Një 'busull strategjike' për Evropën

Një 'busull strategjike' për Evropën

Foto ilustruese

Një busull e ndihmon njeriun të gjejë rrugën e tij, ndërsa “Busulla Strategjike” (Compass Strategic), që kam hartuar me urdhër të Këshillit Evropian, do të shërbejë si një udhërrëfyes operacional për zhvillimin dhe vendimmarrjen e Bashkimit Evropian, sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes.

Ky dokument, do të diskutohet këtë javë nga ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes së BE-së. Busulla është krijuar për t’i dhënë përgjigje 3 pyetjeve:Me cilat sfida dhe kërcënime po përballemi? Si mund t’i bashkojmë më mirë asetet tona, dhe t’i menaxhojmë ato në një mënyrë efektive? Dhe cila është mënyra më e mirë, për të projektuar ndikimin e Evropës si një aktor rajonal dhe global?

Analiza jonë e përgjithshme mbi kërcënimet, tregon qartë se Evropa është në rrezik. BE-ja rrezikon që të pësojë atë që unë e kam quajtur një “tkurrje strategjike”. Dhe kjo gjë mund të perceptohet nga tre këndvështrime.

Së pari, pesha jonë ekonomike globale, po bëhet gjithnjë e më e vogël. Tridhjetë vjet më parë, BE-ja përfaqësonte 25 për qind të pasurisë botërore; pas 20 vjetësh, kjo shifër do të jetë pak më shumë se 10 për qind.

Tkurrja jonë demografike po ndodh në një mënyrë të ngjashme:Deri në fund të këtij shekulli, Evropa do të përbëjë më pak se 5 për qind të popullsisë së botës. Ndërkohë disa nga rivalë tanë ekonomikë bartin vlera, të cilat janë shumë të ndryshme nga tonat, duke përbërë kësisoj një kërcënim për fuqinë tonë normative.

BE-ja duhet që ta integrojë këtë fakt në politikë-bërjen e saj, duke pranuar se konkurrenca për standardet globale, po luhet tashmë në garën për dominimi në fushën e Inteligjencës Artificiale, gjysmëpërçuesit dhe bioteknologjinë.

Së dyti, fusha strategjik e veprimit të BE-së po kontestohet gjithnjë e më shumë, për shkak të sfidave nga aktorët e rinj ambiciozë, shfaqjeve të forcës ushtarake, dhe strategjive të destabilizimit që përdorin luftën kibernetike dhe keq-informimin.

Tanimë ka mbaruar koha kur paqja dhe lufta përbënin dy gjendje qartësisht të dallueshme. Ne jemi dhe do të përballemi gjithnjë e më shumë me situata hibride, të cilat kërkojnë një gamë të gjerë mjetesh mbrojtëse.

Së treti, sfera politike e Bashkimi Evropian po rrudhet, teksa vlerat tona liberale po kontestohen gjithnjë e më shumë. Në “betejën e narrativave”, ka nisur të fitojë shumë terren ideja se vlerat universale janë në të vërtetë vetëm disa gjëra të shpikura nga Perëndimi. Ndërkohë është hedhur poshtë supozimi i dikurshëm, se zhvillimi ekonomik do të çonte gjithmonë në një zhvillim demokratik. Gjatë “lundrimit” nën këtë mjedis strategjik gjithnjë e më konkurrues, BE-ja duhet që të bëhet një ofruese e sigurisë për qytetarët e saj, duke mbrojtur vlerat dhe interesat tona.

Por që ta bëjë këtë, ajo do të duhet të veprojë më shpejt dhe me vendosmëri kur i menaxhon krizat. Dhe kjo do të thotë të parashikohen kërcënimet, të cilat ndryshojnë shumë shpejt pamje, dhe të mbrohen qytetarët; të investohet tek aftësitë dhe teknologjitë e nevojshme; dhe të bashkëpunohet me partnerët për të arritur synimet e përbashkëta.

Masa të tilla, do të forcojnë kapacitetin tonë për të penguar sulmet, si dhe për të reaguar ndaj një sulmi kur ai ndodh. Vlera kryesore e forcës ushtarake, nuk është sepse na lejon që t’i zgjidhim problemet, por se mund të ndihmojë në parandalimin e zgjidhjes së problemeve që na dëmtojnë.

