Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha mblodhi sot të deputetët e tij në një tjetër takim për humbjen e 14 majit, duke thënë se Rama vodhi zgjedhjet në bashkëpunim me krimin. Takimit ju bashkua vetëm aleati i humbjes Ilir Meta, ndërsa edhe pse një ditë më parë, në takimin që u mbajt për bashkim, i ftoi publikisht, deputetët e Bardhit nuk morën pjesë.

“Ju ftoj nesër në prezantimin e raportit për farsën elektorale të 14 majit. Unë nuk dua të zgjatem më shumë, por edhe njëherë shpreh vlerësimin tim. Ftoj ju sipas kohës së lirë që keni, nesër në një paraqitje që ne i bëjmë raportit për farsën elektorale të 14 majit. Është bërë një punë mendoj unë, shumë e çmuar”, tha Berisha një ditë më parë.

Duke shfrytëzuar takimin e përbashkët mes deputetëve kreu i Rithemelimit u përpoq të legjitimonte mes tyre veten si drejtues, por në prezantimin e asaj që e quan prej muajsh farsë elektorale, deputetët e lanë vetëm me të tijtë.

Njëjtë si nga selia e ish Shqupit që zaptoi, edhe në sallën që kishte marrë me qira, Sali Berisha përsëriti se zgjedhjet Edi Rama ia vodhi. Këtë herë, e vetmja që ndryshoi, ishte se akuzat i kishte printuar në një libër.

“Nga fillimi e deri në fund me vendim qeverie vendosi tu dërgojë pensionistëve zarfin 50 mijë lekë, 683 mijë pensionistëve. Me vendim qeverie, të gjitha në kundërshtim me ligjin shpalli rritjen e rrogave në mes të fushatës  elektorale. Shpërndau miliona e miliona para për tërmetin. Vetëm në Peshkopi shpërndau 400 mln lekë për personat më aftësi ndryshe. 13 mijë pensionistë shtoi në lista pa kontribute. Këto janë të gjitha veprime zyrtare dhe nuk janë veprime me Bajrët, Bandën e Durrësit, Elbasanit etj. Janë veprime nga zyra.

Nuk regjistroi partinë kryesore opozitare në listë. U diktoi asaj kryetarin e koalicionit. 61 përfaqësuesve të koalicionit në garë u dha zero investim, kundër 1.2 mln eurove që u dha 12 të aleatit të tij të ri. Ato janë aspekte terroriste.

E vërteta është se administrata u shndërrua në polici politike dhe dihen më se cili është dallimi mes policisë partiake, policisë së fshehtë dhe administratës. Që të gjithë terror mbi zgjedhësit. Pra këto janë të gjitha me dokumente zyrtare, janë kryer në një sfidë absolute ndaj votës dhe qytetarëve shqiptar. Pastaj ushtria e nëndheshme e krimit, hanxharëve, vrasësve duke terrorizuar në mbarë vendin qytetarët”, tha Berisha.

Në përfundim të takimit, kreu i Partisë së Lirisë e quajti pozitive mbledhjen e Berishës me deputetët e Gazment Bardhit dhe aleatët. Në mbledhjen mes 43 deputetëve të opozitës, deputetët e Partisë së Lirisë munguan, por Meta paralajmëron se 3 deputetët e tij do t’i bashkohen unifikimit të qëndrimit opozitar në parlament.