TIRANË - Përballë Akademisë së Shkencave në kryeqytet u organizua ceremonia e perurimit te bustit të Akademikut Aleks Buda. Vepra u realizua nga skulptori Ilmi Kasemi, aprovuar nga  Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Aleks Buda lindi në vitin 1910 në qytetin e Elbasanit dhe është personalitet i historiografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX.  Njihet si kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ka titullin e larte "Mësues i Popullit".
Aleks Buda udhëhoqi një aksion të madh shkencor të studimeve ndërdisiplinore, të cilat mundësuan disa procese në  historinë e Shqipërisë  si atë të vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe të formimit të etnosit shqiptar, të gjuhës e kulturës së tij, të lindjes dhe formimit të shtetit të Arbrit dhe të rolit të shqiptarëve në historinë ballkanike.
Për kryetarin e Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti, vendosja e bustit të akademikut Aleks Buda e bën atë "qytetar të përjetshëm" të Tiranës. /ATSH/