Kjo është arsyeja pse “Busulla Strategjike”, propozon ndërtimin e kapaciteve të BE-së për përdorimin e shpejtë të forcës në të gjithë spektrin e veprimeve të parashikuara nga traktatet e BE-së. Përpjekjet e kaluara për ta bërë këtë gjë me shpejtësi, kanë pasur vetëm një sukses të kufizuar.

Por “Busulla Strategjike”, synon që të bëjë më të lehtë këtë proces në aspektin operacional dhe efektive përmes 3 mënyrave. Së pari, ajo do të ndjekë një qasje modulare, të përbërë nga skenarë konkretë dhe të përforcuar nga trajnimi i përbashkët, në vend se të para-pozicionohet si një forcë e përhershme.

Së dyti, do të ketë udhëzime të qarta, të cilat përcaktojnë se është misioni, ai që përcakton llojin dhe madhësinë e forcës, dhe jo anasjelltas. Së treti, ne mund të shtojmë përpjekjet tona për të kapërcyer mangësi të ndryshme, që kanë penguar prej kohësh aftësitë tona operacionale, me veprime të qarta, të cilat duhet të kenë përparësi.

E gjitha kjo do të kërkojë legjitimitet dhe fleksibilitet. Kush vendos dhe si duhet të zbatohen këto vendime? Pa vënë aspak në pikëpyetje parimin e unanimitet, është e mundur të veprohet në mënyrë kreative, duke aktivizuar disa dispozita si abstenimi konstruktiv ose neni 44, që lejon krijimin e koalicioneve të miratuara nga Këshilli Evropian.

Tek e fundit, ne kemi nevojë për vullnet politik (pa të cilin nuk është e mundur asgjë) dhe për një efikasitet operacional (pa të cilin gjithçka është e kotë). Natyrisht, BE-ja nuk duhet që t’i kufizojë veprimet e saj vetëm në vendosjen e forcave ushtarake.

“Busulla Strategjike”, fokusohet gjithashtu në fusha si siguria kibernetike, detare dhe ajo hapësinore. Për t’i paraprirë kërcënimeve, dokumenti propozon rritjen e kapaciteteve të shërbimeve sekrete dhe zgjerimin e mjeteve në dispozicion për të luftuar sulmet hibride dhe kibernetike, si dhe keq-informimin dhe ndërhyrjen e huaj.

Po ashtu, ajo gjithashtu vendos objektiva për investime që synojnë t’i pajisin ushtritë tona me aftësitë e nevojshme dhe teknologjitë inovative, për të mbushur boshllëqet strategjike, dhe për të reduktuar varësitë teknologjike dhe industriale.

Së fundmi, më lejoni që të theksoj faktin se kjo përpjekje nuk bie në asnjë mënyrë ndesh me angazhimin e Evropës ndaj NATO-s, e cila mbetet në qendër të mbrojtjes sonë territoriale. Ky angazhim nuk duhet që të na pengojë të zhvillojmë aftësitë tona, si dhe të kryejmë operacione të pavarura në zonën tonë por edhe më gjerë, sidomos në një kohë kur vëmendja e politikë-bërësve amerikanë mund të përqendrohet diku tjetër (kryesisht në rajonin e Indo-Paqësorit).

Përgjegjshmëria strategjike evropiane, është mënyra më e mirë për të përforcuar solidaritetin transatlantik. Ky koncept, është në qendër të dialogut të ri mbi sigurinë dhe mbrojtjen midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Por të gjithë evropianët, duhet ta kuptojnë se “Busulla Strategjike” nuk është një shkop magjik.

U takon vendeve anëtare të BE-së të përcaktojnë, nëse ndryshimet e sotme gjeopolitike, do të jenë një tjetër kambanë alarmi e padëgjuar, dhe një debat i ripërtërirë mbi mbrojtjen evropiane, apo një tjetër fillim i rremë. “Busulla Strategjike”, është një mundësi për të përmbushur drejtpërdrejt përgjegjësitë e sigurisë së Evropës, përpara qytetarëve tanë dhe pjesës tjetër të botës.

*Josep Borrell, është Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / “Project Syndicate” – Bota.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare