e tretë dhe ata të rinj, që të vendosin vetë për fatet e qeverisjes së vendit. Ky është e mbetet problemi themelor, për zgjidhjen e të cilit ia vlen të ketë edhe seminare teorike evropiane në Sheraton, debat publik politik, dialog institucional midis palëve, investim direkt të organizmave ndërkombëtare, si dhe vëmendje maksimale të çdo zëri përfaqësues në vend. Vetëm një reformë për mënyrën sesi imponohet reforma zgjedhore e radhës, vetëm delegimi tek qytetarët i ushtrimit pakushte të sovranitetit, vetëm çlirimi i zgjedhjeve nga prangat e dy partive do të ishin një investim serioz e afatgjatë për stabilitetin dhe demokracinë funksionale.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Qeveri teknike? Braçe i prerë me opozitën: Koha kur pushtetet vendoseshin në tavolinë ka marrë fund! Te ‘Dezinformimi’ nuk i marr me zor

Qeveri teknike? Braçe i prerë me opozitën: Koha kur pushtetet vendoseshin në tavolinë ka marrë fund! Te ‘Dezinformimi’ nuk i marr me zor